Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci- neuropsikiatër

13:48 / 28.10.2011
Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com. Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci
Neuropsikiatër
Tel: 044 502 508


I nderuari dr. Drevinja. Jam 21 vjeçar, kam problem me kontrollin e adrenalinës edhe pse shpesh ndikon pozitivisht në punë. I përfundoj punët me shpejtësi mjaft të madhe që njeriu normal nuk mund t’i përfundojë, por nganjëherë më shfaqet në raste kur nuk duhet të shfaqen. Kur është puna për ndonjë vendim të rëndësishëm, psh., intervistë pune ose ndonjë gjë tjetër të rëndësishme, në stomak fillojnë disa ndjenja të çuditshme dhe vazhdojnë me dridhje të trupit, pastaj shtangem dhe nuk mund t’i shprehi ato informacione që i posedoj. Pas kësaj, më kaplon një uri e madhe. Në pamje dukem mjaft vital, ndoshta pak i hollë dhe nganjëherë nuk i kam lëvizjet e koordinuara dhe jo të balancuara. Në trurin tonë janë 5 fusha kryesore: memoria, vëmendja, shpejtësia, fleksibiliteti dhe zgjidhja e problemeve. Këto fusha i kam trajnuar në mënyrë efektive; vetëbesim kam mjaft. Për ide të reja jam mjaft produktiv. Jam tip karizmatik dhe orator, por të shprehem siç dua, nganjëherë nuk mundem për shkak të shtimit të adrenalinës. Doktor, a është ky problem biologjik apo psikologjik? Nëse është problem psikologjik, do të doja të m’i tregoni disa teknika për kontrollin e adrenalinës.
Flm.

PËRGJIGJE:
Djalosh, nuk ke nevojë për brengosje, problemi yt nuk është fare për brengosje, sepse ti po funksionon, je elokuent, inteligjent, ke ndjenja kreative. E ndoshta si personalitet je më temperament, i shpejt, por kongruent me moshën dhe elanin tënd djaloshar. Ajo që të kaplon uria dhe nëse problemet me lëvizjet – koordinimin, i korrespondojnë kësaj urie, të këshilloj për përcjellje të sheqerit në gjak. Dmth nga këtu del pastaj, a të mendojmë për probleme konstitucionale, rrethanore, energji djaloshare, adrenalinë. Sa i përket qendrave të ndryshme në trurin tonë, prodhimi i adrenalinës, është problem mjaft kompleks të cilin e studion neuroshkenca. Krejt në fund, bëni përpjekje që t’i eliminosh faktorët rrethanor- situatat stresuese që të bëjnë të reagosh furishëm.


I nderuar doktor. Jam 47 vjeçar dhe vitet e fundit kam problem me sistemin nervor. Acarohem shumë shpejt dhe për çdo gjë, bëhem temperament, shumicën e rasteve ndodh që edhe të emocionohem, më pas filloj të qaj nga e mocionet. Para 10 viteve kam përdor Prozak 20 mg për 3 vite me radhë. Deri në përgjigjen tuaj, ju përshëndes.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
I nderuar, mundohuni që t’i tejkaloni shkaqet që ju i dini. Ajo çka ka shkuar t’iu shërben të nxirrni mësime dhe ta planifikoni të ardhmen tuaj. Disa nga ngjarjet mund edhe të mos evitohen-harrohen, mirëpo ajo që evitohet duhet evituar. Nëse gjendja ose diagnoza juaj është depresioni, duhet të vazhdoni me antidepresiv, nëse depresioni paraqitet me ankth duhet të përdorni anksiolitik, për një kohë të shkurtër, ju propozoj buspiron 10 mg ose oxazepam 15mg, dy herë në ditë ose vetëm në mbrëmje. Bëni përpjekje që të ndryshoni karshi të gjithëve e më shumë për me të dashurit tuaj. Këtë do ta bëni duke ju përkrahur bashkëshortja juaj, rrethi juaj. Nëse, nuk ec, nuk mundeni, duhet informata shtesë nga terapeuti juaj. Unë mendoj që shumë gjëra do të rregullohen dhe ju ngadalë do të jeni më i kënaqur me gjendjen dhe raportet në rrethin tuaj.
Përshëndetje.


I nderuar Dr. Drevinja. Unë jam 36 vjeçar. Para 10 vitesh për shkak të ngarkesës emocionale, kam pasur shtangim të muskujve, por pas kontrollit te mjeku, më kaloi. Që nga ajo kohë, unë jetoj me barna qetësuese. Kam përdorë disa vite Bensedin 2mg, pastaj bensedim 5mg. Pas 5 viteve me vështirësi të mëdha jam liruar nga kjo varësi e tmerrshme. Jam liruar brenda 3 javësh me një skemë duke e lënë grandualisht. Mirëpo, pas 14 muajve, kam filluar prapë të përdor pak nga pak, Loram dhe Lorazepam 1 mg. Çdo mëngjes, ende pa ngrënë bukë e marr një tabletë 1 mg. Pastaj në mesditë edhe një, deri 3 tableta në ditë Loram ose Lorazepam, 1mg. Muajve të fundit kam filluar të marrë Loram ose Lorazepam 2.5 mg. Shpesh e ndaj përgjysmë këtë pilulë, por nganjëherë e marr të plotë. Unë kam simptoma të agorafobisë dhe një depresion të lehtë, ndoshta. Jam shumë i interesuar të braktis barnat që gjithmonë i mbaj në xhep. Askund nuk shkoj pa to. Të lutem doktor, më trego, si mund të lirohem nga Loram dhe Lorazepami? E di që nuk mund të shkëputem brenda dites. A ka skemë të lirimit nga këto pilula duke zvogluar gradualisht marrjen e tyre. Nuk pi kurrë alkool, as ilaçe tjera. Të falënderoj shumë për këshillat tuaja.

PËRGJIGJE:
I nderuar, vërtet këto që thua janë shenja të vartësisë nga lorazepami, si dhe simptomat e agorafobisë të cilat të mbajnë në ankth që ta kesh në xhep lorazepamin. Të duhet një përgatitje psikologjike të cilën tashmë e ke, duke njohur pasojat e lorazepamit, duke njohur agorafobinë dhe tani duhet sjellë ndryshe, dmth fillojmë me braktisjen dalëngadalë duke vendos barna të tjerë. Pikësëpari, forcim vetjak psikologjik, një dozë e vogël antidepresivi, mund të përdorësh fluoxetin 10 mg, para dite. Sa i përket lorazepamit, nëse ke mundësi, ekziston një anksiolitik i ngjashëm për nga veprimi i cili nuk krijon vartësi, quhet buspiron, 10 mg. Fillo të zvogëlosh sasinë e lorazepamit duke zëvendësuar me 5 ose 10 mg buspiron dhe kështu me radhë disa javë. Të nevojitet përkrahje familjare dhe përkrahja nga terapeuti yt. Mendoj që shpejt do t’ia dalësh.


Përshëndetje doktor. Një person i afërm ka disa mundime. Vuan nga çrregullimi bipolar dhe insomnia. Merr Litium Carbonate si antidepresant dhe për insomni është duke përdorur Lendormin, por në treg nuk po gjendet, ndaj, po përdor një çaj për gjumë dhe nganjëherë merr diazepam, ose zolpidem. Është bërë tolerant ndaj shumë lloje të barnave, ndaj po kërkoj ndihmë nga ju të më sugjeroni ndonjë ilaç me më pak efekte anësore pasi që ka disa komplikime në organizëm dhe që është efektive në hipnozë. Ndihma juaj do të më ndihmonte shumë doktor. Ju faleminderit për mirëkuptim, me respekt.

PËRGJIGJE:
Është problem të them diç më shumë pa e ditur sasinë e litiumit në gjak. Sidoqoftë, barnat të cilat janë duke u referuar e që shkojnë mirë me litiumin janë: olanzapina, diazepami, mirëpo te rasti në fjalë, druaj në përdorim të tepruar të lendorminit, ajo komponenta psikologjike që nuk e gjenë lehtë mashtron se është ndonjë bar i mirë! Sa i përket antidepresivit, këtë mund të vendos vetëm psikiatri i tij i cili vlerëson psikosimptomatologjinë, në shumicën e rasteve nuk jepet për shkak të ndërrimit-kalimit në fazë tjetër, mani ose depresion. Pagjumësia sigurisht është simptomë e rikeqësimit të sëmundjes, prandaj të kontrollohet litiumi gjithsesi, ose edhe duhet bërë diçka rreth terapisë.


I nderuari doktor Fahri. Jam një vajzë 19 vjeçare, studente, me mësime jam shumë e mirë, por kam nevojë për ndihmën tuaj. Qe 4vite jam në lidhje me një djalë. I dashuri im është rrëzuar dhe ka pasur gjakderdhje në kokë, me ndihmën e Allahut gjithçka shkoi shumë mirë dhe tashti ai është mirë. Problemi im është që familja tash më bën pengesë në lidhje me të dashurin tim. Për shkak të prindërve, një kohë jam larguar nga ai, por përsëri jemi bashkë. Kur jam me të, i harroj problemet e familjes. Edhe në lidhjen tonë, nganjëherë kemi disa probleme të cilat i kalojmë, por më bën të lëndohem shumë. Të dashurin tim, shkuarja në fakultet dhe veshja ime, e bëjnë shumë xheloz, etj. Të lutem, më ndihmo!
Geta.

PËRGJIGJE:
Geta, gjithçka hapur, me djaloshin, me xhelozinë e tij, me familjen, peshoni gjërat mirë, jeta është e vështirë, më pastaj e lumtur! Në emocione nuk duhet të përzihet njeri, vetëm se ke kujdes me xhelozinë e djaloshit, nëse ajo duhet korrektuar, bëhu këmbëngulëse.


Përshëndetje Dr. Fahri. Para 9 viteve kam pas një sulm në mes të rrugës dhe një marramendje të fortë  ku kam humb vetëdijen. Pas disa ekzaminimeve të EEG dhe CT së trurit, vlerat kanë dalë mirë pa asnjë problem. Sulmi ka ndodhë vetëm një herë. Por, pas 2 viteve më ka ndodh një frikë. Ankth, marramendje  dhe më vinte një nxehtësi prej këmbëve deri te koka. Një nxehtësi e shpejtë...por, unë mendoja që frika po vjen për shkak se mos po sëmurem si atëherë dhe nuk u paraqita te psikiatri. Ndonjëherë merrja tab. Bedoxin. Përkundër frikës edhe ankthit, thjeshtë e mposhta me mendime se do të më kaloj dhe nganjëherë kur ishte sulmi më i fortë, qaja dhe më kalonte për një kohë nuk kisha sulme dhe kështu frika me vinte, sidomos në vende publike ku kishte shumë njerëz, ankth si me dashtë me ikë prej dikujt...Tani më ka kaluar, por nganjëherë po kam shqetësim dhe një ndjenjë të keqe, ashtu edhe pak frikë se mos po më kthehet sëmundja. Ju lutem, më tregoni se çfarë të përdor dhe çfarë të bëj.

PËRGJEGJE

Para disa ditësh, është mbajtur Konferenca e parë me karakter ndërkombëtar për epilepsinë në Prishtinë,  me ekspert vendor, ekspert nga Shkupi dhe Zagrebi. Kështu që  po ju them atë çka ishte një nga referencat: Nuk ka epilepsi me një sulm të humbjes së vetëdijes. Dmth largoje këtë nga koka nëse mendon ende se je e sëmurë ose do të kthehet etj. Ajo që ju po thoni është pikërisht ankthi, dyshime, pasiguri, frikë nga sëmundja ose më mirë ta them fobi nga sëmundja. Brengën zëvendësoje me sigurinë se nuk ka qenë epilepsi. Së bashku me bedoxin unë të them merr ndonjë qetësues të lehtë, apaurin 2mg 2 herë në ditë, jo gjatë. Më shumë komunikim, angazhime në punë, biseda me të afërmit, shëtitje, hobi dhe ankthi tejkalohet.    


Përshëndetje doktor i nderua. E kam bërë CT e kokës dhe vlerat janë në kufij të normales. Mirëpo, e kam të paqartë se çka do të thotë "atrofi e lehtë  e masës kortikale subfrontale që nuk i përgjigjet moshës së pacientit”. Unë jam 16 vjeçar. Ju faleminderit për mirëkuptim.

PËRGJIGJE

Asnjë shqetësim, ti je 16 vjeç, shumë inde si dhe indet e trurit tek ti rriten ende për shumë vite. Atrofi e korës në regjionin nënballor dmth, masa e korës së asaj pjese të trurit, rritja, fryrja nëse më lejohet të them kështu tek rezultati i CT ka dalë më e hollë, dmth  do përmirësohet (sepse ti po rritesh). Kurse, ajo  që nuk i përgjigjet moshës, fare mos të brengos, më tepër është zhargon i interpretuesve të CT-së.      


I nderuari Dr. Fahri. Jam 33 vjeçare kam qenë në depresion para 10 viteve dhe më ka zgjat më shumë se 1 vit. Kam përdor terapi, asnjëherë nuk kam

qenë edhe aq mirë, mirëpo u mësova ashtu me jetuar, kam pasur gjithmonë në jetë probleme, dhe më duket vetja shumë e pa fat në jetë. Më është dashur gjithmonë me vepruar kundër dëshirës time, sepse ashtu më kanë ardhur punët. Tani po më duket që jam prapë keq, pas disa problemeve me infeksion urinar dhe me zall në veshke kam urinim të shpeshtë. Kam dëgjuar që shkaktar të jetë edhe depresioni. Nuk kam fuqi, nuk mund të qëndroj në këmbë gjatë sepse më duket që krejt trupi po më dridhet, nuk kam ekuilibër. Nganjëherë kam ankth, natën e shoh ndonjë ëndërr të keqe dhe më pas ndihem shumë keq, lëkura më djeg, të pamurit e kam të mjegullt, temperaturë natën në tërë trupin. Kam një ndjenjë se mos po më ndodh diçka. Përdori Xanax 0.25 mg, gjysmë në mëngjes dhe gjysmë në mbrëmje, mirëpo më duket që nuk po më ndihmojnë edhe aq. Ju lutem, më tregoni se çfarë të bëj që së paku të mund të punoj dhe të kam fuqi dhe dëshirë për një jetë si të tjerët. Ju faleminderit.

PËRGJEGJE

Zonjë, kurrë nuk është vonë, nuk duhet të dorëzoheni. Kam shkruar mjaft për depresionin, së bashku me lexuesit tonë, është një nga brengat më të mëdha që preokupon një numër të madh të personave kudo në botë por edhe tek ne. Është vërtet gjendje e vështirë,  sidomos kur të analizohet jeta juaj e deritanishme me shumë probleme. Unë besoj që do të gjeni forcë ta riktheni gjendjen në favor dhe të jetoni më mirë. Tendenca e çdo shoqërie dhe çdo individi është të punoj në ngritjen e cilësisë dhe ngritjen e standardit të jetesës Ju gjithashtu mos ndaloni së luftuari se do t’ia dilni. Përpos xanaxit duhet të merrni një antidepresiv, sigurisht iu ka preferuar psikiatri juaj.


Përshëndetje doktor, jam 29 vjeçe, jam e martuar qe 5 vjet edhe në muajin e parë të martesës kam mbet shtatzënë, por në javën e 7 kam abortuar. Unë jetoj në Gjermani, kam qenë te mjeku rregullisht, gjithherë më ka thënë se jam mire. Para 4 muajve kam qenë në Kosovë te një mjeke dhe më ka thënë se kam infeksion, cistet me rrezatim i ka përtha.
Mirëpo, tash, prapë kur të kam marrëdhënie me burrin, shpesh mbas menstruacioneve kam djegësi, plus edhe kam problem me qumështin në gji. Kam përdorë dostinex, pa ndonjë ndryshim.
Të lutem, më ndihmo. Dona.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nga përshkrimi i e-malit tuaj nuk kuptoj se cila është pyetja juaj. Ju theksoni se keni djegësi pas marrëdhënieve me burrin. Kjo mund të jetë pasojë e çrregullimeve hormonale siç është edhe rasti i sekretit në gji. Ju preferoj t’i drejtoheni gjinekologut tuaj.


Përshëndetje, ju falënderoj për këshillat që jepni në këtë faqe. Unë dhe burri kemi grupin e gjakut të njëjtë 0, unë e kam Rh+ kurse burri Rh-. Kemi një vajzë 15 muajsh dhe gëzon shëndet të plotë, por shqetësimi im është se kam dëgjuar se kur dy bashkëshortët kanë të njëjtin grup gjaku në shtatzëninë e dytë mund të kenë probleme me fëmijën, prandaj doja këshillat tuaja në lidhje me këtë problem.
Ju lutem më ktheni përgjigje sa më shpejt. Faleminderit dhe një herë.
Alida nga Tirana.

PËRGJIGJE:
Ju përshëndes Alida. Konstelacioni i grupit të gjakut që keni ju dhe burri i juaj nuk paraqet kurrfarë problemi as për shtatzëninë e dytë. Zakonisht duhet patur kujdes kur nëna është Rh- që pas lindjes të marrë antitrupa kundër Rh+ eritrociteve (rruzave të kuqe të gjakut) në rastet kur fëmija është Rh+: Në këto raste eritrocitet Rh+ te fëmija gjatë lindjes ose traumave në shtatzëni kalojnë në gjakun e nënës dhe nxisin organizmin të prodhoj antitrupa. Ky senzibilizim i nënës mund të jetë fatal në shtatzëninë e dytë. Meqenëse ju jeni Rh+ nuk keni arsye të shqetësoheni.



Përshëndetje! Jam 26 vjeçe dhe kam probleme me cistet ne vezore. Herë pas here kam dhimbje në anën e majtë, por këto dhimbje i kam gjithmonë kur jam afër ciklit. Jam e fejuar prej 3 vjetësh dhe kam kontakte me të fejuar 2 ose 3 herë në javë. Problemi im është që këta 2 muaj kam patur çrregullim të ciklit menstrual, janë ta pakta dhe me ngjyrë të kaftë dhe zgjasin 3-4 ditë. Menstruacionet i kam pasur shumë fikse, 28 ditë të plota.
Ajo çka më shqetëson mua është të di se a ndikon prania e cisteve në vonesë të ngeljes shtatzëne?
Pres përgjigjen. Ju faleminderit. Anairda.

PËRGJIGJE:

E nderuara Anairda. Paraqitja e herëpashershme e cisteve te femrat e reja (në moshën reproduktive) është gjë normale. Cistet duhet te trajtohen me intervenim operativ (psh Laparoskopi) vetëm nëse nuk tërhiqen vetvetiu për disa muaj, nëse shkaktojnë dhimbje të padurueshme dhe janë të dyshimta në ekzaminimin me ultrazë. Cistet me madhësi më tepër se 5 cm zakonisht nuk tërhiqen vetvetiu dhe duhet të operohen.
Cistat në të shumtën e rasteve nuk pengojnë që një femër të mbetet shtatzënë (edhepse ka raste kur ato prodhojnë hormone, çrregullojnë ciklin menstrual dhe shtatzënia nuk është e mundshme). Nga ana tjetër, nuk preferohet që një femër të mbetet shtatzënë para se të mënjanohet cista me kriteret e lartpërmendura.
Ju preferoj te konsultoheni me gjinekologun e juaj.


Jam një vajzë 24 vjeçare, kam një problem të madh. Më dridhen duart. Zakonisht këtë problem e kam kur kemi mysafirë të rëndësishëm apo edhe kur jam mysafir te ndonjë familje e rëndësishme. Kur ju shërbej atyre mysafirëve me lëngje apo edhe me kafe, më dridhen duart dhe gjendem në një pozitë të palakmueshme dhe shumë shqetësuese. Nuk e di pse me ndodh kjo. Çka më sugjeroni? Valmira.

PERGJIGJE

Valmira, kjo që thua është fobi sociale, kam shkruar disa herë përgjigje të ngjashme. Provo mos të dridhen duart, sepse të gjithë mysafirët janë njerëzit e tu njësoj të rëndësishëm. Asnjeri nuk të vë syrin se a po të dridhen duartë, apo jo. Dridhjen e duarve e sheh vetëm ti, kurse të tjerët nuk të kanë thënë. Provo ta kuptosh që është nga bindja jote e gabuar se nuk do t’ia dalësh, se të shikojnë, se ke tremë, etj. Hiqe vëmendjen, harroje dridhjen e duarve, nëse ke besim në vete nuk do të ndodh më.


Unë jam 23 vjeçare. Qe tri vite kam kokëdhembje, kam përdor disa terapi nga mjekë të njohur. EEG, analizat kanë dalë mirë. Jam bërë nervoze. Unë jam studentë edhe kur po mësoj, po i harroj shumë shpejt mësimet... Unë mirëpres përgjigjen.,
Me respekt, Vjollca!

PËRGJIGJE:

Vjollca, ne themi kur të gjitha analizat janë mirë, imazheria e trurit të ka dal mirë, ti e tëra je mirë. Kokëdhembja jote lidhet me angazhimet në mësime, pastaj sigurisht ka edhe diçka në temperamentin tënd, mund të kesh probleme me mbështetjen në ndonjë aspekt. Studimet, tash kah fundi kërkojnë përpjekje më të mëdha, sigurisht që edhe mësimi tashmë të është bërë ngarkesë. Dmth. mendoj që ke tensionim nervor, angazhim psikologjik dhe fizik, kokëdhembja vjen nga këto. Harresa nuk e besoj që është e vërtet, mendoj që e ke edhe nga rënia e bindjes për aftësitë e tua. Forcë, edhe disa hapa, pas mbarimit të studimeve do të jetë krejt ndryshe, përdor aty këtu ndonjë tab. paracetamol kur ke kokëdhembje.


Vuaj nga hipertensioni arterial. Jam në moshën 41vjeqare, i kamë bërë te gjitha analizat e mundshme të cilat m’i ka preferu mjeku. Të gjitha më kanë dal mirë. Kam ardhur vet në përfundim se hipertensionin e kam në bazë nervore. Si të veproj? Prej natyre jam nervoze, më pengojnë shumë gjana. Kisha pas dëshirë mos me i marrë gjërat kaq me shpirt, por e tillë jam edhe për atë po i vuaj pasojat.

PËRGJIGJE
Nëse vërtet keni kaluar të gjitha ekzaminimet dhe hipertensioni juaj është cilësuar psikogjen/nga baza psiqike/ dhe atë në bazë të asaj që bëheni nervoze, jeni e ndjeshme, empatike/bashkvuajtëse/, duhet të merrni ndonjë anksiolitik xanax tab 0.25mg, dy herë në ditë, deri katër javë, bashkë me barnat për hipertension, por edhe këshillën e mjekut tuaj.


Jam 35 vjeçe, qe një kohë të gjatë vuaj nga anxio depressvum, mbingarkesë vaskulare dhe psikike. Kohë pas kohe marr diazepam, Kam dhimbe në tërë trupin. Doktor i nderuar, më jep një shpjegim, çka më preferoni?
Faleminderit për përgjigje tuaj.

PËRGJIGJE
E kuptoj brengën tuaj, keni marr vetëm anksiolitikun, ndoshta kishte me qenë e nevojshme ta merrni edhe ndonjë antidepresiv /fluoxetin 20mg, në orët e paraditës/, ta rrisni përkrahjen shoqërore, familjare, ushtrimet njohëse e të sjelljes /kognitive-bihejviorale,shiko pyetjet dhe përgjigjet me lartë/ do të liroheni me shpejt nga simptomatologjia anksioze dhe depresive.


Përshëndetje doktor, jam 23 vjeçe. Prej disa muajsh kam mendime negative në kokë. Më duket sikur do vdes, sikur jam sëmurë, sikur po çmendem. Në realitet i kuptoj që të gjitha këto që nuk janë të vërteta, por sapo i mendoj, filloj të kem një ndjenjë frike tëe pashpjegueshme, kam rrahje të forta zemre, dhimbje koke dhe më duket se nga momenti në moment do të më bjerë të fikët. Të gjitha më filluan pas 4 muajve të lidhjes me të dashurën time. Në fillim çdo gjë shkonte mirë, por më pas, më filluan simptomat që përmenda. Është lidhja ime e parë dhe e dua, por kur e mendoja jetën time të lidhur vetëm pas një personi filloja të kisha frike dhe pasiguri, derisa në një moment fillova të kem të rrahura të forta zemre dhe një ndjenjë të fortë frike sikur jeta të mos kishte më asnjë kuptim. Kisha frikë të rrija vetëm dhe frikë se nga momenti në moment do më ndodhte diçka e keqe. Gjumin nuk e bëja shume të rehatshëm dhe nuk mund të përqendrohesha. Nuk kisha më besim në vetvete dhe gjykoja veten për çdo gjë qëe bëja. Fillova t’i them vetes time që janë gjëra kalimtare dhe u ndodhin kujtdo dhe tani jam mirë, por sapo mendoj që këto gjëra mund të më përsëriten, më kap prapë ndjenja e frikës.
Ju lutem, të më thoni se si mund t’i kaloj përfundimisht këto mendime negative dhe këtë ndjenjë frike?

PËRGJIGJE:
Problematika është tipike për çrregullim të ankthit me elemente obsesive; mendimet e futura në kokën tënde edhe përkundër imponimeve të fuqishme të tyre. Ndërto qëndrueshmërinë tënde dhe mendimeve që të vijnë. Pastaj ankesat tjera janë probleme vegjetative si; rrahje zemre, lodhje, djersitje, kokëdhimbje, dridhje, pagjumësi. Frika se nuk do ti a dalësh, mundet me u mundur me analizën e përvojës, se ti vërtet po ia del, nuk po ndodh e keqja! Nuk po rrëzohesh! Nuk po ndalesh, etj.
Bisedo hapur me të dashurën tënde, kërko mbështetjen e saj, mundeni së bashku të vizitoni psikologun ose psikiatrin. Nga këto ngarkesa shpejt do të liroheni.


I nderuar Doktor Fahri. I dashuri im gjatë luftës ka kaluar një periudhë mjaft të rëndë dhe që nga ajo kohë deri më tani nuk ka pranuar të flas me askënd, përveç meje. I është ngulitur në kokë se vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë. Nëse i dhemb barku, fiksohet se ka diçka të rëndë dhe se do vdes, nëse ka dhimbje koke apo gjetiu , prapë ka frikë se aty ka ndonjë kancer apo diçka. Ka bërë shumë herë analiza dhe i kanë dalur shumë mirë, madje ka bërë edhe CT-në, edhe ajo i ka dalur shumë mirë. Ndonjëherë kam bindje se ai lufton për të nxjerr një sëmundje tek vetja, kam shfletuar shumë nëpër internet, nëpër libra dhe kam hasur në një term Hipocondria. Mund të më flasësh pak më gjatë për këtë, apo edhe a ka ndonjë mënyrë të largohet kjo gjendje? Ju lutem doktor, kërkoj të më përgjigjeni se unë nuk mund t'i dalë në ndihmë. Unë e kam bindur të bëjë një vizitë te neuropsikiatri, por këtë e ka bërë vetëm një herë. Pres me padurim përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
I dashuri juaj ka kaluar nëpër katrahura të tmerrshme, këto janë tash reagime të stresit posttraumatik, ndoshta evaluime anksiozo-depresive. Është mjaft pozitive nëse ai fillon të flas, duhet domosdo të lirohet nga ato përjetime tmerruese. Është pak vështirë, sepse i ringjallen kujtimet, prapë përjeton ndjenja të pakëndshme negative, por është e rëndësishme për ne se mund të shërbej si ventil çlirimi nga tensionimi të cilin e bart. Ka shumë elemente që janë karakteristike të manifestimeve të frikës/fobisë/ nga sëmundjet e ndryshme. Keni pasur të drejt të lexoni hipokondrinë, ndoshta ka elemente, ta shohim në vazhdim.
Hipokondria është bindja, preokupimi, frika se vuan nga ndonjë sëmundje serioze. Nuk bindet nga rapotet e mjekut për pasqyrim të gjendjes së mirë shëndetësore. Pacientët kanë të dobësuar “autoskopinë” shikimin kah vetvetja-trupi i tyre. Prek moshat 20-30 vjet, sjellë mjaft kokëçarje në funkcionimin e tyre. Simptomat që paraqiten nuk janë karakteristike për ndonjë sëmundje.
Trajtimi ose përmirësimi rritet duke vazhduar të bindet për mosekzistimin e sëmundjes me rezultate të mosgjetjes së sëmundjes nga ana e mjekut. Është e dobishme terapia njohëse e sjelljes /kognitive-bihejviorale/ në grup. Duhet të trajtohen çrregullimet eventuale bashkë ekzistuese ankthi, depresioni, çrregullimi opsesiv kompulsiv, konverzioni etj.


Doktor, ka 6 muaj që abuzoj me medikamente kundër dhembjes, si: metadon, kodeinë, tramadol, morfinë, etj. Mirëpo kam vendosur t’i lë të gjitha, përnjëherë. Pyetja ime është se çfarë simptoma të abstinencës kam me përjetuar? Për sa kohë do të zgjasin ato? Dhe çfarë barna mundem me marrë për me më ndihmuar me tejkaluar sa më lehtë abstinencën? Përzemërsisht, Anonimi.

PËRGJIGJE:
Anonim, vendosmërinë tuaj për lënien e përdorimit/abuzimit/ të substancave në fjalë e përshëndes. Mirëpo, lënien do ta bëni sipas udhëzimeve të mjekut tuaj. Do ta ulni dozën në mënyrë të ngadalshme. Sepse ndërprerja e menjëhershme e çdo njërës nga këto substanca sjell simptome të rënda të abstinencës të cilat janë edhe të rrezikshme. Për sa kohë zgjasin ato? Varet nga sasia, kohëzgjatja-toleranca që kanë krijuar tek ti, lloji i substancës që e keni marrë (abuzuar). Prandaj, shumë kujdes, nëse liroheni nga këto duke ulur dozën, fenomenet e abstinencës do të jenë më të përballueshme. Ndiqni këshillën e mjekut tuaj.


Përshëndetje, unë jam 23 vjeç. Prej disa muajsh kam mendime negative në kokë. Më duket sikur do vdes, sikur jam sëmurë, sikur po çmendem. Në realitet i kuptoj që të gjitha këto, nuk janë të vërteta, por sapo i mendoj, filloj të kem një ndjenjë frike të pashpjegueshme. Kam rrahje të forta zemre, dhimbje koke dhe më duket se nga momenti në moment do të më bjerë të fikët. Të gjitha më filluan pas 4 muajve të lidhjes me të dashurën time. Në fillim çdo gjë shkonte mirë, por më pas më filluan simptomat që përmenda. Është lidhja ime e parë dhe e dua, por kur e mendoja jetën time të lidhur vetëm pas një personi, filloja të kisha frike dhe pasiguri, derisa në një moment fillova të kem të rrahura të forta zemre dhe një ndjenjë të fortë frike sikur jeta të mos kishte më asnjë kuptim. Kisha frikë të rrija vetëm dhe frikë se nga momenti në moment do më ndodhte diçka e keqe. Gjumin nuk e bëja shumë të rehatshëm dhe nuk mund të përqendrohesha. Nuk kisha më besim në vetvete dhe gjykoja veten për çdo gjë që bëja. Fillova t’i them vetes time që janë gjëra kalimtare dhe u ndodhin kujtdo dhe tani jam mirë, por sapo mendoj që këto gjëra mund të më përsëriten, më kap prapë ndjenja e frikës.

Ju lutem, të më thoni se si mund ta kaloj përfundimisht këto mendime negative dhe këtë ndjenjë frike.

PËRGJIGJE:

Problematika është tipike për çrregullim të ankthit me elemente obsesive; mendimet e futura në kokën tënde edhe përkundër imponimeve të fuqishme të tyre. Ndërto qëndrueshmërinë tënde në pakuptishmërinë e atyre ideve dhe mendimeve që të vijnë. Pastaj ankesat tjera janë probleme vegjetative, si, rrahje zemre, lodhje, djersitje, kokëdhimbje, dridhje, pagjumësi. Frika se nuk do t’ia dalësh! Mundet me u mundur me  analizën e përvojës, se ti vërtet po ia del, nuk po ndodh e keqja, nuk po rrëzohesh, nuk po ndalesh, etj. 

Bisedo hapur me të dashurën tënde, kërko mbështetjen e saj, mundeni së bashku me vizituar psikologun ose psikiatrin. Nga këto ngarkesa shpejt do të liroheni.


Përshëndetje dr.Fahri. Jam një vajzë 25 vjeç, kam të gjitha kushtet për një jetë shumë të mirë, por kam një problem që nuk po mundem t’i gjej zgjidhje. Ka një vit që ndij një lloj pasigurie, sidomos nëse gjendem në një vend me shumë njerëz e zhurmë, assesi nuk mundem të rri. Më kaplon një mundim, më merren mendtë, më dhemb koka, më dridhet i tërë trupi. Kam provuar të dalë edhe pa dashjen time nëpër vende me zhurmë e me shumë njerëz, por secilën herë më keq. Më është krijuar në kokë një lloj trishtimi...më shumë rri në shtëpi vetëm…
Të lutem doktor, më ndihmo?

PËRGJIGJE:
E nderuar, shumë mirë që ke bërë përpjekje ta kalosh vet, unë të them mos ndalo që të mundësh ankthin, frikën, fobinë sociale. Nga përpjekjet tuaja nxirr ndonjë pervojë, unë besoj që në përpjekjet tuaja ke pas edhe beteja të fituara. Dmth, rrite numrin e këtyre përpjekjeve. Nëse vërtet nuk ke energji, kërko të të ndihmojë ndonjë shoqe, shok. Nëse edhe kjo nuk bënë punë, atëherë përdor antidepresivin seroxat tab 20 mg, gjysmën e tab. në mëngjes. Nga kjo terapi rezultati pritet ngadalë. Gjithsesi ilaçin edhe përpjekjet bashkë.

Jam 44 vjeçe, tash bëhen 20 vjet që ka filluar maramendja. Kur kam qenë shtatzënë me djalin e madh ka filluar marramendja. Kam përdorur shumë qetësues. Kam shkuar te mjeku shumë herë, por që nga 2009 nuk kam qenë mw, sepse isha nw depresion. Barnat që kam përdorë janë: citalopram 2o mg , rispiridonin, xanax. E mendoja vdekjen. Tash jam pak më mirë, po nuk po mundem as të lexoj mjaft, sepse me vjen nervoza, më dhëmbin sytë, në kompjuter kam siklet, nuk mundem me shikua në një vend, sepse më merren mendtë. Tashti më rrallë kam marramendje, por frikohem nw çdo moment mos më ndodhë ndonjë e papritur. Zakonisht marr lexium, citalopramin.
Ju faleminderit për durimin, doktor. Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Zonjë, nga letra juaj po mendoj që vërtet keni probleme, por po më duket që trajtimin nuk e keni quar si të ka porositur mjeku. Ilaçet e lartshënuara është dashur të përdoren me rregull, ne i themi një dozë mbajtëse duhet përdorur edhe kur jeni më së miri.
Sigurisht që keni përjashtuar problemet me spondilozën, me ndonjë pezmatim të mbetur të veshit, për shkak të marramendjes? Përndryshe ankesat tuaja janë të depresionit, depresion i cili duhet trajtuar, nuk është i pashëruar.
Të lutem mos e humb besimin. Tek unë mundeni me ardhur çdo të enjte me udhëzim, në klinikën e psikiatrisë.


Ka kohë që vuaj nga depresioni. Jam e martuar dhe sërish më është kthyer depresioni, apo ankthi, nuk ndjehem mirë, kam shtrëngim të muskujve të trupit, më së shumti të krahëve. Zakonisht natën ma nxjerrin gjumin shtrëngimet, ëndrrat e trishtuara. Jam pa shpresë për jetë, nuk po mundem me u adaptuar në familje. Jam duke përdorë nga një gjysmë Rivotril në mbrëmje edhe në mëngjes, mirëpo herë-herë jam shumë keq, kam plogështi, kam ra në peshë për 6 kg për këta muaj sa jam martuar, mirëpo shqetësimin që e kam është se nuk po kam guxim të mbetem shtatzënë.

Shpresoj se do të marr përgjigje nga ju doktor.

 

PËRGJIGJE:  

Zonje e nderuar, nuk janë shterur të gjitha mundësitë. Nga letra juaj po konstatoj vërtet  një sindromatologji të përzier, depresion dhe ankth. Pastaj probleme shoqërore, siç janë adaptimi juaj në  rrethanat e tanishme. Është mirë të bisedoni hapur me bashkëshortin, do të ishte mirë të bëni përpjekje në eliminimin e disa  shkaqeve të cilat në këtë kontest ndoshta edhe po iu pengojnë. Problematika i  korrespondon  gjendjes  e cila  nuk mund të zgjidhet vetë. Depresioni  juaj duhet të trajtohet, përpos Rivotrilit të cilin nëse e keni përdorur gjatë duhet të filloni ta pakësoni. Duhet të përdorni ndonjë antidepresiv, por gjithsesi durim, vetëbesim, besim në ne, tek e fundit ejani  deri në klinikë, së bashku me bashkëshortin edhe më e dëshiruar, do të merrni këshilla më shumë, sigurisht  që do të flasim edhe rreth mbetjes me barrë.      

 

I nderuar doktor, ka gjashtë muaj që marr terapi, demetrin tableta dhe oxitocin ose fluoxetin, me rekomandim të mjekut neuropsikiatër, por pa ndonjë përmirësim te unë. Ndjehem keq, nuk kam guxim të dalë askund vetëm sepse kam frikë të madhe nga vdekja, nga njerëzit apo vendet që nuk i njoh. Kam frikë të rri vetëm edhe në shtëpi. Jam baba i katër fëmijëve dhe kam një jetë shumë të mirë bashkëshortore. Pra shtatë muajsh kam ardhur në Amerikë, në Kosovë jam marr me biznes.

Ju lutem doktor, më ndihmoni.

 

PËRGJIGJE: 

Zotëri, në Amerikë, mos u brengos, fjala është për fobi sociale, fobi nga vdekja, si i themi ne me elemente obsesive, pasiguri në vete, person senzitiv sigurisht, peripeci deri keni arritur atje, tash duhet një lloj haraçi, ne e quajmë probleme me stresin post traumatik.   Shumë e shumë tjera telashe dhe epitete që mund t’i mos i godas. Këto probleme duhet diskutuar mirë nëse bisedon me shoqen, por edhe më të tjerët, mos u ndal, nuk duhet të izolohesh. Ti  po i sheh vetëm problemet, nuk po i cek sukseset tuaja që sigurisht janë të mëdha dhe nuk janë të rastësishme. Përdore përvojën, dmth ka muaj që je i “sëmurë”, por nuk po ndodhë gjë...dmth nuk je i sëmurë. Sigurisht e ka bërë largësia që nuk jeni afër mjekut tënd, këto probleme moti ishin harruar. Por assesi mos u dorëzo, rrite vetëbesimin, mos u ndal, kërko mbështetje. Burim për frymëzimin tuaj  dhe shkase për lumturinë familjare janë fëmijët tuaj,  të cilët sigurisht ju gëzojnë dhe arrijnë atë që ju dëshironi në jetë. Ta kaloni fobinë, duke u forcuar dhe duke u ballafaquar me të edhe më shumë.   

 

I nderuari doktor Fahri! Jam Zana nga Prishtina. Kam një pyetje për juve që kisha pasur dëshire shumë të madhe të marr mendimin tuaj. E kam pak të vështirë të shprehem dhe mendoj që askush tjetër nuk e ka këtë problem. Unë jam në lidhje serioze me të dashurin tim, kemi një lidhje shumë të lumtur dhe shumë duhemi, po problemi është se unë kam frikë para marrëdhënieve imtime, gjithmonë më kaplon frika, më ndërron disponimi menjëherë, bëhem nervoze.

Doktor, pse më ndodh një gjë e tillë?

Me shumë respekt, Z.

 

PËRGJIGJE: 

E nderuar,  asgjë serioze, jo frigjiditet, jo dhimbje, sigurisht  ke më tepër preokupim ose paragjykime frikë nga shtatzënia, fantazi se si do te dukesh pastaj, ngarkesë, ankth, mos u brengos. Është kaluese, patjetër.


Përshëndetje dr. Fahri. Jam një vajzë 23 vjeçe, kam një punë të mirë dhe një familje të mirë, e vetmja gjë që më mungon është një i dashur. Kam pasë disa ndodhi të trishta në jetë, por unë desha të të pyes për diçka tjetër. Kam një shprehi që i numëroj gjërat që kam përreth. Numëroj lulet në perde, dollapët, vijat të ndryshme të mureve, pullat në rroba të njerëzve, dritare dhe gjithmonë kërkoj që të jenë numër çift, asnjëherë tek. Nuk mbetem rehat nëse numri del tek. Kjo ndodh edhe pa vetëdijen time, vetëm gjej veten duke numëruar dhe ndonjëherë ndalem, e ndonjëherë nuk mund të koncentrohem në diçka tjetër se mendja më rri te numërimi. Kam dhe një shprehi tjetër. Është leximi i fjalëve mbrapa. Çdo herë kur shoh ndonjë film, pasi lexoj tekstin si duhet, e lexoj dhe mbrapsht.
Të falënderohem për ndihmën.

PËRGJIGJE:
Është fjala për neurozë obsesive- kompulsive, por ka mundësi edhe karakteristika të personalitetit obsesiv–kompulsiv nëse këto numërime-lexime nuk të pengojnë edhe aq. Përpiqu të bësh të kundërtën duke bllokuar në mendjen tënde numërimin dhe leximin mbrapsht. Nëse nuk do t’ia dalësh duhet të marrësh antidepresiv; paroxetin 10mg në mëngjes. Nëse mungon suksesi pas dy jave përdorimi, duhet ta bëni një takim me psikiatrin tënd.


I nderuar doktor, shpesh më ndodh që në mes të natës, në gjumë, më zihet fryma dhe përnjëherë zgjohem, duke u munduar të ngopem me frymë. Kam përshtypjen sikur do të më mbyllet fyti. Pastaj, të nesërmen, gjatë ditës, kam dhimbje në fyt. A mund të di, përse më ndodh kjo?
Ju falënderoj.

PËRGJIGJE:
Para se të bëni ndonjë kontroll, bëni higjienë gjumi; mos konsumo ushqim pas orës 19, pas kësaj kohe vetëm ujë, çaj, kurrsesi kafe, banjo të nxeht bënë. Flej në dy jastëk, mendoj që kjo do të jetë. Sukses.


Ju përshëndes z, Fahri. Jam 25 vjeçe, studio. Ka 3 vite e gjysmë që jam martuar, marrëdhëniet e mia me burrin nuk ishin edhe aq të mira, ngase burri është paksa agresiv dhe i pandjeshëm në krahasim me mua. Ai më maltretonte fizikisht dhe psikikisht, pas një kohe unë mbeta shtatzënë dhe isha shumë e lumtur, kisha shumë vullnet për jetën, mësoja, kërkoja punë dhe isha shum e lidhur me femijen në bark, që ishte djalë. Unë isha shumë mirë me shëndet dhe nuk kisha probleme shëndetësore, vetëm se jam e ndjeshme si person dhe hidhërohem për çdo gjë. Në shtatzëni, në muajin e pestë, mua m’u shfaq infeksioni në veshkave dhe ngritje e tensionit, 180 me 120. U shtrova në spital, vazhdoja terapinë, pas disa ditësh përjetova edhe shok, më kujtohej vjehrra duke bërtitur dhe të gjithë mjekët rreth meje. Nga ajo ditë unë mora fobi nga tensioni dhe matja e tij, qëndrova 5 javë në spital me stres, pas disa ditësh më vdes bebi në bark. Dola nga spitali shumë e mërzitur dhe me frikë se po sëmurem prapë dhe bie në shok sikur atëherë. Më mpihet buza, më rrah zemra shpesh kur stesohem, më merren mendtë, më djegin sytë. Kam fobi sociale, fobi nga sëmundja dhe vdekja. Këmba e majtë po më mpihet, disi më dridhet, kam shtrëngime në gjoks dhe dhimbje. Kur e di se kam me shkuar te mjeku, apo diçka të ngjashme, gjatë gjithë kohës kam stres.
Të lutem, më ndihmo, më trego çka të bëj.
Ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Kjo që thua mund të jetë reperkusion psikik, meqenëse je person i ndjeshëm, ke pasur vërtet peripeci, strese, mundime dhe mbështetje familjare jo edhe aq të mirë. Nga të gjitha këto ke dalur me fobi për sëmundjen-vdekjen. Matja e tensionit është shtytje, vërtetim i gjendjes, obsesion, i cili për disa qaste të bënë të ndihesh edhe mirë, por nuk zgjat shumë. Të këshilloj ta marrës veten, sepse rreziku tashmë ka kaluar, shtypja e gjakut është stabile dhe nuk ka mundësi për ndonjë keqësim-rrezik.
Për mpirjen e buzës nuk mendoj që është ramje e inervimit, vjen nga hipersensibiliteti yt dhe ngarkesa, tensionimi nervor, preokupimi me gjendjen. Ushtro largimin e vëmendjes nga sëmundja, sepse ajo nuk ekziston më. Rrite vetëbesimin, bënë përpjekje për mbështetje nga bashkëshorti dhe familja e gjerë, me ata do të jesh më e fort. Nëse vet nuk mundesh, duhet të konsumosh fluoxetin tab 10 mg paradite, Bcomplex 2x1, kështu dy ose tri javë, duhet të shihet përmirësimi.
Nëse të duket se nuk po ia del ose dëshiron që kjo të ec më shpejt, atëherë duhet të marrësh një takim me psikiatrin. Vetëbesim.


Si e re kam përjetuar dy depresione: braktisa burrin dhe vajzën. Por, me vullnetin tim dhe të psikologes, dhe përdorimit të fluoksertines, jam shëruar. Filova jetën e re, vajza më vizitonte. Por, këtë vit, në muajin janar, dy javë më humbi gjumi komplet. E kërkova psikologen time, nuk e gjeta dhe filova me një tjetër. Ajo filloi me fluoxetin, pastaj respiridon, por s’më ndihmuan. Nga 14 marsi jam duke përdorur Velvax, një në mëngjes dhe një në mbrëmje, Sanval, në mëngjes dhe në mbrëmje, një Xanax. Po e bëj një jetë sikur në ëndërr. Shpersh më vjen të bëj vetëvrasje, s’më duket jeta interesant, kam dhimbje. Kam filluar të mos shoh dhe të mos dëgjoj mirë. Familjen dhe vajzën nuk e dua aspak. Fjej tërë natën, por sikur nuk ngopem. Ju lutem doktor, më tregoni se çka po ndodh me mua. Psikologu më ka thanë se unë vuaj nga simptomatologjia anksiozo depresive. Ju lutem më ndihmo...

PËRGJIGJE:
Lule, mos hezito, sa po e kuptoj ti ke depresion, ne i themi rekurent (kthyes). Ke edhe simptome të ankthit, frikës, pasigurisë. Ajo që nuk e doni vajzën, familjen, keni humbur interesat janë simptome depresive kah të rëndat që duhet ta konsultoni për terapi-tretman psikiatrin tënd. Pa terapi, gjendja mund të keqësohet, kështu që duhet të parandalosh keqësimin e mëtejmë. Në këtë gjendje, ti mund edhe të mos veprosh ”kështu të thotë, depresioni”, por ti duhesh dikujt të afërt t’ia lexosh porosinë time dhe t’i tregosh që fjala është për ty.


Përshëndetje doktor i nderuar dhe shumë i respektuar. Jam një lexuese e rregullt e faqes së telegrafit, me vëmendje i lexova pyetjet që ju kanë parashtruar juve si dhe përgjigjet që ua keni dhënë ju njerëzve me shumë halle. Punë të mbarë në punën tuaj. Dëshiroj edhe unë të ju bëj një pyetje. Burri im qe 5 vjet përdor barin Zyprex 5 mg. Ju kisha lutur se a ka mundësi të ma sqaroni se çfarë përmban ky ilaç, a ka mundësi të krijon varësi. Edhe pse qe 5 vite e përdor këtë terapi, ende është pa diagnozë. Faleminderit për mirëkuptim dhe pres me padurim përgjigjen tuaj. Tung Hana nga Ferizaji.

PËRGJIGJE:
Hana, Zyprexa, është neuroleptik, relativisht i ri, me efekte të mira. Nëse e ka përdorur shoku qe pesë vite, nuk ka ndonjë problem, nëse i bënë mirë, mund ta vazhdoj. Mirëpo duhet të kontrollohet pesha/shton peshë/, të kontrollohet sheqeri në gjak dhe disa enzime si: CK (kreatin kinaza) LDH (laktatdehidrogjenaza etj.). Sa i përket diagnozës, ajo mund të jepet edhe për agjitim, shqetësime të ndryshme, jo vetëm për çrregullim mendor, d.m.th. diagnozë më të rëndë.


Tung, unë jam një vajzë 27 vjeçe, por kam një problem që moti nuk mundem të gjej zgjidhje. Më duket se jam në depresion. Çkado që mendoj, çdo mendim im kthehet në frikë të madhe. Qafa më bëhet shumë e nxehtë dhe në lukth kam shtrëngime, bëhem shumë nervoz. Tre muaj kam përdorë Zoloft, më kanë ndihmuar pak, ama më është kthyer prapë.. Ndihem e pasigurt, kam frikë të dalë larg shtëpisë sime apo qytetit. Djersitem, kam koncentrik të dobët, nuk jam e disponuar .
Doktor, pres ndihmën tënde.

PËRGJIGJE:
Vajzë, po vërtet keni disa probleme të vockla që vet duhet t’i eliminoni. Mendimet e këqija gjithnjë provo ti zëvendësosh me të mirat. Vërtet mund të kesh edhe simptomatologji depresive, por më shumë po konstatoj probleme të ankthit; si djersitje, siklet larg shtëpisë, mendimet që të shëndrrohen në frikë, etj. Sigurisht që ke filluar mirë të trajtohesh me antidepresiv, por je frikësuar dhe e ke braktisur trajtimin, nëse këto mendime, telashe ta prishin ekuilibrin psikosocial, atëherë nëse nuk mund t’i mundësh me vetëbesim, me njohjen dhe sjelljen konform tyre, atëherë duhet edhe njëherë të konsultosh psikiatrin për ndonjë antidepresiv.


Jam studente. Më herët kam pasur depresion, kam menduar për vdekjen, por edhe tashti nganjëherë mendoj. Jam në depresion, kam frikë të filloj një lidhje me një djalë. Unë marrosem para të tjerëve, pres që ata të marrin hapin e parë. Kam mjaft oferta dhe askush nuk më ka lënduar ndonjëherë. Ngurroj edhe nëse më pëlqen ndokush. Jam në depresion, e zhgënjyer me jetën, shpesh nuk fle deri vonë, më kaplon një ankth.
Në pritje të përgjigjes tuaj, ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Studente e nderuar, më me vetëbesim, më pak tremë ose fobi sociale. Më shumë interakcione, biseda me shokë dhe shoqe, diskuto për të gjitha temat, qoftë edhe për dashuri. Më shumë besoji vetes se sa atë që ta propozojnë shoqet. Sa i përket depresionit, sigurisht që tani e ke tejkaluar, sepse nuk flisni më shumë për të. Sa i përket gjumit duhet bërë higjienë gjumi; duke bërë dush, duke mos ngrënë pas orës njëzet, duke provuar dhe mësuar bartjen e aktiviteteve ditën. Nuk po konstatoj ndonjë çrregullim mendor ose sëmundje tek

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Ju lutem respektoni rregullat e portalit.
Shih të gjitha rregullat për komentim
Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci
Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci
 
 
Magazina
15:10 / 5.11.2011
Jessica Simpson, Foto: Getty Images

Simpson ka probleme me gazrat

Jessica Simpson ka pranuar se ajo ka lëshuar më shumë gazra se zakonisht që nga koha që është shtatzënë.
Teknologji
15:09 / 5.11.2011
LG vjen me Optimus LTE

LG vjen me Optimus LTE

Kohëve të fundit është thënë se modeli më i ri i telefonit të mençur të LG’së, përkatësisht modeli LG Optimus Ey...
Ekonomi
13:24 / 5.11.2011

“Alo” me Shqipërinë e jo me Serbinë!

Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomike thonë se Kosova mund të kërkojë që të përdorë kodin e telefonisë së...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.