Nje fjalor per shprehjet frazeologjike

27 February 2011 -  Kulture - 2,401 shikime

Librat e rinj
Jani Thomai

Pas një pune shumë vjeçare, akademiku Jani Thomai ka sjellë për lexuesit “Fjalorin frazeologjik të gjuhës shqipe”. Ky fjalor përmban mbi dhjetë mijë njësi frazeologjike të përdorshme gjerësisht, në vargje sinonimike të pasura, me ndarje kuptimore e me shpjegime të plota për kuptimet e përdorimet, me rreth 30 000 shembuj të shkurtër nga shumë burime (ligjërimi i folur popullor, folklori, letërsia artistike shqipe dhe e përkthyer, publicistika etj.), me shënime plotësuese për nuancat shprehëse të njësive etj. Rëndësia e veçantë e këtij botimi qëndron në gjithë përbërësit e tij, në njësitë, në zbërthimin kuptimor, në shpjegimet, shënimet, shembujt etj. Ky libër përbën një tip të veçantë fjalori, meqë përmban njësi më të gjera se fjala, togfjalësha e më rrallë edhe shprehje me strukturë fjalie, por që secila njësi në vetvete funksionon në gjuhë njësoj si fjala, duke shërbyer për shënimin e një koncepti të vetëm, të një objekti a dukurie, të marrë si entitet më vete. Si të tilla, në tërësinë e tyre, këto njësi përbëjnë veçantinë e shqipes në krahasim me çdo gjuhë tjetër e vijnë si mishërim i identitetit dhe i origjinalitetit të saj. Të krijuara kryesisht në gojën e popullit dhe të trashëguara e të përcjella nga njëri brez në tjetrin, ato ngjizin në formën e tyre historinë, psikologjinë e mendësinë e tij, por, ndërkohë, nëpërmjet tyre vjen fryma universale e gjuhës njerëzore, çka bën që të takohen ndërmjet tyre formime barasvlerëse të gjuhëve të tjera si: vë pikat mbi i, deri në kalendat greke, krahas me krijimet mbizotëruese origjinale shqipe si: për mustaqet e Çelos, (flet) si e ëma e Zeqos në majë të thanës, iu bë ferra Brahim, vari trastën etj. Njësitë frazeologjike e stilizojnë ligjërimin, e zbukurojnë me vlerat shprehëse, emocionuese, estetike, por edhe “kënaqin” qëllimet e folësit për t’i përcjellë bashkëbiseduesit çdo lloj ndjesie të këndshme e të pakëndshme, dashuri a urrejtje, një ndjesi të vetën që do ta dijë tjetri. Të dyja llojet e njësive gjuhësore, si fjalët, ashtu edhe njësitë frazeologjike, pasqyrohen në fjalorët e gjuhës, ndonëse me status jo të njëjtë (fjalët si njësi përfaqësuese, kurse njësitë frazeologjike si plotësuese të tyre). Ato studiohen në shkencën për leksikun, në leksikologji, me “të drejta” afërsisht të barabarta dhe, në ligjërim, sikurse edhe në sistemin e gjuhës, janë të bashkëlidhura e të bashkëkushtëzuara. Ato shënojnë jo rrallë të njëjtin koncept, dukuri, objekt por të vështruar nga anë të ndryshme ose edhe një varg objektesh të ngjashme a të përafërta të lidhura në mënyrë të përshkallëzuar, çka pasqyrohet në marrëdhëniet sinonimike ndërmjet fjalëve e këtyre njësive, si edhe ndërmjet vetë njësive frazeologjike, të cilat si mikrosisteme krijojnë një larmi formash me simetri të brendshme e të jashtme (si: u çmend - iku nga mendja-luajti nga mendja-luajti mendsh–doli mendsh–u prish nga mendja). Ato diferencohen edhe sintagmatikisht sipas situatës ligjërimore, ku secila njësi si e gatshme kalon përmes mekanizmit psikologjik të tij, duke e formësuar çdo strukturë gjuhësore të modeluar, të riprodhuar nga goja e folësit në përputhje me situatën, si p.sh. na la shëndetin (me keqardhje) – theu qafën (me përçmim) etj. Brenda kësaj larmie formash, që i lidh një e përbashkët, njëjtësi a afërsi përmbajtjesh, në Fjalor lexuesi njihet si me atë që i bashkon këto njësi, ashtu edhe me atë që i dallon, i ndan njërën nga tjetra, përmes së cilës zbulohet veçantia e çdo njësie, çka përbën edhe synimin kryesor të autorit për dhënien e këtyre njësive. Këto jepen përmes shpjegimeve e shembujve të ndryshëm, që nxjerrin në pah dallimet më të imëta ndërmjet njësive frazeologjike, si në rastin kur janë të afërta (sinonime) me njëra-tjetrën, ashtu kur janë të shumëkuptimshme deri në homonime e antonime. Mund të thuhet se njësitë frazeologjike fillojnë të përvetësohen prej folësve të gjuhës përkatëse qysh në fëmijëri, krahas fjalëve, në fillim intuitivisht, më pas shkallë-shkallë zotërohen kuptimet e tyre të vërteta mbi bazën e kuptimeve parësore. Kështu, fëmija e mëson kuptimin “kot”, “pa punë” te frazema vret miza, kur përdoret edhe “kur nuk vret miza”, më vonë e përdor edhe vetë. Edhe në adoleshencë, edhe nën ndikimin e shkollës folësi e pasuron fondin e tyre, duke i përdorur ato sipas situatave, si p.sh. duke shpotitur shokun me frazemën kokë qepë, sipas kokës festen etj. Si fakte të ligjërimit, por edhe të gjuhës si sistem, njësitë frazeologjike janë të vjetra sa edhe fjalët, meqë përfytyrimi i figurshëm i botës, konceptimi ndjesor i dukurive e ka karakterizuar njeriun qysh herët. Në mënyrë të veçantë, në qytetërimet e vjetra, në lashtësi (greke, latine etj.), njësitë e përbëra të figurshme janë përdorur dendur në oratori, në ritet e ndryshme etj., por duheshin shumë përdorime në kohë të gjatë që ato të diferencoheshin, të identifikoheshin si njësi më vete. Si elemente strukturore të përbëra, duke qëndruar midis fjalës dhe fjalisë, por duke funksionuar edhe si fjali, ato janë ngatërruar me njësi të tjera të afërta me to, si proverbat, fjalët e urta, fjalët fluturake etj. Sikurse edhe në gjuhë të tjera, edhe në shqipe njësitë frazeologjike kanë nisur të mblidhen, të regjistrohen, të katalogizohen në rrjedhën e punës me leksikun në përgjithësi e të futen në fjalorë qysh nga fillimi i shekullit XX. Për herë të parë te ne puna fillon me Kostandin Kristoforidhin dhe më pas studimi i tyre në shqipe zë fill me Aleksandër Xhuvanin. Pasqyrimi i tyre i kufizuar bëhet në “Fjalorin e gjuhës shqipe” 1954, kurse më i plotë me “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” 1980, ku përfshihen rreth 7000 njësi të tilla. Ndonëse studimi i tyre nis me ndonjë punim të A. Xhuvanit, e të ndonjë tjetri, trajtimi i plotë shkencor, i thellë dhe i gjerë bëhet në veprën “Çështje të frazeologjisë së gjuhës shqipe” 1981, nga Jani Thomai. Në këtë vepër ai hedh themelet e krijimit të frazeologjisë si fushë studimi, me objektin e vet në gji të leksikologjisë shqipe. Koncepti shkencor i tij mbi frazeologjinë ka ndihmuar në mënyrë të veçantë për vendosjen e kritereve e të parimeve për pasqyrimin e njësive frazeologjike në fjalorë të posaçëm për këtë fushë, siç ishte “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” (1999, J. Thomai), “Fjalori frazeologjik ballkanik” (J. Thomai, etj.) dhe së fundi “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” 2010, hartuar nga po akademiku Thomai, me të cilin po merremi në këtë shkrim. Me këtë Fjalor, siç mund të sjellim këtu fjalët e akademikut J. Thomai, edhe në disiplinat gjuhësore në shqipen “mund të pagëzohet një anëtare e re-frazeografia”. Siç thekson autori, ky koncept nuk shërben si qëllim në vetvete, por ka karakter funksional e praktik, sepse paraqet parimet e kriteret për të dhënë zgjidhje konkrete për hartimin e çdo fjalori frazeologjik në përgjithësi dhe të fjalorit në fjalë në veçanti.

Gjithë Fjalori, si vepër me cilësi të lartë shkencore, me parimet dhe kriteret e hartimit, dëshmon se në të është konkretizuar plotësisht në praktikë baza teorike, mbi të cilën ai është ngritur. Ai dëshmon gjithashtu se në të është derdhur një përvojë 50-vjeçare e hartuesit të tij, i cili i ka përkushtuar gjithë jetën studimit të fjalës së gjuhës së vet, duke mëtuar të shkojë pafundësisht drejt rrënjëve të saj dhe të atyre njësive të afërta me të, për të na dhënë, siç edhe ka bërë, një formë “të pjellës” së fjalës, në të cilën vetë fjala përfshihet, siç është frazema (njësia frazeologjike) në të gjithë universin e saj shprehës për njeriun, për botën e tij të jashtme e të brendshme, për historinë e tij, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Nga ana praktike, “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” vlen të përdoret gjerësisht nga shkrimtarët, përkthyesit, publicistët, hartuesit e fjalorëve dygjuhësh, studentët e nxënësit, mësuesit e pedagogët, studiuesit e gjuhës shqipe e të gjuhësisë së krahasuar, por edhe nga ligjëruesit politiko-shoqërorë, nga ata që mësojnë gjuhën tonë dhe nga gjithkush që merret me të. Ai i vjen në ndihmë edhe gjithkujt që dëshiron ta pasurojë ligjërimin e vet, ta bëjë më të qartë, më të përpiktë, më shprehës e emocionues, më të bukur, më të fuqishëm e më ndikues. Shtëpia botuese “EDFA” ka bërë një punë të kujdesshme për ta nxjerrë Fjalorin me cilësi të lartë teknike.

Burimi: Gazeta Shqip


Te Gjitha Te Drejtat E Rezervuara © TiranaChat.Net 2003-2011 Privacy Policy