Donald Kokona, personazhi i “Taulanti kerkon nje moter”

9 September 2011 -  Vipat Shqiptare - Showbiz - 1,648 shikime

Kush është më shumë se 20 vjeç nuk mund të mos e kujtojë personazhin e filmit “Taulanti kërkon një motër”. Ka të njëjtat tipare, të njëjtën qeshje, sy, por nuk është Taulanti por Donaldi. Nuk mban të veshura paliçeta të verdha po këmishë e xhinse. Ai quhet Donald Kokona, sot arkitekt. Katër vjeç e gjysmë u përzgjodh nga regjisorja Xhanfize Keko për të qenë pjesë e atij filmi për fëmijë.

Dy ishin karakteristikat bazë që kërkonte Keko: flokët si “tas” dhe të ishte brunë. Flokë “tas” dhe brunë në atë kohë mund të gjeje shumë, por një aktor të vogël që të kishte atë kiminë që i duhej filmit…vështirë!. Të gjithë janë “dashuruar” në atë periudhë me pamjen dhe mënyrën e tij të të folurit aq sa, sot vazhdojnë ta thërrasin Taulant, gjë që nuk i pëlqen dhe aq. I duket sikur “Taulanti” i ka vjedhur një pjesë të identitetit.

Donaldi kujton me nostalgji momentet e xhirimeve, tekat prej fëmije, edhe pse në ato momente nuk e kuptonte se po bëhej pjesë e një filmi dhe se do ishte fëmija “Vip” i kohës. “Kam qenë i llastuar e kam jetuar një fëmijëri të lumtur”, thotë. Për të, ato janë vite që nuk përsëriten Donaldi, sot na tregon për Taulantin dhe për veten.

Donald, tani që kanë kaluar vit nga filmat tuaj… ju mbajnë mend njerëzit?
Jo menjëherë. Gjithmonë fillon nga fjalia: Ku të kam parë unë ty! Pastaj nisin e kujtohen. Normalisht sytë te njerëzit nuk ndryshojnë, tiparet i kam ende si kur isha fëmijë…

Pse ju përzgjodhën, ju kujtohet?
Në fakt kam qenë shumë i vogël, vetëm 4 vjeç e gjysmë dhe nga momenti i përzgjedhjes më kujtohen vetëm fragmente. Zgjedhja ishte shumë rastësore, siç bëhen sot audicionet, merrnin një fëmijë, e bënin të thoshte një vjershë, e dëgjonin, e shikonin dhe më pas bënin përzgjedhjen që u duhej. Më kujtohet furgoni që vinte dhe merrte fëmijë në kopshte. Regjisorja e kishte të qartë idenë, donte një fëmijë brun, me flokët si “tas” dhe një vajzë me sy bojë-qielli. Më përzgjodhën për këto karakteristika. Fillova të shkoj në Kinostudio e as prindërit e mi nuk e dinin që unë kisha filluar të xhiroja një film. Atëherë kishin shumë besim te shteti. Edhe kur ta merrte fëmijën me furgon… vonë ua thanë që djali po bënte një film. E kam kuptuar që isha protagonist pasi u zgjodha, dhe shihja vërdallë që kisha të rritur që më rrethonin. Aty fillova të llastohesha. Kur të vijnë të gjithë pas fillit, vetvetiu llastohesh. Zërin e kisha të ngjirur, regjisorja më detyronte që çdo mëngjes të haja një të verdhë veze të gjallë. Pastaj m’u rregullua zëri më mbrapa, sa që më vonë kam bërë shumë dublime. Te filmi i para kam pasur shumë teka, pastaj më vonë nuk bëja më, bënin të tjerët që ishin më të pa-mësuar.

Ju ishit i ndërgjegjshme që po luanit një film?
Unë e dija që isha fals dhe duhet të aktroja. Po kjo varet nga aftësia e regjisorit, ai duhet ta bëjë fëmijën të jap maksimumin brenda botës së vetë.

Qaje në të vërtetë?
Jo, nuk kam qarë prej vërteti, madje ky ka qenë problemi im edhe në filmat e më vonshëm pasi nuk dija të qaja. Në një film më vonë arrita të qaja, isha dhjetë vjeç, atëherë thashë, “Po, bëkam këtë punë”!. Më kujtohet që tek “Taulanti kërkon një motër” Yllka (Mujo) më ka gjuajtur me shpullë për të më bërë të qaja.

Ju i shikoni filmat tuaj?
Jo. Ishte një kohë që nuk e shikoja fare, madje për vite të tëra nuk i shihja. Si duket kur je në adoleshencë ke inat të të identifikojnë me të voglin. Nuk do që të thonë; Ja ai çuni i vogël! Ndërsa kur je i madh nuk ka problem. E kisha me siklet ta shihja me të tjerë. Ndërsa vetëm po, e shikoja.

Po ç’të keqe kishte, ju keni qenë një fëmijë simpatik…
Unë dua të kenë simpati për mua si Donaldin jo për mua fëmijë (qesh). E kam bezdi kur më thonë; hë ma thuaj njëherë këtë batutë si në film. Është e bezdisshme. Bezdisje është fjala më e butë që mund të thuhet.

Ishit fëmijë me teka?
“Taulanti…” ishte filmi i parë, ku e them me bindje që regjisorja është lodhur me mua. Ndërsa më pas, në filmin e dytë e të tretë regjisori e kishte të thjeshtë pasi unë isha më i bindur, isha mësuar.

Cilat ishin filmat pas Taulantit…?
Filmi i dytë ishte “Të mos heshtësh”, me Matilda Makoçin e Ndriçim Xhepën. I treti ishte, “Vitet e pritjes”, ky ka qenë film ku unë kam qarë në të vërtetë. I fundit ishte “Shpella e Piratëve” në vitet 90’, film shumë i bukur.

Përveç të xhiruarit të filmave, jeta e fëmijëve aktorë ka qenë “film” më vete apo jo?
Po është e vërtetë. Përveç filmit, jeta në Kinostudio ka qenë shumë e bukur. Ne rrinim dy muaj në Himarë, pesë fëmijë në të njëjtën kohë… Jeta jashtë filmit ka qenë një tjetër “film”, për mua më i bukur. E jo vetë për fëmijët, por edhe për të rriturit që ishin pjesë e stafeve.

Po tani, keni kontakte me fëmijët e tjerë, aktorë, të asaj kohe?
Me një pjesë, po. Nuk kam kontakte vetëm me ata që kanë ikur në emigrim.

Duhet të ta kenë bërë shumë këtë pyetje. Pse nuk u bëtë aktor?
Nuk dua të merret si mendjemadhësi, por kisha një lloj intuite që, këtu kjo gjë mori fund. Në vitet 92’, 93’ 94’, 95’ jo vetëm Kinostudios, por këtu ju vu shkelmi çdo gjëje. Shumë persona e kuptuan që ajo punë nuk e kishte të gjatë. Mund ta bëje si hobi, por jo si profesion. Nga 90-ta deri në 1996 unë u formova si adoleshent dhe e kuptova që kisha të tjera prirje dhe për këtë arsye zgjodha arkitekturë.

Jeni i kënaqur që keni zgjedhur arkitekturën?
Po, shumë. Në vitet e gjimnazit e kuptova kush ishte ajo që doja. Arkitektura ka diçka që nuk të mërzit. Janë disa zanate që nuk janë rutinë.

Po me aktorët e tjerë të rritur ke kontakte?
Po, pa diskutim që kam. Me disa prej tyre jam takuar edhe kohet e fundit. Më Viktor Zhustin për shembull më ka lidhur dhe puna. Me Ndriçim Xhepën jam takuar një dy herë. Kanë qenë një brez aktorësh që do duhet të kalojë një kohë e zbrazët, pastaj do të mund të zëvendësohen nga të tjerë aktorë.

Ju jeni nga ata djem që shkon në Teatër, Kinema?
Në Kinema patjetër. Në Teatër u bë kohë që nuk shkoj.

Do të luaje një film sot?
Patjetër, me shumë dëshirë. Sepse unë e kam zanatin tim, ketë do ta bëja për hobi. Por jam i bindur që kur nuk ka role tani për ata që kanë mbaruar shkollën dhe që kanë studiuar për atë punë, nuk do më vijë ndonjëherë radha.

Keni nostalgji për fëmijërinë?
Po. Unë kam kaluar fëmijëri shumë të mirë. Madje më habisin njerëzit kur thonë;: kemi kaluar fëmijëri të vështirë, nuk e konceptoj dot! Brezi im, nuk di të ketë kaluar vite të vështira… Vërtetë ka qenë varfëri, por fëmijëria ka qenë e mirë për të gjithë. Të luaje, ka qenë pa probleme.

Ju thërrasin Taulant?
Po edhe më thërrasin. Dikur e kisha bezdi, tani jam mësuar.

Atëherë ishe Taulanti dhe kërkoje një motër. Sot, si Donald çfarë kërkon?
Pyetje e vështirë. Të gjitha i do njeriu. Unë nuk kërkoja gjë as atëherë në fakt… Ishte filmi që kërkonte (qesh). Besoj se kërkoj atë që duan të gjithë, fjala e duhur është Sukses! Po sukses ku? Në punë, familje, jetë. Edhe puna duhet, familja po ashtu…kaq. Nuk e di nëse është pak apo shumë.

Po ju keni pasur motër?
Po, e kam dhjetë vjet më të madhe se vetën. Nuk është se kam kërkuar motër prej vërteti në atë film (qesh).

1 Qershorin e festoni?
(qesh) Jo.

Batutat e filmit i mbani mend?
Jo, nuk i mbaj mend të jem i sinqertë. Më shumë i mbajnë mend ata që shohin filmin dhe më përsërisin vazhdimisht, ma thuaj pak atë…

Cili nga ata filma ju pëlqen më shumë?
Njerëzit kanë qejf Taulantin por unë kam kujtimet më të mira nga “Shpella e Piratëve”.

E ushtroni profesionin, cili është aktiviteti juaj ditor?
Kam një studio projektimi bashkë me një koleg prej disa vitesh. Unë merrem me projekte për objekte: pallate, shtëpi, vila, bare, restorante. Domethënë jam projektues dhe më pas mbikëqyr punimet atje ku ato zhvillohen.

Jetoni vetëm?
Me prindërit. Kam vënë re diçka. Kur je i vogël, 20 vjeç, do që të ikësh nga shtëpia. Di plot shok e shoqe te mi që janë kthyer nga emigracioni, që janë mbi 30 vjeç dhe jetojnë me nënën e babën. Ke dhe komoditete të tjera kur je me prindërit.

Brezi që rriti Teta Xhano…
Kur shikon një film shqiptar për fëmijë (Edhe “Taulanti kërkon një motër”) menjëherë e kupton nëse është apo jo dora e regjisores Xhanfize Keko. Janë filma që mbahen mend. Ajo tashmë ka 4 vjet që është ndarë nga jeta po ka lënë pas një krijimtari të pasur kinematografike (27 Janar1929 – 22 Dhjetor2007). Për 11 vjet ajo arriti të xhirojë 12 filma, të cilët edhe sot e kësaj dite janë mjaft të preferuar. Është nderuar me titullin ”Artiste e merituar” në vitin 1979 dhe ”Artiste e popullit” në vitin 1984. Ndër më të suksesshmit kanë qenë ”Beni ecën vetë”, ”Guximtarët”, ”Mëngjese lufte”, ”Tomka dhe shokët e tij”, “Taulanti kërkon një motër”, dhe shumë të tjerë.

Filmi, prodhim i vitit 1984
‘Taulanti 4 vjeçar, fëmija i vetëm i një familje intelektuale nuk mund ta durojë më vetminë. Ai kërkon një motër. Por sa më shumë ngulmon Taulanti aq më shumë e neglizhojnë prindërit këtë kërkesë. Me këmnguljen e tij dëshira e Taulantit u pëlqen prindërve të cilët e kuptojnë se duhet ta shohin dëshirën e tij më me seriozitet dhe vëmendje”.

Herion Mustafaraj (Beni)
“Beni ecën vetë” është një nga filmat më të suksesshëm të regjisores Xhanfize Keko, po ashtu edhe aktori protagonist i saj, Herion Mustafaraj (Beni). Ashtu si pjesa më e madhe këtij brezi Mustafaraj nuk jeton në Shqipëri. Ai tashmë jeton në New York së bashku më familjen e tij. Ka qenë një ndër fëmijët “Vip” të viteve 80’. Në këto foto shiheni vetë ndryshimin e Benit që ka ecur vetë…

Petro Papakosta (Velo)
“Sa të çlirojë Shqipërinë edhe erdha…” E mbani mend batutën e djalit me theks jugor në filmin me temë patriotike “ Partizan i vogël Velo”? I duhej një pushkë për të luftuar maleve… Sot, Petro Papakosta (Velo) nuk kërkon më një pushkë, por një penë, pasi i është përkushtuar të shkruarit ku ka nxjerrë nga botimi libra me poezi dhe ese. Profesioni i tij nuk ka lidhje me aktrimin.

Admir Sorra (Gjino)
“Përrallë nga e kaluara” e Dhimitër Anagnostit është një nga perlat e kinematografisë shqiptare. Në këtë film ka pasur një tjetër fëmijë aktorë kur u rritë nuk e ndoqi këtë rrugë. Për Admir Sorrën, aktori që luan rolin e Gjinos, ishte e vetmja pjesëmarrje në një film. Edhe pse është vlerësuar për një realizim perfekt të atij roli, ai nuk e provojë më… Djali nga Vlora, sot jeton në Itali dhe në Shqipëri është shfaqur rrallë.

Artan Puto (Tomka)
“Tomka dhe shokët e tij” mund të themi që ka qenë një ndër filmat më të dashur për fëmijë. Prodhim i viteve 77’. Ky ishte një tjetër shkëlqim i Xhanfize Kekos, por edhe një shkëlqim i aktorit të vogël Artan Puto (Tomka). Si shumica e këtij brezi, as Puto nuk e ka vazhduar rrugën e aktrimit. Ata ishin aktorë të “mëdhenj’ kur ishin të vegjël, ndërsa tani bëjnë një jetë të zakonshme. Po ju servirim këto foto për të kuptuar se si ka ndryshuar Tomka.

Entela Resuli

Burimi: Gazeta Shekulli


Te Gjitha Te Drejtat E Rezervuara © TiranaChat.Net 2003-2011 Privacy Policy