Karantina (izolimi) mund të ketë sjellë efekte afatgjata në shëndetin e fëmijëve. Pandemia, ndikoi tek ta në një mënyrë tjetër. Fëmijët nuk kanë rrezik vdekjeje, pasi duket se virusi i prek pak ose aspak dhe në faza të lehta, por pasojat kryesore tek ta lidhen me mbylljen në shtëpi. Mbyllja për një kohë kaq të gjatë i ka bërë ata më sedentarë.Hulumtimi për sjelljen e fëmijëve gjatë këtyre kohërave, thotë se fillimisht dieta ushqimore e tyre ndryshoi. Një studim i ri i “Obesity”, një revistë shkencore, ka dalë në përfundimin se koha e qëndrimit pranë telefonit, televizorit apo kompjuterit u rrit mesatarisht me 5 orë në ditë dhe kjo u shoqërua me konsumim të lartë të ushqimeve jo të shëndetshme. Pra, më shumë kohë pa lëvizje dhe më shumë ushqime të pashëndetshme. Gjatë kësaj kohe, fëmijët janë bombarduar edhe me ushqime si: patatinat, biskotat, çokollatat etj dhe pije të gazuara. Gjasat janë që oreksi për to vazhdon edhe pas karantinës.

Sipas një studimi të Universitetit të Wisconsin, gjatë pandemisë fëmijët mbi moshën 10 vjeç u angazhuan rreth 50% më pak në aktivitet fizike. Anthony Okely, nga Universiteti Wollongong, Australi thotë se fëmijët që kalojnë më shumë kohë në ekran sesa duke vrapuar apo duke qenë në lëvizje, kanë më shumë gjasa ta kenë këtë sjellje edhe në adoleshencë.

Mungesa e gjumit ishte një problem tjetër. Modelet e gjumit të fëmijëve ndryshuan, ata do të flinin më vonë se zakonisht dhe për pasojë do të zgjoheshin më vonë. Një sjellje e tillë shoqërohet me mungesë përqendrimi dhe mund të rrisë edhe peshën e një fëmije.Të gjitha këto efekte, ishin pjesërisht, pasojë e mbylljes së shkollave. Shkollat, jo vetëm që i japin një strukturë jetës së nxënësve, duke u dhënë atyre më pak kohë për telefon, duke ndarë oraret mes vakteve dhe duke i çuar në shtrat më herët, por ndihmojnë edhe prindërit në menaxhimin më të mirë të kohës. Gjithashtu, i detyrojnë fëmijët të lëvizin më shumë.

Në përgjithësi, sporti është një nga viktimat e pandemisë. Fëmijët që luajnë një sport kanë më pak gjasa të jenë obezë, të pinë duhan apo të marrin drogë, sipas një studimi nga Instituti Aspen, Washington. Ata kanë gjithashtu tendencë të marrin nota më të larta dhe të sigurojnë punë me paga më të mira në të ardhmen. Të gjitha këto shoqërohen me një shëndet më të mirë afatgjatë, por fatkeqësisht, interesi i fëmijëve për sportin është ulur pas pandemisë dhe vihet re një numër shumë më i vogël i regjistrimeve në kurse të ndryshme sportive, tani që izolimi përfundoi. Kjo edhe për arsye se prindërit mendojnë se fëmijët mund të infektohen në të tilla ambiente, pasi pandemia është ende në qarkullim.

Për shumë fëmijë, efektet e izolimit mund të zgjasin me vite.

Burimi: The Economist