15.8 C
Priština
More

    Intervistë me onkologun – Parandalimi i sëmundjeve kancerogjene

    spot_imgspot_img

    Intervistoi: Edita Sahiti-Bekteshi

    Ekziston një temë dhe një sëmundje e cila na rrethon, mirëpo për të cilën për fat të keq askush nga ne nuk dëshiron të flasë e as të mendojë.

    Kur mendojmë në të, themi që neve ajo nuk mund të na ndodhë, mirëpo statistikat tregojnë një storie tjetër.

    Në ditët e sotme, shumë rrallë ekziston dikush i cili nuk ka patur në familjen e tij të ngushtë apo më të gjerë dikë i cili ka qenë i prekur nga ndonjë lloj i kancerit – kësaj sëmundjeje të rrezikshme. Edhe përkundër metodave moderne dhe të suksesshme, për fat të keq shumë lloje të sëmundjeve malinje përfundojnë me fatalitet.

    Ekzistojnë shumë pyetje dhe përgjigje për këtë temë, ekzistojnë shumë këshilla dhe kërkime, mendime dhe veprime, mirëpo edhe sot e kësaj dite nuk ka qenë e mundur që të çrrënjoset asnjë lloj nga këto sëmundje, e as të gjendet një vaksinë e suksesshme e cila do ta ndalonte paraqitjen e kësaj sëmundjeje.

    Mënyra e shpejtë e të jetuarit, stresi i cili na rrethon në çdo hap, ushqimi i shpejtë dhe jokualitativ dhe shumë faktorë të jashtëm, nuk flasin mirë për zhdukjen apo rrallimin e kësaj sëmundjeje.

    Mirëpo, prapë ekziston diçka që ne mund të bëjmë për vetveten dhe njerëzit tanë të afërt dhe në atë mënyrë të mundohemi që të mbahemi sa më larg sëmundjes më të keqe të këtij shekulli.

    Dr.Emiljana Huti, Onkolog – Spitali Amerikan

    Ne kemi kontaktuar njërin nga mjekët tanë në Spitalin Amerikan, onkologen e njohur dhe gruan e cili për çdo ditë takon njerëz të prekur nga ndonjë formë e kësaj samundjeje, dhe ajo është e gatshëm që të na përgjigjet në disa pyetje më të shpeshta, dhe të ndalet më shumë në masat preventive, duke prekur patjetër edhe metodat moderne të shërimit.

    E nderuara doktoreshë, do t’ju luteshim që të prezantoheni dhe të na thoni diçka për veten tuaj,

    Fillimisht dua që t’ju përgëzoj për punën që bëni në përpjekje për të senzibilizuar femrat mbi rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin, në veçanti në masat parandaluese kundër sëmundjeve të rënda. Quhem Dr. Emiljana Huti dhe punoj si mjeke onkologe në Spitalin Amerikan .

    Sipas mendimit tuaj dhe duke iu referuar statistikave, a mendoni që sëmundjet kancerogjene janë shpeshtuar shumë në krahasim me vitet e kaluara?

    Është fakt që numri i pacientëve të diagnostikuar me sëmundje malinje sot në botë është rritur dukshëm dekadat e fundit. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit diagnostifikohen rreth 12.7 million pacientë me kancer dhe afro 7.6 milion prej tyre humbin jetën si rrjedhoje e kësaj sëmundjeje.

    Çka mendoni që ndikon në paraqitjen e sëmundjeve malinje tek ne?

    Rritja e numrit të pacientëve të diagnostikuar me kancer mund të shihet në dy drejtime;

    Së pari ajo lidhet me përmiresimin e metodave diagnostikuese të sëmundjeve malinje, si tomografia e kompjuterizuar (CT – skaneri) rezonanca magnetike,shintigrafi, PET-CT etj, të cilat kanë bërë hapa galopante në 10-vjeçarin e fundit.

    Së dyti, me ndryshimet e ndodhura në botën ku jetojmë, ku perfshihen plakja e popullsisë,ndryshimi i stilit të jetesës ,vese si duhanpirja ,ndotja e ambientit ku jetojmë etj.

    Cilat lloje të sëmundjeve malinje i kapin më së shumti femrat, e cilat meshkujt?

    Kanceri i mushkerive,i gjirit, kolorektal dhe ai gastrik jane kanceret që diagnostikohen më shpesh në popullatë duke përberë rreth 40 % të të gjitha rasteve.Kanceri i gjirit është kanceri më shpesh i diagnostikuar tek femrat duke qenë edhe shkaktari më i madh i vdekjeve nga kanceri në to dhe kanceri i mushkërive ze vendin e parë si shkaktar i vdekjeve nga kanceri tek meshkujt.

    A vlen thënia e njohur „më mirë të parandalohet se sa të shërohet“ edhe për sëmundjet malinje, dhe në çfarë mënyre ajo të parandalohet?

    Personalisht mendoj se do kishte vend thënia “mund të parandalohet vdekja nga kanceri” dhe kjo mund te arrihet në dy drejtime;

    Së pari duke ulur faktorët e riskut që janë faktorë që secili nga ne i ka në dorë për t’i eleminuar si:

    • duhanpirja
    • obeziteti
    • ushqyerja e shendetshme
    • shtimi i aktivitetit fizik
    • mos abuzimi me alkoholin
    • sëmundjet seksualisht të transmetueshme (HPV-infection)
    • ulja e ndotjes urbane

    Së dyti, duke bërë kontrolle periodike tek mjeku për ta kapur sëmundjen në stade sa më të hershme, kur edhje mundësitë e trajtimit janë të mëdha.

    Sipas studimeve te realizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në këtë mënyrë mund të evitohen më shumë se 30% e vdekjeve nga kanceri.

    Shumë herë kemi dëgjuar që kur dyshohet në kancer, ajo është veç vonë për pacientin. A ekziston ndonjë metodë e cila tregon që në organizmin tonë është duke ndodhur diçka, para se ne ta hetojmë atë?

    Për fat të keq kjo fraze dëgjohet shpesh, sidomos në vendet e pazhvilluara dhe ka të bëjë me diagnostikimin e sëmundjes në stade të avancuara, kur ajo është perhapur dhe ka dhënë metastaza. Fatkeqësisht, përveç se të bëjmë kontrolle periodike tek mjeku dhe të mos neglizhojmë asnjë ankesë, nuk ka ndonjë mënyrë tjetër për ta diagnostikuar në kohë sëmundjen.

    Kemi dëgjuar për markues gjaku… A mund të na shpjegoni se për çka bëhet fjalë?

    Markuesit tumoral janë disa substanca që mund të gjenden të rritura në gjakun e pacientëve të diagnostikuar me kancer në organe të ndryshme. Por vetëm disa prej tyre mund të perdoren në screening (analizat rutine) ku mund të permend PSA tek kontrollet e meshkujve për kancerin e prostatës dhe Ca 125 në kontrollet e grave për kancerin e ovarit.

    Ju lutemi, na thoni diçka për kancerin e gjirit. Sa është i përhapur, si ta parandalojmë dhe cilat metoda të shërimit i rekomandoni?

    Kanceri i gjirit është një sëmundje në të cilën qelizat malinje(kanceroze) formohen në indet e gjirit. Këto qeliza mund të formohen në duktuset (kanalet e qumështit) ose në lobulat (gjëndrat e qumështit). Shkaku përse zhvillohet kanceri i gjirit nuk dihet ende, por njihen një sërë faktorësh që rrisin rrezikun e shfaqjes së kësaj sëmundjeje, të cilët janë: mosha (me rritjen e moshës rritet rreziku për kancer gjiri), menarkat (menstruacionet e para) e hershme, mosha e madhe në të cilën bëhet lindja e parë, ose moslindja e fëmijëve, histori personale të kancerit të gjirit ose e tumoreve beninje të gjirit, predispozicioni gjenetik (nëna, motra, tezja e diagnostikuar me kancer gjiri), marrja e hormoneve estrogjen ose progesterone, obeziteti etj. Njohja e grupit të rrezikut dhe realizimi i kontrolleve periodike tek mjeku janë shumë të rëndësishme.

    Përsa i takon trajtimit të kancerit të gjirit, mund të themi se çelësi i trajtimit është diagnostikimi në stade të hershme. Me arritjet që janë bërë në fushën e trajtimit të kancerit të gjirit , ky kancer i zbuluar në stade të hershme gjithmonë e më tepër po synohet të shihet si një sëmundje e kurueshme (kjo e kushtezuar gjithmonë nga zgjedhja e duhur e trajtimit në një kohë të hershme). Një rëndësi gjithmonë e më e madhe tashmë po i kushtohet dhe ruajtjes së gjirit duke synuar kirurgjinë konservative (heqjen vetëm të një pjese të vogël të gjirit – lumpectomy në vend të heqjes së plotë të tij –mastectomy). Edhe në mundësinë e arritjes së ëesaj kirurgjie, rol primar ka diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit.

    A mund të paraqitet kanceri i gjirit edhe tek meshkujt, apo vetëm tek femrat?

    Kanceri i gjirit, megjithëse shumë rrallë, mund të prekë edhe meshkujt, madje në keto raste është i lidhur më së shumti me faktorin gjenetik. Diaknostikimi dhe trajtimi është i njejtë si tek femrat.

    Na shpjegoni mënyrën e rregullt të vetëkontrollimit të gjirit, dhe në çka më së shumti duhet që të kemi kujde, dhe për sa kohë duhet që të vazhdohet me vetëkontrollimin e gjirit.

    Vetë ekzaminimin e gjirit duhet ta realizojë çdo femër mbas moshës 20 vjeçare, çdo muaj, mbas ditës së 3-5 të ciklit menstrual, duke bërë 5 hapa të thjeshtë:

    Hapi i parë – vendosuni para pasqyrës e shikoni gjoksin duke mbajtur shpatullat drejt e duart ne mes. Shikoni nese gjiri ka formën, masën dhe ngjyrën e zakonshme, nëse ka gropëzim, rrudhosje ose fryrje të lëkurës, nëse thithi ka ndryshuar pozicion ose është futur brenda.

    Hapi i dytë – duke ngritur duart lart dhe shikoni për të njejtat ndryshime

    Hapi i tretë – Ndërkohë që ju jeni në pasqyrë, shtrydhni me xhentilesë secilin thith dhe shikoni nese ka ndonjë rrjedhje prej tyre (që mund të jetë në ngjyre qumeshti të verdhe ose gjak).

    Hapi i katërt – Më pas duke qenë shtrirë prekni lehtë gjoksin duke përdorur dorën e majtë për gjirin e djathte dhe me pas dorën e djathtë për gjirin e majtë. Prekni të gjithe gjoksin, mund të filloni nga thithi duke levizur në formë rrathësh gjithmonë e më të medhenj ose mund të levizni gishtat vertikalisht në rreshta. Filloni fillimisht me prekje shumë të butë, e më pas ushtroni pak më tepër presion për të ndjerë indet më të thella.

    Hapi i pestë – Në fund prekni gjoksin, ndërkohë që jeni ulur. Shumë gra e kanë më të lehtë ta ndjejnë gjoksin e tyre ndërsa lëkura është e lagur, kështuqë këto hapa mund t’i bëni ndërkohë që bëni dush.

    Shumë femra ankohen në dhimbje në njërin apo të dy gjinjtë. Cilat janë shkaktarët dhe a është kjo brengosëse?

    Dhimbjet e gjirit mund të kenë shkaktarë beninjë ( shkaktarë hormonalë, kistë, fibroadenoma) ose malinje (kanceri i gjirit). Duhet të drejtohen tek mjeku për të zbuluar cili është shkaktari.

    Mamografia apo ultrazëri tek femrat e reja. Cilin e propozoni ju?

    Rekomandohet që gratë mbas moshës 40-vjeçare të bëjnë mamografi çdo 1-2 vjet, pa patur asnjë lloj shqetësimi (screening). Gratë poshtë kësaj moshe duhet të drejtohen tek mjeku për çdo shqetësim dhe është mjeku që mbas ekzaminimit fizik dhe faktorëve të rezikut që ka pacientja rekomandon ekzaminimin radiologjik të përshtatshëm.

    A e bëjnë gjirin më të ekspozuar në sëmundjet malinje korrektimi estetik i gjinjve dhe vendosja e silikonit?

    Jo, vendosja e protezave nuk e rrit rrezikun për kancer të gjirit, por vështirëson diagnostikimin e tij, prandaj rekomandohet vizitë tek mjeku onkolog para se të realizohet një ndërhyrje e tillë.

    Sipas vlerësimit tuaj, a është ulur paraqitja e kancerit të gjirit prej se janë lansuar kampanja të ndryshme mbi masat preventive për parandalimin e kancerit të gjirit?

    Në sajë të këtyre fushatave është bërë e mundur kapja dhe trajtimi i plotë dhe me ndërhyrje kirurgjikale konservative, pra ruajtëse të gjirit të shumë grave.

    Për fund, na thoni se çka është për ju „jetë e shëndetshme“ dhe si të jetojmë në mënyrë të rregullt, që bile në një mënyrë të ndikojmë në parandalimin e paraqitjes së sëmundjeve malinje.

    Të bëjmë atë çfarë kemi ne në dorë për të luftuar ndaj kësaj sëmundjeje, të jetojmë shëndetshëm, duke eliminuar faktorët e rrezikut të përmendura më siper dhe të bëjmë kontrolle periodike tek mjeku. Kjo, sëbashku me metodat e reja te diagnostikimit dhe trajtimit, janë çelësi i fitores ndaj kësaj sëmundjeje.

    Shpërndaje postimin:

    spot_imgspot_img

    Të popullarizuara

    spot_imgspot_img

    Artikuj të ngjajshëm
    Artikuj të ngjajshëm

    Pushimet shijojnë më shumë me Prime Travel

    Ndërsa ditët e diellit të gushtit i lënë butësisht...

    Dëshironi të vraponi më shpejt, ndiqni këto tri këshilla

    Të gjithë e kemi dëgjuar frazën se duke e...

    Dëgjoni këto këngë për seks të ngadaltë dhe sensual

    Muzika mund të ndikojë në dëshirën tonë seksuale. Kështu...

    Çfarë është shtatzënia ektopike?

    Një shtatzëni ektopike mund të jetë një ngjarje shkatërruese...