Home » Lajme Vendore » Dy tetovarë kanë bërë 26 grabitje në bankat e Austrisë

Dy tetovarë kanë bërë 26 grabitje në bankat e Austrisë

6948A8CB2CDCA64E90BE4C5260D6B30A Dy tetovarë kanë bërë 26 grabitje në bankat e Austrisë
Banda e njohur si “Money maker”, pjesëtarë të së cilës janë Vullnet Hamzai dhe Nuri Neshati, nga fshati Trebosh i Tetovës, janë të dyshuar për një seri të madhe vjedhjesh në bankat e Austrisë.
Dy shtetas të Maqedonisë janë të dyshuar se në shtat vitet e kaluara kanë kryer 26 vjedhje në bankat e Austrisë, njoftoi policia e atjeshme. Bëhet fjalë për Vullnet Hamzain (34) dhe Nuri Neshati (33), të njohur me pseudonimin Lutka, të dy nga fshati Trebosh i Tetovës, të cilët janë arrestuar në një aksion të koordinuar të policisë austriake dhe asaj maqedonase. Sipas policisë së Vienës, shtetasit maqedonas janë të dyshuar për një seri të madhe vjedhjesh të bankave në historinë e kriminalitetit në Austri. Hamzai dhe Neshati nga muaji Prill i vitit 2004, kur është bërë vjedhja e parë e deri më janar të këtij viti kur kanë grabitur një bankë në Grac, kanë grabitur gjithsej 26 banka prej të cilave 24 në Vienë. Të dy së bashku kanë marrë pjesë në 15 grabitje, ndërsa gjat vjedhjeve askush nuk është plagosur edhe pse grabitësit gjithmonë kanë vjedhur më pistoleta.
Neshati është arrestuar në muajin shkurt të këtij viti në Berlin, Gjermani, ndërsa para disa ditëve është ekstraduar në Austri. Ai gjatë shtatë viteve të fundit ka përdorur 15 identitete të ndryshme për t’ju ikur organeve të përndjekjes në vendet ku ai është fshehur dhe ka qëndruar. Hamzai, për të cilin mendohet se e ka organizuar grupën, është arrestuar para dy viteve dhe tashmë është dënuar me burgim për një periudhë prej 9 vitesh për tri vjedhje në banka.
Gjithashtu janë arrestuar edhe dy shtetas maqedonas dhe një sllovak, të cilët ende e presin gjykimin.
Rasti ka filluar të shqyrtohet në Qershor të vitit 2009, ku në bazë të kërkesës nga policia e Austrisë, MPB me ndihmën e disa fotografive nga kamerat e sigurisë është identifikuar Neshati. Ai në Shtator të vitit 2009 është arrestuar nga policia sllovene, por atje ka dhënë së pari një identitet të rrejshëm kroat e pastaj maqedonas me të cilët ka mund të shpëtojë. Sidoqoftë, në Gusht vitin e kaluar prokuroria publike e austrisë ka lëshuar një urdhër arrest ndërkombëtar për Neshatin, i cili në Shkurt është lokalizuar dhe arrestuar në Berlin, ku është prezantuar si Qamil Ismaili nga Tetova. Neshati ka qenë i njohur për policinë maqedonase për përpunim të paligjshëm, mbajtje dhe tregti me armë, për falsifikim dokumentash dhe vrasje me tentativë.
Hamzai ka grabitur 9 banka, ndërsa Nuriu dy herë grabitjet i ka kryer me disa kriminelë tjerë. Ata kanë qenë të specializuar për vjedhje të ekspoziturave dhe filialeve të Erste Bank.
Nga hetimi është konstatuar se grabitësit paratë i kanë harxhuar në bordele, nëpër klubet e lojrave të fatit, por edhe për blerjen dhe konsumimin e drogës. Autoritetet Austriake nuk kanë treguar më shumë detaje në lidhje me atë se sa para kanë vjedhur të dy tetovarët, të cilët njiheshin që nga shkolla fillore në trebosh. Hamzai ka shkuar në Austri me prindërit e tij para 20 viteve, por shumë shpejt është deportuar. Ai ilegalisht është kthyer në Austri dhe ka jetuar në Vienë. Neshati, ndërkohë ka jetuar në shumë vende, ndërsa ka udhëtuar në Austri për ti kryer grabitjet.
Banda e ka fituar emrin “Money maker”, sipas një shfaqjeje televizive, sepse gjatë një grabitjeje grabitësit kanë pasur me vete një cantë me logon e emisionit. Në një moment canta është grisur dhe paratë u kanë ra poshtë. Kamerat e sigurisë e kanë regjistruar momentin kur grabitësit i kanë mbledhur paratë dhe i kanë kthyer prap në cantë.

M.B

Lajme tjera:


Leave a comment