1. Çfarë është ovulacioni
Ditë e parë e ciklit menstrual, dita kur fillojnë të përgatiten vezoret, është dita e parë e menstruacioneve. Dita e ovulacionit është momenti kur del veza. Veza e prodhuar hyn në tuba. Atje mund të fekondohet nga spermatozoidet.

2. Kur mund te mbetesh shtatzënë
Kjo varet nga faktorë të ndryshëm:
– nga kohëzgjatja e jetës së spermatozoideve
– nga ajo e vezës
– nga periudha e ovulacionit
Spermatozoidet jetojnë në qafën e mitrës për 3-5 ditë. Kurse jetëgjatësia e vezës shkon 12-24 ore. Prandaj periudha pjellore llogaritet nga 4 ditë para ovulacionit deri në 24 orë pas tij.

3. Si ta kuptosh se je në fazën e duhur
Disa shenja tregojnë se po ndodh ovulacioni. Por shumë femra nuk shfaqin asnjë nga këto shenja:
– Dhimbje të gjoksit
– Dhimbje të barkut, nga ana e vezores që është në ovulim.
– Dëshira seksuale është më e fortë.
– Sekrecionet vaginale janë më të holla dhe më të shumta.

4. Si ta dallosh ditën e ovulacionit
Ka metoda të ndryshme për të dalluar ditën e ovulacionit, pra momentin kur mund të mbetesh shtatzënë. Një prej tyre është dhe grafiku i temperaturës, që realizohet duke matur temperaturën çdo mëngjes. Mjeku muaj gjinekolog mund t’u ndihmojë ta realizoni. Megjithatë, për të përdorur këtë lloj metode, duhet të kesh një cikël menstrual të rregullt.

5. Kalendari i pjellorisë
Gjatë një cikli normal 28 ditor, zakonisht ovulacioni ndodh diku nga dita e 14-të. Por një grua mund të ketë një cikël më të shkurtër apo më të gjatë. Për shembull nëse cikli është 24 ditësh, ovulacioni ndodh të ditën e dhjetë. Faktorë të ndryshëm mund ta ndryshojnë ditën e ovulacionit, pra na duhet ta zgjerojmë llogaritjen dhe të mendojmë si periudhë pjellore atë nga dita e njëmbëdhjetë deri të tetëmbëdhjetë të ciklit.

6. Si ndodh fekondimi?
Kur një spermatozoid arrin të hyjë në kontakt me vezën, ndodh fekondimi. Veza e fekonduar arrin në mitër për 3 – 4 ditë dhe aty zhvillohet embrioni.

7. A mund të bëj fëmijë?
Pjelloria varet nga faktorë të ndryshëm:
– Mosha – pjelloria është maksimale rreth moshës 20-25 vjeç. Fillon të ulet dalëngadalë duke filluar nga mosha 26 vjeç dhe shumë më tepër rreth të 38-tave. E megjithatë sipas mjekëve kjo ndryshon nga njëra grua tek tjetra: disa janë ende pjellore edhe kur shkojnë 45 vjeç, të tjera akoma nuk janë as 38
– Pesha – Anoreksia është një nga shkaqet e sterilitetit. Por kilet e tepërta apo ndryshimet e herëpashershme në peshë, mund të provokojnë edhe ndryshime në ovulacion.
– Çështje të higjienës – Duhani dhe alkooli provokojnë çrregullime në ovulacion. Gjithashtu ndikojnë negativisht dhe në prodhimin e spermatozoideve
– Stresi – gjendja e stresuar mund edhe ta bllokojë ovulacionin. Në fakt vezoret komandohen nga hipofiza, e cila lidhet drejtpërdrejtë me sistemin nervor.
8. A mund të ndodhë ovulacioni kur nuk ke menstruacione?
Jo. Mungesa e menstruacioneve tregon që nuk ka pasur ovulacion. Në fakt menstruacionet janë humbja e gjakut dhe e sekrecioneve që vijnë nga mitra dhe ndodhin kur veza nuk është fekonduar.

9. Si ta stimulosh ovulacionin?
Dihet që në 30% të rasteve, steriliteti tek femrat ka të bëjë me problemet që lidhen me ovulacionin. Në këto raste mund të përdoren ilaçe që e përmirësojnë ovulacionin. Por kujdes, ato shtojnë mundësinë e shtatzënive me binjakë.
Gjinekologu në këtë rast ekzaminon rregullsinë e ciklit dhe ovulacionit, por edhe shpeshtësinë e raporteve seksuale dhe vetëm nëse është e nevojshme do japë mjekimin e nevojshëm.

10. A ndodh ovulacioni nëse pi kontraceptivë?
Jo, Pilula shërben pikërisht që të ndalojë ovulacionin. Kujdes: nëse harron të pish pilulën, sidomos në fillim të ciklit, ovulacioni mund të ndodhë pak ditë më pas. Në këtë rast, përpiqu të jesh e kujdesshme dhe shoqëroje pilulën me një tjetër metodë kontraceptive.

11. Si të bësh bashkë ovulacionin me dëshirën për të bërë fëmijë?
„Duam të kemi në fëmijë, po e provojmë prej disa muajsh, por ende nuk po arrij të mbetem shtatzënë… kam ndonjë problem?” Përpara një pyetjeje të tillë, mjekët kanë një shpjegim të përbashkët për të gjithë: nëse përpara se të mbushësh 35 vjeç, nuk mbetesh shtatzënë brenda një viti, atëherë mos u shqetëso fare, është diçka më se normale. Çiftet e reja, edhe nëse nuk kanë as edhe një problem fizik, kanë 1 mundësi në 6 që më mbesin shtatzënë në çdo cikël. Pas të tridhjetepestave, pjelloria ulet dhe nëse nuk mbetesh shtatzënë brenda pak muajsh, nuk duhet humbur kohë pr duhet shkuar tek gjinekologu.
Në çdo rast, sa më të rregullta të jenë raportet seksuale, aq më shumë rritet mundësia për të mbetur sa më shpejt shtatzënë. Sipas mjekëve, duhen së paku sy marrëdhënie në javë për të mos e humbur periudhën e pjellorisë. Mendojeni mirë përpara se t’i drejtoheni ndonjë specialisti dhe të “mjekoni” seksualitetin dhe dëshirën për të pasur fëmijë.

12. Ndërpret kontraceptivët. Kur ndodh ovulacioni?
Rifillimi i ovulacionit pasi lihet përdorimi i pilulës, ndryshon nga njëra grua tek tjetra dhe shkon nga 14 ditë deri në disa javë. Ajo që mund të thuhet me siguri, është se edhe nëse ke pirë pilulën për tre muaj, edhe nëse 10 vjet, kjo nuk ndikon në fillimin e ovulacionit. Kur ovulacioni rifillon, fekondimi ndodh normalisht.

13. I jap gji fëmijës. A mund të mbetem shtatzënë?
Ndryshe nga sa mendohet, ushqimi i fëmijës me gji nuk të mbron nga një shtatzëni e mundshme. Në këtë mënyrë, shumë femra mbeten serish shtatzënë duke menduar se nuk ka asnjë rrezik për sa kohë kanë fëmijën në gji. Mjeku mund të të sugjerojë një metodë kontraceptive që pas javës së katërt pas lindjes. Mos pi pilulat që përdoren zakonisht: ekzistojnë disa lloje të tjera, me doza më të vogla hormonesh, që janë më të përshtatshme për ato që kanë fëmijë në gji.