11.3 C
Priština
More

    Lindja pa dhembje. Anestezia epidurale dhe pasojat e saj

    spot_imgspot_img

    Anestezia epidurale është metoda më e mirë për të lehtësuar dhimbjen gjatë lindjes dhe femrat e preferojnë më shumë se çdo teknikë tjetër anestezike. Në momentin që përgatiteni për lindje është e nevojshme që të dini të gjitha mënyrat e lehtësimit të dhimbjes së lindjes, në mënyrë të tillë, që të merrni vendimin më të mirë për ju dhe fëmijën tuaj.

    Shkruan: Dr. Elton Peçi, Spitali Amerikan (Kjo temë është marrë nga revista „VITAL“, e Spitalit Amerikan)

    Anestezia epidurale është një anestezi lokale, që e bllokon dhimbjen në një pjesë të veçantë të trupit. Qëllimi i saj është të sigurojë analgjezi (mungesë dhimbje), në ndryshim nga anestezia totale, ku ndjeshmëria është e frenuar në të gjithë trupin. Anestezia epidurale bllokon impulse nervore në

    segmentet e poshtme të palcës së kurrizit (medulla spinale), duke dhënë një ulje të ndjeshmërisë nga mesi e poshtë. Në këtë mënyrë, lehtësimi prej dhimbjes arrihet me doza minimale. Këto medikamente mund të përdoren në kombinim me adrenalinën, morfinën, klonidinë me qëllim zgjatjen e efektit anestetik ose për të stabilizuar tension arterial të nënës.

    Anestezia epidurale nuk mund të praktikohet në përdorimin e gjatë të holluesve të gjakut, në gjendje shoku, ose në një infeksion në shpinë apo infeksion në gjak. Ajo nuk mund të përdoret as kur mjeku nuk e lokalizon dot hapësirën epidurale, si dhe në një lindje të shpejtë që s’na jep mundësinë për përdorim të medikamentit.

    Procedura

    Përpara se të fillohet me procedurën e anestezisë epidurale dhe më pas lindjen, i jepet nënës 1-2 L likide, për të evituar hipotensionin. Një anestezist, një obstetrolog ose një ndihmës mjek mund ta realizojë anestezinë epidurale. Për të rritur efektin e anestezisë dhe evituar problemet e mundshme, që mund të hasen duhet të harkohet shpina para dhe të qëndrohet ulur ose shtrirë majtas.

    Fillimisht dizinfektohet gjysma e shpinës dhe vendi ku do të bëhet shpimi, me qëllim evitimin e infeksioneve. Më pas injektohet një anestetik lokal në një zonë të vogël të shpinës me qëllim mpirjen, në vazhdim shpohet me një age në zonën e zgjedhur, e cila kufizon palcën e kurrizit në pjesën e poshtme të shpinës. Një tub i vogël ose kateter kalohet nëpërmjet ages në hapësirën epidurale, më pas agia hiqet ngadalë duke e lënë kateterin në mënyrë që të jepen medikamentet falë injeksioneve të herëpashershme (periodike).Kateteri fiksohet në shpinë me qëllim kufizimin e lëvizjeve dhe zhvendosjen e tij.

    Aktualisht përdoren 2 tipe anestezi epidurale: anestezi epidurale e rregullt dhe anestezi spinale-epidurale e kombinuar.

    Avantazhet

    Përdorimi i anestezisë epidurale lejon një lehtësim të madh kur lindja është e tejzgjatur. Lehtësimi i dhimbjes së lindjes mund ta ndihmojë femrën ta kujtojë si një eksperiencë më pak traumatike. Në pjesën më të madhe anestezia epidurale ju lejon të jeni të kthjellët dhe të merrni pjesë aktivisht gjatë lindjes. N.q.s. kryeni një lindje cezariane, anestezia epidurale do t’ju lejojë të rimerrni veten shpejt gjatë rikuperimit. Kur teknikat e tjera nuk funksionojnë, anestezia epidurale mund të jetë ajo që ju nevojitet kundër lodhjes dhe acarimit.

    Anestezia epidurale mund t’ju ndihmojë të çlodheni dhe të mund ta përballoni lindjen duke marrë pjesë aktivisht në të. Përdorimi i anestezisë epidurale gjatë lindjes vjen vazhdimisht duke u perfeksionuar dhe pjesa më e madhe e suksesit të saj varet nga kura e përdorur

    Disavantazhet

    Anastezia epidurale mund të shkaktojë një rënie të tensionit arterial, për këtë arsye tensioni duhet të mbahet nën kontroll me matje të vazhdueshme që të sigurohemi që fluksi i gjakut është i mjaftueshëm dhe për bebin. Në këtë rast mund të lindë nevoja të trajtoheni me lëngje intravenoze, medikamente dhe oksigjen. Mund të shkaktohet dhimbje koke nga dalja e likuidit spinal, megjithëse ky efekt anësor i epidurales haset në më pak se 1% të grave. Pasi të kryhet epiduralja, duhet të qëndroni shtrirë sa nga njëra anë në tjetrën duke i kombinuar, me qëllim të keni nën kontroll ndryshimet e rrahjeve të zemrës së bebit. Të qëndroni shtrirë vetëm në njërën anë, rrezikoni të ngadalësoni lindjen ose ta frenoni atë. Mund të vërehen dhe efekte të tjera anësore si: zhurmë në vesh, dhimbje në shpinë, dhimbje kur shpojmë me age, nauze ose vështirësi në urinim. Disa orë pas lindjes mund të ndiheni e mpirë nga mesi e poshtë dhe do të keni nevojë për ndihmë për të ecur. Por ka dhe raste të rralla, ku mund të kemi një dëmtim të nervit të prekur në zonën ku është vendosur kateteri.

    Nisur nga shqetësimet dhe pyetjet e shumë pacientëve pranë Spitalit Amerikan, ja disa përgjigje si më poshtë:

    Lidhja e kateterit epidural provokon dhimbje: Kjo varet nga ndjeshmëria e çdo gruaje, disa shprehen se provokon pak ndjesi bezdisjeje në zonën e mpirë, për të ndjerë më pas, pak presion në çastin kur kateteri hiqet.

    Kur duhet të bëjmë anestezinë epidurale: Përgjithësisht kur kemi një zgjerim të qafës së mitrës prej 4-5 cm gjatë lindjes

    Në ç’mënyrë epiduralja ndikon në lindje: Epiduralja mund ta ngadalësojë lindjen dhe ti bëjë kontraksionet më të dobëta. Në të tilla raste, jepet medikament për të përshpejtuar lindjen.

    Në ç’mënyrë epiduralja mund të ndikojë tek fëmija: Nuk ka të dhëna konkrete për ndikimin e anestezisë epidurale tek fëmija, por në disa raste është vënë re që fetusi nën anestezi merr një pozicion jo të favorshëm për lindje, ndërkohë që fëmija mund të ketë vështirësi në ushqyerjen me gji etj.

    Si do të ndihemi pas epidurales: Nervat e mitrës duhet të mpihen pak minuta pas dozës fillestare të anestezisë, ky efekt është i plotë pas 10-20 min. Sapo efekti i anestetisë ulet, duhet shtuar doza e tij zakonisht 1-2 orë. Nëse lindja zgjat duhet të bëjmë kateterizim urinar.

    Do të jem në gjendje të shtyj: Për shkak të anestezisë tuaj epidurale, ju mund të mos ndjeni kontraksionet, kështu që është e vështirë të përcaktoni kur dhe sa duhet të shtyni, për këtë arsye gjatë lindjes nevojiten ndihma të jashtme.

    A funksionon gjithmonë epiduralja: Në shumicën e rasteve epiduralja është efikase në lehtësimin e dhimbjes gjatë lindjes, por gjithsesi ka gra që shprehen se vazhdojnë të ndjejnë dhimbje apo që efekti i anestezisë është më i mirë në njërën anë se sa në tjetrën./gruaja-sod.com/

    Shpërndaje postimin:

    spot_imgspot_img

    Të popullarizuara

    spot_imgspot_img

    Artikuj të ngjajshëm
    Artikuj të ngjajshëm

    Pushimet shijojnë më shumë me Prime Travel

    Ndërsa ditët e diellit të gushtit i lënë butësisht...

    Dëshironi të vraponi më shpejt, ndiqni këto tri këshilla

    Të gjithë e kemi dëgjuar frazën se duke e...

    Dëgjoni këto këngë për seks të ngadaltë dhe sensual

    Muzika mund të ndikojë në dëshirën tonë seksuale. Kështu...

    Çfarë është shtatzënia ektopike?

    Një shtatzëni ektopike mund të jetë një ngjarje shkatërruese...