Payless, një dyqan këpucësh me çmime të lira në Amerikë, vendosën të hapin një butik të ri e ta quajnë Palessi (si një kod për Pay-less-i, emri i dyqanit të vërtetë). Palessi do të kishte të njëjtat këpucë, por tashmë të vendosura në një ambient luksoz me skulptura avantgarde e detaje të tjera.
Dyqani i ri u marketua si një brand këpucësh luksoze e kështu këpucët që tek Payless do të kushtonin $19,99, tek Palessi morën vlerën $600. Kjo rritje e çmimeve me 1800% duket çmenduri, por çmenduria e vërtetë janë njerëzit, të cilët paguan aq para për to, pa asnjë grimcë dyshimi.
Në inagurimin e tij, influencers dhe bloggerë të ndryshëm, stilistë e njerëz të modës u shprehën se Palessi po e çonte lojën në një nivel tjetër. Dikush tha se këpucët ishin elegante e të sofistikuara.
Të tjerë flisnin se sa cilësor ishte dizajni dhe detajet e këpucëve. Njëra prej vajzave madje tha se do t’i vishte në një mbrëmje Met Gala. Të ftuarit vendosën të blinin e të paguanin për këpucët nga 200$ deri në 600$.
Në fund, të gjithëve ju tregua “eksperimenti” dhe këpucët që kishin vendosur të blinin, ju dhuruan nga Payless.
Nëpërmjet kësaj videoje që tashmë numëron mbi 4 milion klikime, Payless, çoi në një nivel tjetër marketingun e firmave të thjeshta ,por njëkohësisht na tregoi se jo çdo produkt a shërbim ka vlerën për të cilën shitet e marketohet në treg.
Cilësia nuk është domosdoshmërisht e kushtueshme. Prandaj, qoftë brand ose jo, duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm e të përpiqemi të bëjmë blerje të zgjuara. Kërkoni gjithmonë disa opsione të të njëjtit produkt, kontrolloni reviews, pyesni (word-of-mouth) dhe në fund blini opsionin më të mirë për ju.