Home » Art » Arbën Xhaferi në Tiranë në kërkim të Kuptimit

Arbën Xhaferi në Tiranë në kërkim të Kuptimit

henri cili uet promovimi i librit enver robellit Arbën Xhaferi në Tiranë në kërkim të KuptimitGazetari dhe autori i librit, Enver Robelli tregon në një intervistë për MAPO-n bashkëbisedimin me Arbën Xhaferin

“Në një formë të çuditshme, sëmundja ia ka mprehur të menduarit. Duke qenë statik, është më vëzhgues se ç’ka qenë ndonjëherë. Duke u kufizuar në komunikimin e përditshmërisë, përpiqet që çdo fjalë që e thotë të jetë pjesë e përshkrimit të fenomeneve, të të kuptuarit të tyre -jo këmbim bosh fjalish… Atë që sëmundja po përpiqet t’ia marrë fizikisht, po ia merr shpirtërisht”. Ky është Arbën Xhaferi që rrëfehet edhe në Tiranë. Universiteti Europian i Tiranës në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias dhe Botimet “Koha” në Prishtinë u bë pritës i promovimit të librit “Arbën Xhaferri rrëfen, në Tetovë në kërkim të Kuptimit”, me parathënie të Veton Surroit dhe autor gazetarin kosovar Enver Robelli. Në 40 pyetjet e gazetarit të “Koha ditore”, Arbën Xhaferi na rrëfen shumçka që nuk dinim për të. “Kjo është biografia që ai e ofron. Jo vetëm mendimet e tij politike, që herë pas here kemi rastin t’i lexojmë në media, por jeta e tij, jeta e një djaloshi që e nisi rrugëtimin në Tetovë, që kur u bë mësues në Tetovë, ndihej sikur Migjeni, që e vazhdoi rrugëtimin e tij mendor, intelektual me një kthesë nga Beogradi dhe u kthye në Prishtinë, ku ëndërronte dhe krijonte filma të jashtëzakonshëm për Gjon Millin, dhe kur filloi të merrej me politikë në fillim të viteve ’90, së pari në Kosovë, pastaj në Maqedoni, duke ia kthyer skenës politike në Maqedoni mendimin intelektual dhe filozofik dhe jo vetëm mendimin e çastit.” – thotë autori Enver Robelli në intervistën e tij për MAPO-n.

A ishte e vështirë për ju që të bënit të rrëfehej një intelektual si Arbën Xhaferi?

Në fakt, nuk ka qenë dhe aq e vështirë sepse unë komunikimin me zotin Xhaferi e kam bërë përmes postës elektronike, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore e cila nuk lejon një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë. Në këtë mënyrë komunikimi me të ka qenë më i lehtë.

Sa i drejtpërdrejtë ishte në përgjigjet e pyetjeve, përfshi këtu sidomos ato dhe private apo pyetje që tregojnë ndjesi personale të tij, siç janë p.sh. pyetjet për besimin në Zot apo qoftë dhe për homoseksualizmin?

Për mendimin tim, ka qenë i hapur dhe i drejtpërdrejtë dhe e falenderoj shumë që më ka krijuar lirinë t’i bëj çdo pyetje të mundshme dhe ai nuk ka patur asnjë rezistencë. E kam pyetur për fenë, për ndikimin e islamit në kulturën shqiptare, deri dhe për homoseksualizmin. Madje, kur ishte në promovimin e librit në Prishtinë, ai u shpreh se ishte hera e parë që po mendonte për një gjë të tillë dhe të shprehte mendimin e tij publikisht. Ka qenë vërtet i hapur në komunikim dhe ashtu e kam konceptuar dhe intervistën dhe këtë ia kam bërë të ditur që në fillim.

Nuk ka asnjë pyetje që ai nuk i është përgjigjur ose që ju s’keni mundur t’ia bëni?

Në fakt, nuk ka asnjë pyetje që nuk i është përgjigjur. Por pyetje të tjera do të vijnë në muajt në vijim. Kur erdhi në promovimin e librit në Prishtinë, unë i thashë se po përgatis edhe 200 pyetje të tjera për të.

Pse zgjodhët Arbën Xhaferin?

Sepse ai është një prej mendimtarëve shqiptarë që është kompetentë të flasë për shumë tema, i cili vazhdon të jetë i angazhuar dhe nuk është i mbyllur në kullën e tij të fildishtë siç bëjnë shumë intelektualë. Nuk e luan rolin e njeriut që jeton në kullën e tij të fildishtë dhe nuk do të marrë pjesë në debatet publike. Për fat të mirë, Arbën Xhaferi është ndër ata intelektualë që lexon vazhdimisht, që përfshihet në debate dhe kjo ka qenë një premisë e mirë për të nisur një bisedë të gjerë me të.

Çfarë zbuluat, përmes bashkëbisedimit me të, rreth Arbën Xhaferit?

Nuk dimë shumë gjëra për të, sidomos për jetën e tij private (përveç miqve të tij të ngushtë), nuk dinim për prindërit e tij, rrethin e tij familjar, në çfarë rrethi social ishte rritur, nuk kishim shumë informacion për kohën që ai kishte kaluar në Beograd, sigurisht për rolin e tij gjatë zgjidhjes së konfliktit të armatosur në Maqedoni, ku ai zbulon shumë prapaskena si është ndërmjetësuar Marrëveshja e Ohrit dhe të gjitha këto ai i zbulon dhe i shpjegon në këtë intervistë me 40 pyetje që përmban libri, të cilave ai u është përgjigjur. Jo vetëm unë si gazetar që kam shtruar pyetjet kam mësuar shumë më shumë për të, por dhe vetë lexuesi ka shumë për të zbuluar.

Çfarë ka mbetur pa rrëfyer në këtë libër, që ju po mendoni t’i shtroni edhe 200 pyetje të tjera?

Do të doja të flisnim më shumë për angazhimin e Turqisë si fuqi e re rajonale në Ballkan e sidomos për ndikimin e Turqisë në viset shqiptare, për rolin e fesë të zgjerohesha shumë më tepër, ta pyesja edhe për shumë tema të tjera që lidhen me integrimin europian dhe shpresoj që në të ardhmen gjendja e tij shëndetësore të më lejojë ta bëj një gjë të tillë.

Si e priti ai idenë që intervista juaj e ideuar për një rubrikë gazete të bëhej libër?

Në fakt, këto 40 pyetje janë pyetje standarde në një rubrikë në gazetën “Koha ditore”, që unë ua dërgoj të gjitha personaliteteve. Kur ia dërgova Arbën Xhaferit, ai u përgjigj aq gjerë e gjatë sa ishte e dukshme që nga kjo do të lindte një libër. Por ai, ndoshta, duke qenë dhe pak i dëshpëruar me një nivel jo dhe aq të kënaqshëm të shkëmbimeve kulturore që kemi mes nesh (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni) apo për nivelin e medias së shkruar e duke parë që nuk hyjmë në mesin e atyre shoqërive që lexojmë shumë, kur i thashë që intervistën ta zgjerojmë në një libër, m’u përgjigj: Kush do ta lexojë? Unë e sigurova që do ta lexojnë, sepse kisha parë reagimet kur intervista u botua në “Koha ditore” dhe nuk ishte e vështirë ta bindja sepse ai është një ndër ata mendimtarët që nuk ngurron ta thotë mendimin e vet dhe ta publikojë dhe kjo është edhe ideja e një intelektuali dhe politikani të angazhuar, që nuk i mban mendimet në grusht për vete, por do t’i përcjellë.

Thanë për Librin

Henri Çili

Do të ishte shumë kënaqësi nëse sot do të kishim të pranishëm zotin Arbën Xhaferi, por për një arsye të papritur, ai nuk është këtu. Ka qenë një tentacion shumë i vjetër, ai i një politikani, apo njeriu që do dhe që do të vendosë, për politikën, për zhvillimet e shoqërisë. Ajo që njihet, shprehja apo dilema e famshme e Aristotelit, filozofi mbret apo mbreti filozof. Zakonisht pjesa tragjike e historisë së njerëzimit ka ndodhur që këto dy figura janë ndarë ose nuk funksionojnë së bashku. Kemi mbretër që nuk dinë dhe filozofë që nuk kanë gjë në dorë. Rasti i Arbën Xhaferit, për aq sa ai ka kontribuar në politikën e shqiptarëve në Ballkan, është bashkimi i lumtur i filozofit dhe i mbretit, në kuptimin e politikanit vendimmarrës në instanca të rëndësishme vendimmarrëse. Arbën Xhaferi është një figurë sui generis e politikës shqiptare. Mund të thuhet pa ekzagjerim, është individi ndoshta për nga formimi i tij filozofik, më i ditur do të thoja, nëse me përcaktorët nuk do të shkaktonim problem, në kuptimin e dijes së thellë për shoqërinë, politikën, filozofinë, por që ka pasur po ashtu shansin e madh që ka qenë vendimmarrës. E lexova me shumë kënaqësi librin dhe do të kem rast të shkruaj në shtyp për të.

Veton Surroi

Ky libër përmban në vete tre mesazhe, të cilat mund t’i ndaj me ju. I pari është në vetë titullin. Është në Tetovë, në kërkim të kuptimit. Është emblematik për tërë një jetë. Arbën Xhaferi po e kalon periudhën prej momentit kur regjistrohet në gjimnaz, duke kërkuar kuptim. Duke kërkuar kuptim në sensin më të gjerë, në marrëdhëniet mes tij dhe rrethit, duke kërkuar kuptim së fundmi në marrëdhëniet mes etnive, edhe brenda etnisë. Elementi i dytë me rëndësi dhe që po e përjetojmë sot është pjekuria e shoqërive shqiptare. Kemi mbërritur në një moment që të kthehemi prapa dhe të analizojmë çka është bërë dhe si është bërë. Libri i Arbnit është pjesë e një pjekurie të shoqërive shqiptare që kthehet mbrapa, kontekstualizon jetën e vet, përpiqet të racionalizojë, të kuptojë se çka ka ndodhur. Elementi i tretë, i cili padyshim është simbolik, edhe në këtë veprim është shkrirja e kufijve mendorë në të menduarit politik shqiptar. Arbën Xhaferi është njëri prej njerëzve që është angazhuar prej kohësh që këta kufij të zvetënohen dhe relativizohen deri në atë masë që t’i trajtojmë si të tillë, ata kufij të cilët janë në mendjet e njerëzve, pengojnë edhe komunikimin në përgjithësi. Prania e Arbnit me libër sot është edhe një përpjekje e tij për të ndërtuar këtë kuptim.

Remzi Lani

Rrëfimi i Arbën Xhaferit është, pikë së pari, rrëfimi i një njeriu të sinqertë që nuk ka ç’të fshehë dhe nuk kërkon të fshehë asgjë dhe faqet e këtij libri e provojnë këtë. Rrëfimi i Arbën Xhaferit është, së dyti, rrëfimi i një njeriu të ditur. Dija, dituria, intelektualizmi janë pjesë organike të qenies së tij. Rrëfimi i Arbën Xhaferit është, së treti, rrëfimi i një njeriu vizionar. Një vizion i ndërtuar në vite në bazë të eksperiencës së tij dhe popullit të tij, por mbi bazën e një historie që ai e njeh me themel, të një gjeopolitike që ai e zotëron mjeshtërisht. Nuk është e thënë që është dakord me këtë vizion në çdo aspekt të tij, por nuk mund ta fsheh që ai të tërheq dhe të bën të mendohesh. Rrëfimi i Arbën Xhaferit është, së katërti, rrëfimi i një njeriu që fatkeqësinë më të madhe e konsideron humbjen e diçkasë që e do me thellësinë e qenies së tij, siç thotë ai vetë. Një rrethanë e paparashikuar nuk bëri të mundur që Arbni të ishte sot këtu në këtë promovim, siç ishte paralajmëruar dhe siç ai e donte aq shumë. Dhe ardhja në Tiranë për të ka qenë gjithmonë një festë. Unë nuk kam takuar në jetën time një njeri që ta dojë Tiranën aq sa Arbën Xhaferi.

Lajme tjera:


Leave a comment