Dieta që zgjat tri ditë përfshin konsumimin e sasive të mëdha të tonit dhe perimeve

Dieta treditore garanton humbjen e 4 – 5 ose më shumë kilogram në vetëm tre ditë me konsumimin e sasive të mëdha të tonit dhe perimeve. Nëse mendoni të përdorni dietën treditore, kujdes mbi rreziqet që bartë kjo dietë afatshkurtër dhe kalori të pakta.

Kurthet e dobësimit të shpejtë

Dieta treditore nuk është e standardizuar, kështu që secili prej autorëve të shumtë që e rekomandojnë me këtë emër nënkupton diçka tjetër. Gjithashtu, shumë autorë pohojnë se ata e kanë zbuluar dietën treditore dhe se vetëm ajo e tyre është e vërteta. Por, bëhet fjalë për emërtim që përfshin një shumëllojshmëri të gjërë të regjimit të ushqimit. Variantet e para të dietës treditore u krijuan në fund të viteve tetëdhjetë, dhe quheshin dietë ushtarake, dietë marinarësh, dieta e klinikës Cleveland ose thjesht – dietë treditore. E përbashkët është vetëm kohëzgjatja treditore dhe premtimi i humbjes së 4 deri në 5 ose më shumë kilogram në tre ditë. Shumica e varieteteve përfshijnë konsumimin e sasive të mëdha të tonit dhe perimeve si dhe akullores në mbrëmje, me pirjen e të paktën katër gotave ujë.

Menuja:

Varianti më i përhapur i dietës treditore propozon menynë e mëposhtme:

Dita e parë

Mëngjesi: gjysmë grejpfrut, një fetë tosti, dy lugë gjalpë kikirikësh dhe kafe ose çaj (mendohet për çaj të vërtetë me kafeinë)

Dreka: gjysmë filxhani ton, një fetë tosti, kafe ose çaj

Darka: 100g e cilitdo lloj mishi, një filxhan fasule të gjelbër, gjysmë banane, një mollë e vogël dhe një filxhan akullore vanilje

Dita e dytë

Mëngjesi: një vezë, një fetë bukë dhe gjysmë banane

Dreka: një tas djathë të freskët (gjizë) ose një fetë djathi të fortë, një vezë të zier fort dhe pesë biskota të kripura

Darka: dy ‘hot dog’, një tas brokoli, gjysmë tasi karrota, gjysmë banane dhe gjysmë tasi akullore vanilje

Dita e tretë

Mëngjesi: pesë biskota të kripura, një fetë e djathit të fortë dhe një mollë të vogël

Dreka: një vezë e zier fort dhe një fetë tost

Darka: një tas ton, gjysmë banane dhe një tas akullore vanilje

Përshpejtimi i metabolizmit

Në disa variante portokalli rekomandohet në vend të grejpfrutit, kurse gjiza në vend të tonit. Disa autorë propozojnë ushqime më të pasura dhe lejojnë limon, kripë, piper, uthull, erëza bimore, salcë soje dhe ketchup. Të gjithë bien dakord në një gjë, dhe kjo është se ndalohen ushqimet që përmbajnë yndyrë. Gjithashtu, të gjithë autorët paralajmërojnë se rezultatet e dëshiruara janë të mundshme vetëm nëse dieta kryhet në mënyrë rigoroze sipas udhëzimeve. Disa variante të dietës treditore këshillojnë përsëritjen pas disa ditëve të të ushqyerit të zakonshëm. Intervali mes dy regjimeve sipas disa autorëve duhet të zgjasë vetëm dy ditë, kurse sipas të tjerëve katër apo pesë ditë.

Parimi me të cilin dieta sjell rezultate bazohet në konsum të reduktuar të kalorive dhe metabolizmin e përshpejtuar që i djeg sasitë e shtuara të yndyrës. Edhe pse humbja e shumë kilogramëve gjatë regjimit të përshkruar të të ushqyerit është shumë e mundshme, asnjë variant i dietës treditore nuk është i balancuar dhe i sigurt për shëndetin. Shumica e varianteve të dietës treditore propozojnë 1.000 kalori, ndërsa versionet ekstreme lejojnë vetëm 700 kalori. Një autor këshillon që ditën e parë të konsumohet vetëm ujë, ditën e dytë vetëm fruta dhe lëngje frutash, dhe ditën e tretë vetëm perime dhe lëngje perimesh.

Rreziqet e dietës treditore

Dieta e cila kufizon rreptësisht kaloritë dhe shumëllojshmërinë e ushqimit sjell shumë rreziqe. Organizmit i duhen gjëra ushqimore që përmbajnë të gjithë përbërësit kryesorë të ushqimit – yndyrë, karbohidrate dhe proteina. Çdo dietë që përmban 800 apo më pak kalori bën pjesë në dietat me kalori shumë të ulëta, të cilat kërcënojnë me efekte të shumta negative. Mes tyre përfshihen gurët e tëmthit, çrregullime të enëve të gjakut dhe mangësia e vitaminave dhe mineraleve. Mbi të gjitha, konsumimi i tillë i ulët i kalorive pas tri ditësh shpesh nxitë tejngopjen.

Edhe pse humbja e shpejtë e peshës mund të duket tërheqëse, dieta radikale dhe shpejtëvepruese shkakton më shumë dëm se sa dobi. Kërkesat e përditshme të kalorive dhe ushqyesve ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga personi në person në varësi të moshës, gjinisë, peshës dhe faktorëve të tjerë. Nëse planifikoni fillimin e dietës më parë konsultohuni me mjekun.

Komenti i specialistit

“Vet emri ‚Dieta treditore‘ zbulon se bëhet fjalë për zgjidhje afatshkurte që nuk ndryshon zakonet e të ushqyerit dhe nuk sjell një program të strukturuar për dobësim i nevojshëm për humbjen kualitative të kilogramëve. Vetë dieta energjikisht është shumë kufizuese dhe premton humbje peshe relativisht të shpejtë në një periudhë të shkurtër që përfshin rrezikun e ngadalësimit të metabolizmit dhe si pasojë rikthimin e kilogramëve pas përfundimit të dietës. Dieta në thelb është me nivel të lartë proteinash – me fjalë të tjera e paekuilibruar. Propozon pa bazë shmangjen e yndyrnave që nuk ka bazë dhe nuk mund të rekomandohet për shkak se yndyrnat kanë shumë rol të rëndësishëm në organizëm dhe formojnë një pjesë të domosdoshme të të ushqyerit të duhur. Avantazhi i vetëm i këtij regjimi ushqimor është se është afatshkurtër, ashtuqë deficitet e vitaminave dhe mineraleve nuk janë reale, por situata ndryshon nëse personi vendos për disa intervale treditore”, shpjegon magjistrja e nutricionizmit Sandra Krstev Barac.

kosovarja.ch