7.5 C
Priština
More

    Lufta rreth ushqimeve tek fëmijët

    spot_imgspot_img

    Shumë prindër ‘heqin të zitë e ullirit’ me ushqimin e fëmijëve të tyre. Për çdo vakt bëhet luftë rreth ushqimeve që janë në disponim, kurse fëmija i refuzon vazhdimisht. Arsyeja qëndron në mënyrën se si i qaset ushqimit dhe si inkurajohet fëmija për të ngrënë.

    Megjithatë, ka shumë mënyra për të përmirësuar të ushqyerit dhe të ndalohet kjo luftë. Por, që kjo të jetë e suksesshme duhet para së gjithash të ndërpritet dhënia e ëmbëlsirave, ‘cikërrimave (snacks)’, pjekurinave dhe të ngjashme para ngrënies. Pasi të mbushë barkun me ‘cikërrimat’ e preferuara, fëmija arrin në përfundimin se vaktet e vërteta nuk janë aq të rëndësishme sepse po të ishin, prindërit nuk do t’i jepnin para se të ushqehet.

    Gjithashtu, për shembull, nxitja që të hajë vetëm edhe një kafshatë më shumë spinaq në fakt te fëmija shkakton edhe më shumë neveri. Nuk duhet të harrojmë edhe faktin se fëmijët kurrë nuk tejngopen, që për fat të keq shpesh nuk është rasti te të rriturit. Nëse fëmija nuk dëshiron ta hajë atë që ka mbetë ende në pjatë, do të thotë se është i ngopur. Duke e sforcuar që ta përfundojë ushqimin, edhe pse ka thënë se nuk mundet më, vetëm i bëhet me dije se nuk mund ai vetë të përcaktojë se kur mjafton, por që këtë shumë më mirë e din dikush tjetër.

    Gjithashtu duhet të shmanget, edhe detyrimi i fëmijës për të ngrënë diçka. Ai fillon ta përjetojë të ushqyerit si një luftë mbi autoritetin, ku shpesh ai fiton për shkak se prindërit bëjnë lëshime vetëm e vetëm për të ngrënë sado pak ushqim. Pra, në fund kemi një fëmijë i cili ha vetëm sallamë dhe patate të skuqura.

    Duhet të jemi të kujdesshëm edhe me pirjen e lëngjeve gjatë ngrënies. Ato e ngopin fëmijën, ashtuqë ai nuk mund ta hajë atë që është në pjatë. Në këtë mënyrë i bëhet me dije fëmijës se ai mund të ngopet me ç’kado.

    Gjithashtu duhet shmangur gatimin që ai dëshiron, kur dreka tashmë është gati dhe e shërbyer. Në këtë mënyrë fëmija e sheh se nëse insiston mjaftueshëm, do të marrë atë që dëshiron të hajë. Pikërisht për këtë arsye, së shpejti çdo vakt kthehet në një luftë.

    Ajo që me çdo kusht duhet të shmanget është përmbushja e kërkesës së fëmijës për ushqim (zakonisht pasta, sanduiçe, ëmbëlsira, kek), pasi që nuk e ka ngrënë vaktin. Zakonisht këtë e bëjnë gjyshet nga frika se mos ngelet i uritur. Për fat të keq mesazhi pas kësaj qëndron në atë se nuk ka nevojë të hajë atë që po gatuhet, sepse pastaj gjithmonë ka, sipas mendimit të tij, diçka më mirë.

    Problem krijojnë edhe ëmbëlsirat. Përveç të qenit plotë me sheqer dhe nxisin për më tepër, problemi është se hahen pas shujtës. Në këtë mënyrë fëmija merr mesazhin se kur është i ngopur nuk do të thotë që duhet të ndalojë të hajë, përkundrazi, tani vjen ajo që ai e do më së shumti. Prandaj, do të përpiqet në çdo mënyrë të mundshme të shmang vaktin e vërtetë në mënyrë që të mbetet më tepër hapësirë për ëmbëlsirën.

    Koha e ngrënies, për fëmijën është gjithashtu koha për argëtim dhe lojë. Kurse për ta shmangur frikën se do të mbetet i uritur, është mirë që si vakt t’i ofrohet diçka që jeni i sigurt se do ta hajë. Ushqimet le të jenë tërheqëse dhe në sasi të vogla. Bizelet le të paraqesin sytë e dikujt, spinaqi flokët e dikujt, kurse karrota dhëmbët qesharake. Pak nga pak dhe me mjaft durim dhe këmbëngulje të prindërve, do të ndalet lufta në lidhje me ushqimin./kosovarja.ch/

    Shpërndaje postimin:

    spot_imgspot_img

    Të popullarizuara

    spot_imgspot_img

    Artikuj të ngjajshëm
    Artikuj të ngjajshëm

    Pushimet shijojnë më shumë me Prime Travel

    Ndërsa ditët e diellit të gushtit i lënë butësisht...

    Dëshironi të vraponi më shpejt, ndiqni këto tri këshilla

    Të gjithë e kemi dëgjuar frazën se duke e...

    Dëgjoni këto këngë për seks të ngadaltë dhe sensual

    Muzika mund të ndikojë në dëshirën tonë seksuale. Kështu...

    Çfarë është shtatzënia ektopike?

    Një shtatzëni ektopike mund të jetë një ngjarje shkatërruese...