Speca të skuqur, pjekur ose të mbushur, brusketi me speca apo pastë, janë propozime ideale për drekë familjare, kurse të gjithë adhuruesit e kësaj perime do të kënaqen me shijet pikante.

Speci është burim i shkëlqyer i vitaminës C – përmban deri në katër herë më shumë këtë lloj vitamini se, të themi portokalli. Speci i kuq përmban edhe beta-karoten dhe vitaminat B6 dhe A.

Kjo perime është e mirë për qarkullimin e gjakut, shtimin e apetitit, përmirëson tretjen, shikimin, dhe zvogëlon problemet te ateroskleroza. Në të vërtetë, speci përmban citrin, i cili kapilarët i bën më elastik. Gjithashtu, përmban edhe rreth 20 komponime nga grupi i karotenoideve, të cilët janë antioksidansë natyral dhe pengojnë krijimin e radikaleve të lira.

Me speca mund të bëhen gjella të ndryshme të shijshme, kurse më poshtë vijon me vetëm disa nga shumë reçeta.

1. “Lesho” hungarez

“Lesho” hungarez është gjellë e shijshme, përbërësit kryesorë të së cilës janë tre: speci, domatja dhe piperi. Lesho mund të shërbehet si shtesë, paragjellë apo gjellë kryesore. Është i ngjashëm me “gjuveçin” tonë. Specat e gjelbërt janë zgjedhja më e mirë. Përgatitja është e thjeshtë: në zjarr të qetë, pesë minuta e skuqni në tigan qepën në vaj. Shtoni piperin dhe e zieni edhe 15 minuta. Pastaj shtoni domatet, sheqer, kripë dhe specat, dhe të gjitha së bashku i zieni edhe gjysmë ore, duke e përzier kohë pas kohe, derisa masa të “trashet”.

2. Pastë me speca dhe ‘kungulleshka’

Nëse ju pëlqen pasta, kombinimi me speca dhe kungulleshka është propozim ideal për drekë. Përgatitja është shumë e thjeshtë: më parë preni specat në rriska. I hudhni në tigan në pak vaj ulliri, pastaj i kriposni sipas dëshirës dhe i leni të ziejnë për afro dhjetë minuta. Në ndërkohë preni kungulleshkat në katrorë të vegjël dhe i shtoni edhe ato në tigan të ziejnë derisa të zbuten. I zieni makaronat, i kulloni dhe i shtoni në tigan bashkë me perimet. Shtoni vezën të cilën e keni përgatitur më parë dhe djathin e bluar (në rende). Përzieni në zjarr të qetë disa minuta që djathi të shkrihet. Sipas dëshirës i shtoni parmezan.

3. Speca të pjekur

Për këtë ushqim të cilin mundë ta shërbeni si shtesë por edhe si specialitet i cili është edhe vetë i mjaftueshëm, vërtetë nuk duhet shkencë e madhe. Më së miri është kur përgatitet dhe shërbehet në enë prej dheu, kurse mënyrat e përgatitjes janë të pakufi. Ne po ju paraqesim tri të thjeshta por të lëngshme dhe të shijshme: Të spërkatur me piper të kuq (djegës apo jo djegës, sipas dëshirës), me ajkë kosi apo djathë të imët, si dhe në vaj me apo pa hudhër.

4. Brusketi me speca

Këto miniatura të larmishme mund të jenë të shkëlqyera për mëngjes, drekë, darkë ose ‘party’ koktej. Bukën “e gjatë” (baguette) e preni në feta (rriska) dhe i ngrohni në furrë, pastaj specat e freskëta, mundësisht me ngjyra të ndryshme, ullinjtë e gjelbërt dhe një thelb hudhër i skuqni shkurtë në pak gjalpë, duke patur kujdes që speci të mbetet krokant (‘kërc’). Me lëngun lyeni brusketat kurse specat dhe ullinjtë i vendosni mbi to. Çdo brusketë mundë ta dekoroni me një gjeth nenexhiku të freskët që i jep shije freskie.

5. Rrathë djathi me speca

Për këtë paragjellë të shijshme ju nevojitet shumë pak kohë. Si përbërës bëni gati djathin (‘kaçkavall’) të prerë në feta të holla, specat e freskët, disa vezë të ziera fort. Nëse është e mundur bleni djathë të tymosur, por shkëlqyeshëm mundë të shërbejnë edhe fetat e ndonjë djathi tjetër. Specat preni në shkopinj (rriska) dhe sipas dëshirës mund ti skuqni në vaj të nxehtë vetëm pak, të mos zbuten. Pastaj në fletën e djathit mbështillni spec dhe vezë të coptuar apo të grirë në rende. Mundë të përdorni imagjinatën dhe specit ti shtoni purri (praz), karota të freskëta apo gjithashtu lakër të grirë të freskët të spërkatur me ca pika lëng limoni. Kënaquni dhe tregohuni para mysafirëve të pa paralajmëruar.

6. Speca të mbushur

Propozim kalorik për drekën e së dielës në të cilën do të kënaqen e tërë familja, padyshim janë specat e mbushur me mish të bluar, në krye me salcë pikante. Më parë specat i lani dhe i pastroni. Pastaj i mbushni me përzierjen prej mishit të bluar, qepës, djathit të grirë (kaçkavall) në rende dhe një vezë, dhe shtoni erëzat – kripë dhe piper.

Qepën dhe domaten i fërgoni në tigan. Përzieni keçap, venë dhe katrorë lëng mishi (supe) dhe e lini të ziej. Lëngun e shpërndani rreth specave. E zieni rreth 35 minuta. Pas 25 minutave shtoni ajkën e qumështit (të ëmbël). Në fund specat i nxirrni nga lëngu dhe i servoni në pjata. Lëngut i shtoni kripë piper dhe sheqer dhe e shtrieni lëngun mbi speca. Kënaquni duke ngrënë me më të dashurit!

7. Ajvari

Ajvari është një domosdoshmëri në raftet e qilarit të çdo amvise. Metodat për përgatitjen janë të shumta, kurse ne do të përmendim vetëm një prej tyre. Pra, është e nevojshme që specat, patëllxhanin dhe domatet ti qëroni, bluani, të shtoni vaj dhe i leni të ziejnë në temperaturë mesatare. I përzieni herë pas here dhe pas gjysmë ore i shtoni akoma vaj. Kah fundi i zierjes, kur luga fillon të lenë gjurmët e para në fundin e enës, shtoni kripën dhe konzervans, vajin e mbetur dhe sheqer. Ajvarin e nxehtë e futni në kavanoza qelqi dhe i mbyllni mirë. Ajvarin mund ta hani me djathë, bukë misri dhe proshutë – nuk ka mëngjes më të mirë!

8. Speca të ‘mveshur’

Nëse ju pëlqejnë speca të mbushur dhe speca të pjekur, nuk mund të mos ju pëlqejnë edhe ato të ‘mveshur’ dhe skuqur. Përgatitja është e thjeshtë – specat piqen, hiqet lëvozhga, pastrohen, i shtohet kripë dhe lihen pak të qëndrojnë. Çdo spec (mishtorë) e rrokullisni në miell, pastaj në vezë dhe e skuqni në vaj të nxehtë (yndyrë) deri sa të marrë ngjyrë të artë. Sipas dëshirës, specat para se ti rrokullisni në miell dhe vezë, mundë ti mbushni me djathë, ose me ajkë, etj. Propozimi ynë është që në djathë të shtoni pak borzilok apo fara susami.

9. ‘Hell’ me speca

Edhe nëse vedosni për variantin vegjetarian apo atë me mish, ‘helli’ është më i mirë dhe i shijshëm me speca. Helli vegjetarian mundë të bëhet me perime të ndryshme – misër, brokoli, këpurdha, kungull, patate apo qepë, speci është ai përbërës magjik që atyre ju jep ëmbëlsi dhe i bën më të lëngshëm.

Për hellin me mish, zgjedhni mishin e pulës, mushkëri pule, apo mish qinjgji, por patjetër e larmoni me copëza speci. Mishi do të ketë shije shumë më të lëngshme, kurse shkopinjtë do të duken më dekorativ dhe më ekzotik. E njejta vlenë edhe për hellin me peshk apo fruta deti.

10. Pite me speca

Speci përveç si përbërës kryesor i ushqimeve, mund të bëhet ushqim shumë i fortë dekorativ, posaçërisht nëse i kombinoni specin e gjelbërt dhe atë të kuq. Me pak imagjinatë, edhe pitën më të thjeshtë apo ‘picën’ mund ta zbukuroni me këtë perime. Jo vetëm që do të pasurojë pamjen e çdo ushqimi, por do të kontribuojë në shijen dhe aromën më pikante.

kosovarja.ch