Dr.sci.dr. Naim Shabani, Gjinekolog-onkolog, Patolog-citolog

16:57 / 10.08.2011
Dr.sci.dr. Naim Shabani, është i specializuar nga patologjia dhe citologjia (diagnostikimi i sëmundjeve të ndryshme, posaçërisht atyre malinje): i specializuar në lëmin e gjinekologjisë me obstetrikë me theks të veçantë në trajtimin operativ dhe hemoterapi të sëmundjeve malinje (kancerit) të gjinjve dhe organeve gjenitale femërore. I trajnuar për më shumë se 15 vite në klinikat me renome ndërkombëtare (Universiteti më i vjetër gjerman Heidelberg, në Universitetin e Jenës dhe në Universitetin elitar të Mynihut LMU). Ekspert i trajtimit të pothuaj shumicës së operacioneve gjinekologjike me Laparoskopi.

Dr.sci.dr. Naim Shabani
Gjinekolog-onkolog
Patolog-citolog

tel: 044 677-333 (Prishtinë)
tel. ++ 49 174 38 38 705 (München)
e-mail: drnshabani@hotmail.com
www.klinikum-muenchen.de

Njoftojmë lexuesit e portalit tonë, se dr. Naim Shabani, prej 01.02.2011, do të punojë rregullisht, 3 javë në Prishtinë dhe 1 javë në Munih (Gjermani).

 

 

Përshëndetje doktor, jam 29 vjeçe, jam e martuar qe 5 vjet edhe në muajin e parë të martesës kam mbet shtatzënë, por në javën e 7 kam abortuar. Unë jetoj në Gjermani, kam qenë te mjeku rregullisht, gjithherë më ka thënë se jam mire. Para 4 muajve kam qenë në Kosovë te një mjeke dhe më ka thënë se kam infeksion, cistet me rrezatim i ka përtha.

Mirëpo, tash, prapë kur të kam marrëdhënie me burrin, shpesh mbas menstruacioneve kam djegësi, plus edhe kam problem me qumështin në gji. Kam përdorë dostinex, pa ndonjë ndryshim.

Të lutem, më ndihmo. Dona.

 

PËRGJIGJE:

Përshëndetje. Nga përshkrimi i e-malit tuaj nuk kuptoj se cila është pyetja juaj. Ju theksoni se keni djegësi pas marrëdhënieve me burrin. Kjo mund të jetë pasojë e çrregullimeve hormonale siç është edhe rasti i sekretit në gji. Ju preferoj t’i drejtoheni gjinekologut tuaj.

 

Përshëndetje, ju falënderoj për këshillat që jepni në këtë faqe. Unë dhe burri kemi grupin e gjakut të njëjtë 0, unë e kam Rh+ kurse burri Rh-. Kemi një vajzë 15 muajsh dhe gëzon shëndet të plotë, por shqetësimi im është se kam dëgjuar se kur dy bashkëshortët kanë të njëjtin grup gjaku në shtatzëninë e dytë mund të kenë probleme me fëmijën, prandaj doja këshillat tuaja në lidhje me këtë problem.

Ju lutem më ktheni përgjigje sa më shpejt. Faleminderit dhe një herë.

Alida nga Tirana.

 

PËRGJIGJE:

Ju përshëndes Alida. Konstelacioni i grupit të gjakut që keni ju dhe burri i juaj nuk paraqet kurrfarë problemi as për shtatzëninë e dytë. Zakonisht duhet patur kujdes kur nëna është Rh- që pas lindjes të marrë antitrupa kundër Rh+ eritrociteve (rruzave të kuqe të gjakut) në rastet kur fëmija është Rh+: Në këto raste eritrocitet Rh+ te fëmija gjatë lindjes ose traumave në shtatzëni kalojnë në gjakun e nënës dhe nxisin organizmin të prodhoj antitrupa. Ky senzibilizim i nënës mund të jetë fatal në shtatzëninë e dytë. Meqenëse ju jeni Rh+ nuk keni arsye të shqetësoheni.

 

 

Përshëndetje! Jam 26 vjeçe dhe kam probleme me cistet ne vezore. Herë pas here kam dhimbje në anën e majtë, por këto dhimbje i kam gjithmonë kur jam afër ciklit. Jam e fejuar prej 3 vjetësh dhe kam kontakte me të fejuar 2 ose 3 herë në javë. Problemi im është që këta 2 muaj kam patur çrregullim të ciklit menstrual, janë ta pakta dhe me ngjyrë të kaftë dhe zgjasin 3-4 ditë. Menstruacionet i kam pasur shumë fikse, 28 ditë të plota.

Ajo çka më shqetëson mua është të di se a ndikon prania e cisteve në vonesë të ngeljes shtatzëne?

Pres përgjigjen. Ju faleminderit. Anairda.

 

PËRGJIGJE:

E nderuara Anairda. Paraqitja e herëpashershme e cisteve te femrat e reja (në moshën reproduktive) është gjë normale. Cistet duhet te trajtohen me intervenim operativ (psh Laparoskopi) vetëm nëse nuk tërhiqen vetvetiu për disa muaj, nëse shkaktojnë dhimbje të padurueshme dhe janë të dyshimta në ekzaminimin me ultrazë. Cistet me madhësi më tepër se 5 cm zakonisht nuk tërhiqen vetvetiu dhe duhet të operohen.

Cistat në të shumtën e rasteve nuk pengojnë që një femër të mbetet shtatzënë (edhepse ka raste kur ato prodhojnë hormone, çrregullojnë ciklin menstrual dhe shtatzënia nuk është e mundshme). Nga ana tjetër, nuk preferohet që një femër të mbetet shtatzënë para se të mënjanohet cista me kriteret e lartpërmendura.

Ju preferoj te konsultoheni me gjinekologun e juaj.

 

Përshëndetje dr i nderuar, pata rastin t’ju shoh në mediet tona elektronike televizive kosovare dhe u fascinova me këshillat shëndetësore që i dhatë ju për shikuesit tanë. Prandaj edhe unë desha së pari t’ju përgëzoj për punën që po bëni në Kosovë.

Jam në moshën 50 vjeçare, para dy vite e gjysmë më janë ndërprerë menstruacionet, por papritmas para 7 muajsh më janë shfaqur sërish për tre muaj rresht. Kjo ka ndodhe në kohën sa isha duke i përdorë disa tableta ‘Le see’ për dobësim, të cilat i bleva në Tiranë. Në momentin kur i ndërpreva ato, sepse ishin mjaft të shtrenjta, edhe pse humba pak në peshë (tashti kam rreth 90 kg), menstruacionet m’u ndërprenë.

Pres përgjigjen tuaj, sepse turpërohem të bëj vizitë, sepse jam virgjine.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje, zonjushë. Unë ju preferoj atë që ju nuk e dëshironi: vizitën mjekësore. Mund të konsultoni një gjinekolog në afërsi të vendbanimit tuaj ose të vini te unë, kur jam në Prishtinë. Ka shumë femra që janë virgjine si ju dhe vijnë në kontrolle nëse kanë probleme gjinekologjike.

Kontrolli nga i cili turpëroheni ju, përbëhet nga biseda, vizita me ultrazë nga ana e barkut dhe në fund konsulta për terapinë eventuale.

Simptomat qe ju i shfaqni me paraqitjen e serishme të menstruacioneve pas kalimit në menopauzë (PMB, postmenopausal bleedimg), mund të jenë të natyrës së ndryshme. Çrregullimet hormonale si pasojë e ndonjë ciste të vezores (e cila mund të prodhojë hormone) mund të sjellin deri te proliferimi i mukozës së mitrës, gjë që rezulton me gjakderdhje.

Proliferimi i mukozës së mitrës (endometriumit) mund të jetë i natyrës beninje, por edhe i natyrës malinje duke mos përjashtuar këtu edhe format e ndërmjetme, siç janë gjendjet prekanceroze.

Sido që të jetë, paraqitja e sërishme e gjakderdhjes pas pauzës 2 vjeçare kërkon sqarim të kësaj gjendje duke bërë eksplorimin e kavitetit (hapësirës së mitrës) me histeroskop dhe marrjen e materialit nga qafa dhe trupi i mitrës ( kyretazhe e fraksionuar). Ky material pastaj ekzaminohet histopatologjikisht dhe varësisht nga diagnoza ose ka nevojë për terapi të mëtejme ose me kaq përfundon tretmani. 


Doktor, jam 19 vjeçare, kam pasur marrëdhënie seksuale për herë të parë me burrin tim, por pa gjakderdhje. Një gjinekolog më ka thënë se himeni mund të jetë elastik. Doktor, pres përgjigjen tuaj për këtë shqetësim që kemi.

PËRGJIGJE:

Cipa e virgjinitetit ose në terminologjinë mjekësore, Hymeni, është një membranë e hollë në hyrje të vagines e cila ka një hapje të vogël në mes që mundëson adljen e sekretit dhe gjakderdhjes mujore në pubertet dhe gjatë periudhës reproduktive.

Me rastin e marrëdhënies së parë seksuale vjen deri te pëlcitja e kësaj membrane (deflorimi) që përcillet me gjakderdhje. Tradicionalisht në shumë kultura, por edhe te ne, kjo konsiderohet si shenjë që femra ka qenë virgjine. Mosshfaqja e kësaj gjakderdhjeje gjatë aktit të parë seksual, konsiderohet (shpesh gabimisht) se femra nuk është virgjine, vjen deri te dyshimi i partnerit e madje edhe deri te prishja e lidhjes apo martesës.

Kjo ndodhë sidomos kur hymeni është elastik dhe përkundër marrëdhënieve seksuale, për shkak të këtij elasticiteti, nuk vjen deri të pëlcitja e tij, pra as deri te gjakderdhja e pritur. Femra për këtë mund të ketë dhimbje gjatë aktit seksual, ndjen fajësi, ndërsa partneri mbetet i zhgënjyer dhe ndjehet ’tradhtuar’. Në këto raste, sot, gjithsesi preferohet që të dy partnerët të konsultohen me gjinekologun. Paramendoni se sa martesa janë shkatërruar në Kosovë ( secili nga ju që e lexoni këtë artikull mendoni në miqtë dhe të afërmit tuaj) duke menduar se femra nuk është virgjine natën e parë të martesës. Gjithsesi që ka patur raste kur femra ka humbur virgjinitetin edhe në raste aksidentale si fëmijë.

Për dallimet te kulturat dhe popujt e ndryshëm sa i përket rëndësisë që femra të jetë virgjine para se të fillon një lidhje serioze tregon fakti se derisa në Kosovë gjatë punës ambulatore hasi në rritje të interesimit për të kthyer virgjinitetin me operim intim, në Gjermani, vijne te unë në konsultë femra të cilat vuajnë psikikisht ose turpërohen kur tregojnë se (psh. përkundër moshës, 25 vj. apo më tepër) janë ende virgjine.

Ekzistojnë raste kur hymeni nuk posedon vrimën e lartpërmendur, pra është komplet e mbyllur (hymen jo i perforuar) dhe vajzat e reja përkundër moshës, psh 13-15 vjeçare, ende nuk kanë patur menstruacionin e tyre të parë (menarrche) si dhe ankohen në dhembje të fundbarkut. Këtu kemi të bëjmë me anomali të lindur ku cikli menstrual ka filluar ndoshta disa muaj apo vite më parë, por gjaku i liruar në vend se të zbrazet, grumbullohet në vaginë dhe mitër. Bëhet fjalë për hematokolpos dhe hematometra që nëse vazhdojnë për kohë të gjatë, sjellin deri te dëmtimi i mitrës dhe vepërçuesve me grumbullim të gjakut menstrual në abdomen (menstruim retrograd). Gjithsesi, në këso raste, prindërit duhet ta dërgojnë vajzën e tyre (‘të cilës përkundër moshës në krahasim me shoqet e veta, nuk po i vjen menstruacioni i parë’) te gjinekologu.

Në të dyja rastet si te hymeni elastik ashtu edhe te ai jo i perforuar mund të rregullohet ky defekt i cipës hymenale me intervenim të vogël operativ.


Përshëndetje dhe urime për punën që bëni. Ju lutem të më ndihmoni, para 3 muajve kam abortuar pas 2 muaj e gjysmë shtatzënie. Pas abortit, me vizitën e mjekut, bëra strishon dhe doli që jam e infektuar nga chlamidia. Tash kemi përdorë terapi unë dhe burri. Mjeku më ka thënë se tash jam shumë mirë, nuk ka më infeksion.
Të lutem doktor, më trego, a mund të më përsëritet prapë infeksioni edhe a kam gjasa të mbes shtatzënë.
Pres përgjigjen tënde, jam në hall të madh.
Tina, 22 vjeç

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Tina. Aborti paraqet komplikacionin më të shpeshtë në shtatzëni. Rreth 20 të shtatzënive përfundojnë si abort. Posaçërisht në fillim të shtatzënisë vjen më shpesh deri te aborti. Nganjëherë kjo ndodhë pa e ditur femra se është shtatzënë (në formë gjakderdhjeje në kohën e menstruacioneve).
Sipas disa analizave, madje 60% të vezëve të fekonduara përfundojnë si abort.
Në terminologjinë mjekësore (gjinekologjike) dallojmë këto forma të abortit:
* Abortus imminens, e ashtuquajtura gjendje kërcënuese për abort, paraqitet me gjakderdhje dhe dhimbje barku. Qafa e mitrës është e mbyllur. Në këtë gjendje aborti mund të parandalohet.
* Abortus incipiens, është gjendje ku ka filluar aborti dhe nuk mund të ndalet më (qafa e mitrës e hapur, madje mund të shihet indi i shtatzënisë).
* Abortus completus, kur e tërë shtatzënia është hedhur.
* Abortus incompletus (ab jokomplet), shtatzënia është hedhur pjesërisht. Aborti deri në javën e 16-të shtatzënisë definohet si abort i hershëm, kurse pas kësaj jave si aborti i vonshëm.

Shkaqet e abortit mund të jenë të ndryshme. Shkaku i vërtetë konstatohet në raste të rralla. Vetëm pas abortit të tretë me radhë (abort habitual) ekziston indikacioni mjekësor për kërkimin e shkaqeve. Në parim shkaqet e abortit mund të kanë origjinë nga babai, nëna ose vet fëmija. Disa nga shkaqet mund të jenë: anomalitë e mitrës, moszhvillimi i placentes, infeksionet gjenitale (psh me chlamidia) etj. Anomalitë e spermatoziodeve ose anomalitë kromozomale të fëmijës mund të jenë një nga shkaqet e abortit. Këtu duhet cekur ligjin e natyrës "all or nothing" ("krejt ose asgjë"), pra " krejt" tendeca që fëmija të jetë plotësisht i shëndoshë dhe i aftë për t’u zhvilluar dhe rritur më tutje ose "asgjë". Pra, të ndërpritet ajo shtatzëni kur diçka nuk është në rregull (abort).

Në rastin konkret të abortit te ju është konstatuar infeksioni me chlamidie (ku mund të jetë një nga shkaqet për abort) dhe ju jeni mjekuar në mënyrë adekuate. Infeksioni i sërishëm me chlamydie ose me ndonjë agjensë tjetër është gjithnjë i mundshëm. Ju nuk keni arsye të brengoseni se a mund të mbeteni shtatzënë. Besoj se me sqarimin e lartpërmendur të abortit dhe shkaqeve mund të konkludoni se nuk jeni e vetmja femër që është goditur nga kjo gjendje dhe se do të jeni në gjendje të mbeteni sërish shtatzënë pa patur frikë se mund të vjen deri te përsëritja e abortit.


Përshëndetje. Jam e martuar qe 3 vite ku dëshiroj shtatzëni. Ku kam bërë folikullometrin në ditën e 13 të ciklit. Ku uterus në avf në murin e përparmë afër endometrumit vërehet një zonë me hipoekogjene (nyje miomatoza) me diametër prej 11mm.
Endometrimi është dyshtresor me trashësi prej 8.6.mm
Të dy vezoret mirë vërehen me ultrazë, në vezoren e majtë vërehet një folikul me diametër prej 17.3mm.
Te lutem doktor, tregomë çka duhet bërë edhe me ketë situatë a ka gjasa të mbes shtatzënë.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nga të dhënat e juaja kemi të bëjmë me një miomë submukoze me madhësi 11 mm. Myomat e lokalizuara nën mukozë (afër endometriumit) mund të shkaktojnë probleme siç janë gjakderdhje më e theksuar gjatë ciklit menstrual deri te problemet për të mbetur apo për te mbajtur shtatzëninë. Ju gjithsesi keni shanse për të mbetur shtatzënë. Nga të dhënat e pakta unë nuk di se a janë hulumtuar faktorët tjerë që mund të ndikojnë në mbetjen shtatzënë.
Ju kisha lutur që të paraqiteni për kontroll gjinekologjik dhe konsultë të mëtejme.


Përshëndetje, kam pasur dy aborte spontane, kam bërë shumë analiza, nga rezultatet e të cilave nuk është zbuluar akoma shkaku i abortit. Kohët e fundit bëra një vizitë dhe një doktor më tha se kam një problem me mitrën, pjesa e sipërme nuk është e drejtë, por pak e përkulur. Diagnoza Uterus Subsepta dhe për këtë duhet bërë një ndërhyrje që quhet histeroskopi operative. Doja t’ju pyesja a duhet bërë kjo ndërhyrje dhe a ndikon në abort..
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Aborti spontan mund të jetë pasojë e ndryshimeve organike apo funksionale në organizmin e femrës. Uterus subseptus mund të jetë një nga shkaqet organike të cilat rezultojnë me abort. Në këto raste mitra gjatë formimit si organ ka ngecur në zhvillimin e saj dhe si pasojë kemi mbetjen e një muri (septus) i cili ndanë pjesërisht (andaj edhe subsetus) hapsirën e mitrës në dy dhoma.
Terapia në këto raste është operative. Operimi duket kësisoji: me anë të histeroskopisë (futje me kamerë përmes vaginës në mitër) bëhet prerja (mënjanimi) i këtij muri. Gjatë këtij intervenimi ekziston rreziku që të dëmtohet muri i vërtetë në fund të mitrës (përcillet me gjakderdhje, infeksione e deri te humbja e mitrës), andaj kjo procedurë duhet të monitorohet përmes laparoskopisë (LSK). Gjatë prerjes së septumit me dritën e kamerës së LSK përcillet trashësia e murit të vërtetë në fund të mitrës.


Jam një 31 vjeçe, e pamartuar. Qe 4 muaj kam dhimbje në të dy gjinjtë. Nga raporti ultrasonografik janë vërejtur ndryshme displastike-fibrocistike me madhësi 6-7mm. Ndryshimet e përshkruara sonografike u përgjigjen katagorizimit BI-RADS2. Doktori këtu në Kosovë më ka caktuar një terapi me barna.

Ju lutem doktor Naim, a është kjo diçka serioze që unë duhet të brengosem, sepse jam duke e përjetuar me shumë stres.

PËRGJIGJE:

Ndryshimet displastike fibrocistike (siç i emërton si duket mjeku i juaj- terminologji e vjetër) apo më mirë të themi mastopathia fibrose cistike, paraqet një gjendje ku përfshihen një grup i gjerë ndryshimesh në gjinj të karakterizuara me shtim të indit lidhor dhe shfaqjen e formacioneve cistike. Për dallim nga fibroadenoma, mastopathia nuk është tumor. Në disa raste kemi proliferim jo vetëm të indit lidhor, por edhe të qelizave të epitelit të kanaleve të qumështit dhe nëse ky proliferim shoqërohet me qeliza atipike, kemi të bëjmë me të ashtuquajturën mastopathi atipike ose displazike (të gjitha terme të vjetra). Në raste të tilla, mastopatia kalon në prapavijë të problemit dhe ne flasim për gjendje prekanceroze, siç është hiperplazia duktale atipike ose karcinoma in situ e gjirit. Vet mastopathia fibroze cisitke nuk është gjendje prekanceroze, por një ndryshim degjenerativ mjaft i shpeshtë te femrat.

Trajtimi i kësaj gjendjeje që shoqërohet me dhimbje të gjinjve është simptomatik (pra, në zvogëlimin apo zhdukjen e simptomave). Preparatet të cilat përmbajnë hormon progesteron, neutralizojnë veprimin e hormonit estrogjen në gjinj dhe ndikojnë në përmirësimin e simptomatikes të kësaj gjendjeje.


Përshëndetje doktor, jam 45 vjeçe dhe nënë e 3 fëmijëve. Kam probleme me infeksion të qafës së mitrës. Kam bërë PAP testin, rezultati është ky: Sh.p. 3 grupi i IIIA, sipas klasifikimit të Papanikolaout. Qeliza displazike të epitelit të sheshtë në grumbuj dhe të veçuara, disa prej të cilave me një atipi të theksuar (CIN II). Ndryshime të rënda inflamatore. Bakterie. Histiocite. Eritrocite. Preferoj VHP ( Biopsionë ose konizim). Pastaj e kam bërë biopsinë dhe analizat janë këto: " Histologjikisht vrehet epiteli hiperplastik i eroduar, i ektocerviksit me ndryshime parakeratotike dhe koilcoitike sipërfaqësore (virale), dhe fokale displastike në 1/3 - 2/3 të trashësisë epiteliale. Pjesa e mukozë së endocervikisit është pjesërisht e eroduar, e veshur me qeliza cilindrike hiperplastike dhe metaplastike. Stroma është fibrotike, celulare, me infiltrate inflamatore të tipit të granulociteve, limfoziteve dhe monociteve dhe kongjestion vaskular. Vërehet epidermizim fokal gjendrror."
"Diagnzoa: Cervitis chronica hyperplastica erosiva (koilocitosis)
CIN I-II focalis
Endocervicitis chronica metaplastica cum epidermisata focilis"
Mjeku më ka dhënë këtë terapi: Fitormil Vag 1x çdo të 3ten natë dhe Vitagyn C vag 1x në mbramje (1 muaj për përdorim).
Doktor, do të doja këshillën tuaj.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Te ju me biopsi është diagnostikuar CIN II ( displazi e shkallës së mesme) që është një gjendje prekanceroze e qafës së mitrës. Është me rëndësi të dihet sa a është hequr ky lezion në tërësi. Këtë mund ta konstatoj vetëm kur t’i shoh të gjitha rezultatet që ju i përshkruani.
Terapia që ju keni marrë: Fitormil (estrogjene-hormone femërore bimore) nuk ka ndikim fare në ndryshimet që ju keni ( ju jeni 45 vj. ende e re dhe vezoret e juaj prodhojnë mjaft estrogjene). Prep Vitagyn C mund të përdoret sepse e normalizon florën tuaj vaginale (nëse ajo është shkatërruar!).
Më e rëndësishmja është, pra, të konstatohet se a është hequr lezioni (CIN II) në të shëndoshë. Nëse jo, duhet të bëhet konzimi. Përndryshe te ju duhet të bëhet PAP testi (citologjia) me rregull (çdo 3 muaj).


Jam 23 vjeçe nga Tetova, ka gati një vit që kam çrregullime me menstruacionet. Para 5 muajsh bëra disa kontrolle te gjinekologu dhe sipas disa analizave vërejtën që kam një ciste në vezoren e djathtë me gjatësi prej 7.5 cm dhe po ashtu bëra analizën e CA 125 II dhe rezultati doli 30,5. Tash përsëri pas 5 muajsh bëra kontroll, vërehet se ende është cista, por më e vogël, 6.6 cm dhe analiza e CA 125 II është 27,5. Tash më kanë dhënë udhëzim për në Shkup, por kisha dëshirë të marrë edhe mendimin tuaj.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Cistet e vezoreve paraqiten kohë pas kohe te femrat e moshës së re siç jeni ju. Shpesh këto ciste tërhiqen vetvetiu. Por nëse ato qëndrojnë (persistojnë) për më shumë se 2-3 muaj dhe kanë madhësinë 5 cm ose më tepër, preferohet të largohen me operim.
Heqja e cistes së vezores mund të behet pa problem me Laparoskopi. Me rëndësi është që te femrat të cilat nuk kanë lindur ende dhe/ose janë ende në moshën reproduktive që të ruhet vezorja (dmth të qërohet cista dhe jo të hiqet krejt vezorja). Përjashtim bëjnë rastet kur cista është e madhe (7-8cm) dhe nuk kemi fare ind të vezores së ruajtur ose kemi të bëjmë me një ciste e cila dyshohet se mund të jetë malinje (kancer).
Në vend të Shkupit (nëse ju konvenon juve), ju preferoj që të vini në Prishtinë për konsultë dhe eventualisht edhe për operim me Laparoskopi.


I nderuari doktor, në familjen time kemi një grua të sëmurë. Ajo është 60 vjeçe, ka një peshë shumë të rëndë, afër100 kg, mirëpo ka një problem në qafën e mitrës: ka pasur dy gjëndra që janë formuar edhe pas konsultave me gjinekologun dhe bërjen e PAP testit, që i ka dalë shkalla e tretë, mjeku ato i ka hequr, por jo me operacion. I është bërë biopsia, që ka dalë keq: hiperplasia endometri atypica, dhe karcinomë të endometriumit. Shumë mjekë në Prishtinë na kanë sugjeruar që ta dërgojmë jashtë vendit, pasi duhen bërë rrezatime radiologjike apo edhe hemoterapia. Doktor, ku kishim lutur që të na jepni një shpjegim lidhur me këtë, sepse trajtimi i këtyre sëmundjeve malinje nuk po bëhet në mënyrë adekuate në Kosove. Ju falënderojmë për kontributi tuaj që jepni për ne përmes telegrafit.
Ju përshëndesim dhe me padurim presim përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Në bazë të përshkrimeve që bëni ju, pacientja 60 vjeçare është e sëmurë nga kanceri i trupit të mitrës (jo i qafës së mitrës) e që në terminologjinë mjekësore quhet karcinomë e endometriumi. Kjo sëmundje zakonisht diagnostikohet në stadiume të hershme (jep gjakderdhje vaginale) andaj edhe ka prognozë të mirë dhe mund të shërohet me sukses. Ashtu siç e cekni ju, trajtimi i këtyre sëmundjeve malinje nuk po bëhet në mënyrë adekuate në Kosovë. Më e keqja është se nga mosinformimi i duhur i disa kolegëve jepen edhe udhëzime të gabuara. Kanceri i mitrës duhet së pari të operohet dhe jo të rrezatohet. Rrezatimi bëhet vetëm në rastet kur tumori nuk mund të operohet (është inoperabel).
Unë jam ekspert në diagnostikimin dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve (madje temë e disertacionit-doktoraturës sime në Mynih ka qenë pikërisht kanceri i endometriumit).
Më poshtë për ju dhe lexuesit tjerë të telegrafit (duke përfshirë edhe kolegët mjekë) po jap disa të dhëna më të detajuara për këtë sëmundje.

Karcinoma e endometriumit (trupit te mitrës) është tumori më i shpeshtë malinj i traktit gjenital femëror dhe zënë vendin e katërt për nga shpeshtësia nga të gjitha sëmundjet malinje te femrat në Evropë dh në SHBA. Përbën rreth 6% të të gjithë karcinomave te femrat dhe është tumor i cili ka nivel të lartë të shkallës së shërimit.
Në Gjermani karcinoma e endomtriumit me rreth 10.000 raste të reja në vit paraqet tumorin më të shpeshtë të regjionit gjenital dhe malignomën e katërt me radhë te femrat (pas kancerit të gjirit, atij të zorrëve dhe të leukemisë dhe limfomave).
Vdekshmëria nga ky tumor sillet rreth 42.000 raste në tërë botën (rreth 1,9%) të të gjitha vdekjeve nga sëmundjet malinje te femrat). Mortaliteti (vdekshmëria) i ulët dhe mbijetesa prej 96% në 5 vitet e para tregojnë se kemi të bëjmë me një prognozë relativisht të mirë.
Rreth 70% të pacientëve mund të shërohen vetëm me intervenim kirurgjik (heqje e mitrës-histerektomi dhe adnexektomi bilaterale), ose edhe në kombinim me radioterapi (rrezatim).
Kjo sëmundje manifestohet me se shpeshti te femrat në menopauzë, por edhe te ato para menopauzës. Shkaktarë të kësaj sëmundje, ose më mirë të themi faktorë të rrezikut janë ekspozimi i gjatë ndaj hormoneve estrogjene, adipoziteti (mbipesha), moslindja e fëmijëve si dhe sëmundjet apo tumoret të cilët prodhojnë estrogjen.

Si diagnostikohet ky tumor?
Kanceri i mitrës (endometriumit) lokalizohet në rreth 70% të rasteve në stadiumin e hershëm duke iu falënderuar gjakderdhjeve vaginale.
Femrat te cilat i tregojnë dikujt në familje ose mjekut të tyre familjar se ‘i janë kthyer menstruacionet’, duhet të drejtohen te gjinekologu.
Është gabim profesional ‘vicium artis’, nëse gjinekologu nuk preferon operimin (hysteroskopi me kiretazhë të fraksionuar). Vetëm në këtë mënyrë me marrje të materialit për biosi mund të vihet diagnoza histologjike e kancerit të mitrës.
Më parë duhet të bëhet ekzaminimi gjinekologjik dhe ultrazëri për të përcaktuar pozitën, madhësinë e mitrës dhe trashësinë e endometriumit. Poashtu, duhet të ekzaminohen vezoret.

Staging-u dhe terapia e kancerit te mitrës
Para caktimit të terapisë duhet të shikohet se në cilin stadium është sëmundja: a kemi metastaza apo jo. Duhet të bëhet rtg i mushkërive, ultrazëri apo ev CT e abdomenit, ev cisto-dhe rektoskopia.

Cila është terapia adekuate?
Metoda kryesore në mjekimin e kancerit të mitrës është operacioni. Me operacion duhet të largohet mitra, te 2 vezoret dhe vepërçuesit (tubat) si dhe eventualisht nyjet limfatike pelvine dhe paraortale. Kur kemi të bëjmë me tipin seroz ose atë me qeliza të qarta duhet të hiqet edhe zorra qorre (apendektomia) dhe omentektomia (heqja e të ashtuquajturës rrjet prej indi dhjamor e cila mbulon zorrët).
Metode tjetër terapeutike është rrezatimi (radioterapia) në disa raste si terapi plotësuese pas operimit, kurse shumë rrallë edhe si terapi primare (kur pacienti është inoperabil qofte për shkak të stadiumit të avancuar të sëmundjes, qoftë për shkak të gjendjes së rëndë të pacientes- me shumë sëmundje tjera.
Edhe hemoterapia duhet të aplikohet si terapi pas operimit në rastet kur kemi stadium të avancuar të sëmundjes.

Si është prognoza për këtë sëmundje?
Në përgjithësi, prognoza për kancerin e endometriumit me vet faktin se shpesh diagnostikohet me kohë është relativisht e mirë. Në rreth 90% të rasteve në stadiumin e hershëm kemi shërim të plotë. Te rastet me metastaza, prognoza është më e keqe, por edhe këtu terapia adekuate mund të sjell një mbijetesë të zgjatur dhe zbutje të simptomave dhe komplikimeve.

Si përfundim
Karcinoma e endometriumit (mitres) është tumori më i shpeshtë malinj i traktit gjenital femëror. Jep gjakderdhje postmenopauzale dhe diagnostikohet me hysteroskopi dhe kiretazhë të fraksionuar. Terapia konsiston në operim, eventualisht edhe rrezatim dhe hemoterapi. Ka një prognozë të mirë.

P.S. Informoj lexuesit e telegrafit, por edhe mjeket tanë, që pacientet me tumore malinje (kancer) të organeve gjenitale: kancer i endometiumit (trupi i mitrës), kancer i cervixit (qafës së mitrës) dhe kancer i vezores (ovarit), nuk kanë nevojë dhe nuk duhet të shkojnë (të udhëzohen) për operim jashtë Kosovës. Të gjitha këto operacione i kryej unë pa problem, dhe atë, sipas shkollës gjermane që është larg më e avancuar se sa ajo në rajon (maqedone apo turke).


Përshëndetje. Unë jam Lona, 27 vjeçe, dua që t’i bëj disa pyetje lidhje me shtatzëni.
1. Jam shtatzënë, i kam 7 javë, është shtatzënia ime e parë. Kam qenë te gjinekologu dhe më ka udhëzuar t’i bëj disa analiza të gjakut dhe të urinës, mirëpo rezultati në urinë më ka dalë me një infeksion për të cilin doktori nuk më ka treguar në detaje, vetëm më ka udhëzuar të përdor tableta Ospen 1 000 000 i. e. çdo 8 orë 1/2 dhe çaj të boronicës.
Doktor dua të di, se a ndikon ky antibiotik negativisht tek bebja, pasi është fillimi i shtatzënisë.
2. Kam probleme me lukthin, sa herë që mundohem të ha diçka, më turbullohet lukthi dhe më vjen me vjell, por nuk mundem të vjell, pastaj po më fryhet lukthi nga zori. Gjatë tërë kohës jam e uritur. Nuk kam pasur probleme asnjëherë më parë me lukth, por vetëm prej momentit që kam mbet shtatzënë.
Doktor, kërkoj që të më përgjigjesh në detaje dhe të më japësh këshilla rreth shtatzënisë.
Ju faleminderit shumë, Lona.

PËRGJIGJE:
1. Për infeksionin urinar jeni trajtuar me antibiotikë. Infeksioni i fshikëzës urinare-Cystitis shkaktohet në të shumtën e rasteve nga bakteri E coli. Terapia me antibiotikë përkatës jep rezultate të mira. Ky infeksion posaçërisht mund të jetë i rrezikshëm në shtatzëni, sepse lehtë mund të vjen deri te infeksioni i rrugëve të sipërme të traktit urinar duke përfshirë edhe veshkat- pyelonephritis i përcjellë me dhimbje të kryqëzave dhe temperaturë të lartë. Në raste të tilla, kërkohet hospitalizim i nënës me terapi antibiotikësh intravenoz, barna kundër temperaturës dhe dhimbjeve, marrje lëngjesh në sasi të mjaftueshme dhe kontrollimin e rregullt të shtatzënisë.
2. Problemet me lukth gjatë shtatzënisë vijnë si pasojë e rritjes së mitrës dhe tajimit të shtuar të lëngut acidik të lukthit. Vjellja (Emesis gravidarum) paraqitet sidomos në mëngjes në fillim të shtatzënisë te 5-20% e shtatzënave (te shtatzënia e parë më shpesh).Rrallë nevojitet terapi dhe kjo gjendje zakonisht kalon pas javës së 12-të shtatzënisë.
Në rastet kur kemi vjellje më të theksuara dhe disa herë në ditë, kemi të bëjmë me hyperemesis gravidarum, gjendje më e rëndë ku femra shtatzënë humb në peshë dhe kemi çrregullim të balancit të elektroliteve në organizëm.. Kjo gjendje nganjëherë neglizhohet dhe nuk merret seriozisht edhe nga vet mjekët dhe mund të ketë epilog fatal për frytin dhe nënën. Kërkohet hospitalizim me dhënie të ushqimit dhe lëngjeve të mjaftueshme me rrugë parenterale (përmes venave) si dhe heqje dorë nga marrja e ushqimit të zakonshëm. Poashtu duhet të aplikohet terapi me barna kundër vjelljes.
Ju jeni në javën e 7-të të shtatzënisë dhe është mirë që rregullisht të jeni nën mbikëqyrjen e mjekut tuaj (gjinekologut).Duhet që të merrni shumë lëngje dhe të përdorni terapi kundër tugut dhe vjelljes. Nëse ju keqësohet gjendja, duhet të shtriheni në spital. Përndryshe pas 2-4 javësh, pritet që kjo gjendje e juaj të përmirësohet dukshëm.


Përshëndetje doktor. E ndjek shpesh rubrikën tuaj dhe ju përgëzoj për këshillat që na jepni. Kam një shqetësim dhe do të dëshiroja këshillën tuaj. Jam Ani nga Tirana 27 vjeçe. Jam diagnostikuar me fibroadenome bilaterale, përmasat vetëm njëra është 17.3mm, të tjerat janë të vogla. Doja të dija a ka një trajtim alternativ për fibroadenomen pasi kam lexuar që ekzistojnë disa trajtime të cilat edhe mund të arrijnë të ulin përmasat e fibroadenomave deri në zhdukjen e tyre pa ndërhyrje kirurgjikale?
Pyetja ime është: a mund të jenë rezultative këto trajtime? A njihen nga ju mjekët? A është mirë që unë të filloj këto trajtime? Nëse dua të mbetem shtatzënë dhe nuk kam dëshirë t’i operoj, mund të përbëjnë problem për shëndetin tim?
E pres me padurim përgjigjen tuaj. Ju falënderoj që jeni të gatshëm të ktheni pyetjet tona.
Me respekt Ani.

PËRGJIGJE:
E nderuara Ani. Sa i përket fibroadenomave, kam dhënë një përshkrim të shkurt më poshtë. Nuk e keni sqaruar se a është bërë verifikimi histopatologjik (me biopsi) i diagnozës apo konstatimi bazohet vetëm në Ultrazë dhe/ose Mamografi. Mjekimi alternativ i këtyre tumoreve siç e cekni ju, siç janë përdorimi i vitaminave C dhe D, në kuptim të uljes së sasive të tepërta të estrogjenveve (freniumit të rritjes së tyre), dietat ushqimore, masazhet, etj, gjithsesi mund të ndikojnë pozitivisht, por në të shumtën e rasteve nuk arrijnë të eliminojnë fibroadenomet.
Ju këshilloj që t’u përmbaheni këshillave të mjekut tuaj. Nëse ju shqetësojnë pa masë, veçanërisht kur mund t’i prekni vet, atëherë duhet menduar në largimin e tyre me operacion (si për koincidencë, derisa po ju përgjigjem juve pres çdo moment të futem në sallë për të operuar pikërisht një fibroadenomë: paciente 23 vjeçare; 2 javë më parë kemi bërë biopsinë dhe është konstatuar fibroadenoma 1, 5 cm dhe pacientja insiston që të largohet tumori).


Përshëndetje doktor! E lexoj shpesh rubrikën tuaj dhe ju falënderoj për durimin që tregoni me ne duke na kthyer përgjigje. Edhe unë kisha disa pyetje të cilat më shqetësojnë mbi shëndetin tim. Quhem Alda dhe jam nga Tirana 27 vjeçe. Para disa muajsh jam diagnostikuar me Fibroadenome bilaterale. Çdo muaj kam bërë echo mamae për t’u qetësuar dhe për të ndjekur ecurinë e përmasave të tyre (edhe pse më kanë rekomanduar 4 muaj). Jam në dilemë përsa i përket operimit të tyre, përmasat më e madhja është 17 mm. Atëherë, a duhen operuar para se të mbetem shtatzënë dhe nëse mbetem shtatzënë, këto përbëjnë ndonjë problem për shëndetin tim. A ka ndonjë terapi hormonale për të larguar këto tumore pa qenë e nevojshme të operohem? A është e vërtet që gjatë shtatzënisë ose pas saj këto mund të absorbohen nga trupi? Këshillimi juaj është shumë i rëndësishëm për mua. Pres përgjigjen tuaj se më shpejt të jetë e mundur. Me respekt Alda

 

I nderuari doktor. Më 29/12/2008, në anën e djathtë të gjoksit, pasi që e bëra ultrazërin u konstatua një ndryshim me madhësi 17x13.5x8.5mm.(tumor beninj-fibroadenom). Më 15/10/2009: Në mamen e majtë u konstatua fibroadenomë me madhësi 13x11x8.5mm, ndryshimi është mirë i kufizuar, është homogjen, lehtë hipoekogjen, kompresibil dhe i përgjigjet tu beninje-fibroadenomit. Unë isha shumë e shqetësuar edhe kërkova që të më jepet udhëzim që të bëhet analiza citologjike dhe këto janë rezultatet: Dukja citologjike shkon në favor të Fibroadenomes. Rekomandohet HP verifikim. Mjeku kirurg më ka preferuar që të kontrollohet ky ndryshim në ultrazë. Doktor, kërkoj një definicion nga ti, a është gjendja ime për t’u merakosur sepse qe 2 vite jam në ankth edhe a duhet që të kryej ekzaminime të tjera te specialistët, sepse deri më tani veç kam qenë nën stres. Dikush më thotë që duhet të bëhem operacion, ndërsa mjeku kirurg më thotë se nuk ka çka të heq në operacion! Të lutem doktor, pres përgjigjen tuaj. Ju faleminderit, Servetja.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Alda dhe Servete. Po mundohem që juve bashkërisht dhe lexueseve tjera të Telegrafit t’u përgjigjem në pyetjet e parashtruara në lidhje me fibroadenomat e gjirit. Fibroadenoma e gjirit është tumori më i shpeshtë beninj (“i mire“) i gjirit te femrat e moshës reproduktive (siç jeni ju).Gati te çdo e treta femër e kësaj moshe hasen fibroadenome. Në aspektin histologjik këto tumore përbëhen nga indi i shtuar lidhor i cili mbështjellë parenkimën normale të gjirit dhe krijon nyje në gji. Krijimin e posaçërisht rritjen e tyre e stimulojnë hormonet seksuale femërore (estrogjenet). Fibroadenoma në të shumtën e rasteve hetohet nga vet femra me prekje e një apo më tepër nyje në gjirin e saj. Në disa raste detektohet nga mjeku, qoftë me ultrazë ose me mamografi. Nyja e prekur në gji zakonisht është e lëvizshme karshi indit përreth.
Një problem të veçantë që brengosë pacienten është rritja e fibroadenomës, sidomos gjatë shtatzënisë. Për të hequr dyshimin se mund të kemi të bëjmë me ndonjë tumor malinj (‘i keq’), çdo fibroadenomë duhet të ekzaminohet histopatologjikisht duke bërë biopsinë core biopsy (Punktimi i fobroadenomë me FNA, pra citologjia, siç është bërë në rastin e Servetes nuk preferohet në vendet perëndimore, sepse rezultati është hapi i dytë preferohet biopsia, andaj duhet direkt të shkohet në biopsi: kursehet pacientja nga intervenimet dhe nga shpenzimet). A duhet një fibroadenomë të hiqet me operacion varet nga shumë faktorë. Nëse tumori nuk rritet dhe është siguruar, dg me biopsi mund të të përcillet një kohë të gjatë. Para shtatzënisë së planifikuar preferohet heqja kirurgjike e fibraoadenomës. Në disa raste kjo varet nga dëshira e pacientes. Nëse një femër me fibroadenomë është shumë e brengosur dhe e frikësuar, duhet respektuar dëshirën e saj për të larguar këtë tumor. Në përgjithësi, fibroadenomet janë tumore beninje që kanë tendencë të rritjes, por që nuk shndërrohen në tumore malinje.

Për fund, këshilla ime për të gjitha femrat: kontrolloni gjirin vet pas ciklit menstrual një herë në muaj. Nëse prekni ndonjë ndryshim, lajmërohuni te mjeku i juaj. Preferoj së paku 1 x në vit kontrollimin klinik të gjinjve nga mjeku. Këtu ku unë punoj (në Gjermani), këtë e bënë gjinekologu. Në Kosovë, fatkeqësisht gjinjtë nuk i kontrollon pothuaj askush. Vetëm kur të paraqitet tumori të cilin e zbulon vet femra, udhëzohen te kirurgu. Unë, personalisht, si gjinekolog merrem me ekzaminim të gjirit dhe me operim të tij. Mendoj se kjo është e rregulluar mirë këtu në Gjermani, sepse gjiri edhe në aspektin hormonal edhe në atë intim, është në lidhshmëri me organet gjenitale të femrës. Po ashtu, problemet në gjinj që paraqiten gjatë periudhës së gjidhënies, duhet të trajtohen nga gjinekologët.


Përshëndetje doktor, jam një vajzë e lindur më 1983, dhe pasi kisha probleme me ciklin, isha tek gjinekologu. Ai më tha se ke vezore policistike. Tani duke lexuar në internet, po kuptoj se këto vezore shkaktojnë probleme me ciklin, pastaj probleme me diabet, hipertension, probleme me zemër, etj. Po merakosem shumë, prandaj kërkoj ndihmën tënde. Edona.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Edona, është e vërtet se PCO mund të manifestohet në forma të ndryshme. Për PCO, më detajisht jam përgjigjur në një nga pyetjet e paraprake (shih më poshtë).


Përshëndetje, doktor. Më intereson të di se a mundem të mbetem shtatzënë 8 ose 5 ditë para ciklit menstrual?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Se a mund të mbeteni shtatzënë 8 ose 5 ditë para ardhjes së menstruacioneve varet nga ajo se zgjat cikli i juaj menstrual (te disa femra më i shkurtë e te disa më i gjatë).
Se cilat janë ditët Nertile llogaritet me metodën kalendarike (Knaus Ogino) në bazë të përcjelljes së ciklit menstrual: cikli më i shkurtë dhe ai më i gjati.
Psh:.Cikli më i shkurtë: 26 ditë minus 17 = 9 ; Cikli më i gjatë : 34 ditë minus 13 = 21.
Nga këto të dhëna fitohet periudha e fertilitetit (kur femra mund të mbetet shtatzënë) prej ditës së 9 deri në ditën 21 të ciklit menstrual.
Unë nuk ju preferoj që të përdorni këtë metodë si mjet kontraceptiv (mbrojtje nga shtatzënia e padëshiruar).
Konsultohuni me gjinekologun e juaj për metodën më adekuate për ju.

Njoftojmë lexuesit e portalit tonë, se dr. Naim Shabani, do të jetë në Kosovë prej datës 16-24 tetor.


Përshëndetje, jam 30 vjeçe, kam një djalë 8 vjeçar. Para 3 vjetëve më janë krijuar disa mioma në mitër, të cilat i kam hequr me djegie në Shkup. Operimi ishte me sukses, por tash para 8 muajve, më filloi sërish gjakderdhja me sasi jo shumë të madhe. Menstruacionet i kam të çrregulluara. Prapë në Shkup, mjeku më tha se kam edhe një miomë me madhësi 5 cm. Bëra edhe Pap testin, që rezultoi me HPV (Herpes Papiloma Virus) si dhe si dhe CIN2, Endometriumi ka ndezje.
I nderuari mjek, më trego më gjerësisht se çka është HPV, edhe nëse ngelem shtatzënë mund të ndikojë në zhvillimin e frytit?
Me respekt Z. R.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Një nga shkaqet e çrregullimit të ciklit mund të jenë miomët (posaçërisht te lokacioni në afërsi të mukozës- miomet submukozale; në lidhje me miomet, lexo të lutem, artikullin në telegraf).
HPV virusi pozitiv te ju (i cili tip nuk e cekni?), nuk ndikon ne zhvillimin e shtatzënisë. CIN II i diagnostikuar te ju (me biopsi? ose konizim?), paraqet një gjendje prekanceroze (shkallë para se te paraqitet kanceri i qafës së mitrës) dhe kërkon mjekim adekuat.
Edhe njëherë po e them për ju dhe lexueset tjera se, për këto dhe probleme të ngjashme gjinekologjike, duke përfshirë edhe trajtimin e sëmundjeve malinje gjinekologjike dhe të gjirit, nuk keni nevojë të shkoni në Shkup apo diku tjetër jashtë Kosove. Ne kemi mjaft ekspertë tanë, të cilët në formë ekipore, mund të bëjnë trajtim profesional.


Jam pesëdhjetëvjeçare, para pesë viteve e kam hequr mitrën dhe vezoret. Por, tashti kam po kam dhimbje në fshikëzën e urinës. Dhimbja zakonisht shfaqet kur kam të ftohtë apo kur kam aktivitete e rri më gjatë në këmbë. Dhimbja më paraqitet edhe gjatë pastrimit të anusit, kur e prek me dorë pjesën e brendshme. Shpesh përdori bactrim si dhe çaje të ndryshme. Kur pushoj në vend të ngrohtë, më kalon.
Ju lutem, më tregoni se për çka është fjala.

PËRGJIGJE
Përshëndetje. Nuk kam të dhëna se, pse është hequr te ju mitra me vezore para 5 vjetësh (tani jeni 50 vj. Dmth. atëherë keni qenë 45 vj.). Nëse nuk keni vuajtur nga ndonjë sëmundje malinje (kancer), një intervenim i tillë me heqje të vezoreve, lë pasoja afatgjate për organizmin (mungesë hormonesh seksuale femërore që shoqërohet me zbutje eshtrash-osteoporozë, djersitje, depresion si dhe shenja tjera të klimaksit të parakohshëm). Këtë po e theksoj, sepse praktika e heqjes së vezoreve nga disa kolegë në Kosovë ( po citoj një paciente” mjeku më tha se pasi është hapur barku për të hequr mitrën, po i heqim edhe vezoret”) te pacientet që nuk janë në klimaks (pra, ende funksionojnë vezoret) pa ndonjë shkak, është e gabuar.
Te ju, sipas përshkrimit të pengesave që keni si pasojë e mungesës së hormoneve (heqja e vezoreve), ka ardhur deri te lëshimi (“zhdjergie”, latinisht “descensus” e vaginës me tërheqjen e fshikëzës së mitrës.
Për këtë ka shërim. Së pari, ju preferoj që të paraqiteni për kontroll gjinekologjik, e pastaj mund të caktojmë terapinë adekuate.


Jam 21 vjeçe, studente! Para një viti, kam pasur shumë dhimbje në regjionin e poshtëm të barkut, ku pas një kontrolli, jam diagnostikuar me Cysticum OV Sinistra. Kam bërë kontrolle te disa mjekë që janë më të njohur në Prishtinë si dhe kam përdorë terapi për mjekimin e këtij problemi, por në fund, cista veçse u zmadhua edhe mbas konsultave me tre gjinekologë të klinikave të ndryshme, ata më preferuan operacion me laparaskopi të cilin edhe bëra me 15 janar të këtij viti edhe dmth u operova.
Por, tashti, para një jave, pas dhimbjeve në të njëjtin vend, u detyrova të bëj një kontroll dhe, sërish doli që kam ciste, në të njëjtin vend!
Mjeku më tha që është e mjekueshme, s‘ka vend për shqetësim, por ama kërkoj edhe mendimin e juaj pasi që J,u jeni një mjek, ndoshta me më përvojë dhe më adekuat për probleme të tilla!.
Faleminderit, pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE
Përshëndetje, cistet e vezores mund të përsëriten disa herë te femrat e moshës reproduktive (siç jeni ju), andaj edhe premtimi i mjekut që ju operoi se nuk do të përsëritet, është i gabuar. Tani nuk jepni të dhëna se sa është cista dhe a ju shkakton probleme. Cistet nën 5 cm që në ultrazë kanë mur të lëmuar dhe nuk shkaktojnë dhimbje, nuk preferohet të operohen menjëherë, por duhet të përcillen disa muaj.
Ju preferoj që së pari të mjekoni këtë ciste (varësisht nga madhësia, etj), e pastaj si parandalim, të përdorni barna.


Jam 28 vjeçe, ka disa vite që e kam një ciste në vezoren e majtë. Doktor, sa është e rrezikshme cista edhe, a e operoni me laparoskopi? Pres përgjigjen tuaj me padurim.
Përshëndetje, Flutura.

PËRGJIGJE:
Cistet në vezore paraqiten zakonisht te femrat në moshën riprodhuese dhe mund të jenë si pasojë e mospëlcitjes së folikujve ku grumbullohet lëngu folikular. Ato mund të arrijnë madhësisë disa cm dhe shpesh tërhiqen vetvetiu. Një ciste e cila persiston (qëndron) për disa muaj me radhë, ka një madhësi mbi 5 cm ose nëse shkakton dhimbje të fundbarkut duhet të hiqet. Intervenimi është i lehtë dhe kryhet me laparoskopi (nëse mjeku e zotëron këtë formë operative). Në të shumtën e rasteve bëhet vetëm qërimi i cistës, pra duke ruajtur vezoren.
Meqenëse cistet mund të jenë edhe të natyrës tjetër, psh cistet e endometriozes, ose cista dermoide (të dy format duhet të operohen posa të diagnostikohen) është i nevojshëm ekzaminimi gjinekologjike dhe ai me ultrazë. Në raste të rralla cistet mund të jenë edhe malinje. Kanceri i vezores që është një tumor me prognozë shumë të keqe, poashtu paraqitet në formë të cistes së vezores.
Ju preferoj që të paraqiteni për vizitë ku do të caktohet natyra e cistes, madhësia dhe varësisht nga kjo edhe terapia përkatëse. Nëse ka nevojë për intervenim kirurgjik këtë mund ta bëjmë me laparoskopi në Prishtinë. Unë do të jem në Kosovë prej 30.09.10- 05.10.10. Ju dhe lexueset tjera të Telegrafit mund të më kontaktoni në e-mail ose prej dt 30.09.10 në tel 044 677 333, ose 049 677 333


Përshëndetje Dr.Naim. Jam 37 vjeçe dhe kam një vajzë 11 vjeçe. Asnjëherë pas vajzës nuk kam mundur të ngelem shtatzënë. Për momentin jam e diagnostikuar me miomë në mur të mitrës dhe analiza Ca 125 më ka dalë 16.3. Një gjinekolog më ka thënë se duhet të operohem, ta heq miomën, sepse nuk mundem të mbetem më shtatzënë dhe se është e dëmshme për shëndet që të mbahet në trup, ndërsa gjinekologu tjetër më ka thënë se nuk ka nevojë të operohet, se nuk është aspak rrezik as për shëndetin tim dhe as për shtatzëni, pasi që çdo e 4-ta grua e ka këtë sëmundje. Sipas jush, duhet të operohem për miomë apo jo, dhe, a kam mundësi të ngelem shtatzënë.
Tung nga Netti.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Neti. Se a duhet te hiqet mioma apo jo (me drejtë: a është mioma fajtore që nuk po mbeteni shtatzënë), mund të konstatoj më saktësisht vetëm pasi të bëj një ekzaminim në ultrazë (madhësia, vendi ku ndodhet mioma, etj). Më gjerësisht për miomat, së shpejti mund të lexoni në faqet e Telegrafit.


Përshëndetje doktor. Jam Njomza, kam qenë shtatzënë, prej fillimit të shtatzënisë kam pas problem me tensioni e lartë. Në javën e 10-të kam pasur abort për shkak se tensioni i lart e ka mbyt frytin. Kur më ka pastruar mjeku, më ka thënë që kam një varrë në qafë të mitrës, sikur kur të jesh e përvëluar me ujë. Doktor, a ka mundësi që kjo varrë, të ndikojë në tension të lartë e ta mbyt frytin? Përshkrimi i preparatit: në strisho, vihen re mjaft qeliza pllakore superficiale dhe intermediare me raport te ruajtur nukleocitoplazmakit, si dhe mjaft infiltrate kronike inflamatore dhe makrofag.qelisa susp:diskariotike dhe malinje nuk ka.
Shkalla e papastërtisë: 3.
dg:citologjike:cervicitis chronica
Pas këtij rezultati te papa testit kam përdorë këtë terapi: palin, hypervaginet dhe çaj korouvae plus.
Doktor, dua të di, a është kjo terapia adekuate për këtë var

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Ju lutem respektoni rregullat e portalit.
Shih të gjitha rregullat për komentim
Dr.sci.dr. Naim Shabani, Gjinekolog-onkolog, Patolog-citolog
Dr.sci.dr. Naim Shabani, Gjinekolog-onkolog, Patolog-citolog
 
 
Magazina
15:10 / 5.11.2011
Jessica Simpson, Foto: Getty Images

Simpson ka probleme me gazrat

Jessica Simpson ka pranuar se ajo ka lëshuar më shumë gazra se zakonisht që nga koha që është shtatzënë.
Teknologji
15:09 / 5.11.2011
LG vjen me Optimus LTE

LG vjen me Optimus LTE

Kohëve të fundit është thënë se modeli më i ri i telefonit të mençur të LG’së, përkatësisht modeli LG Optimus Ey...
Ekonomi
13:24 / 5.11.2011

“Alo” me Shqipërinë e jo me Serbinë!

Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomike thonë se Kosova mund të kërkojë që të përdorë kodin e telefonisë së...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.