Home » Bulevard » Vezët, përse na bëjnë gjithmonë mirë

Vezët, përse na bëjnë gjithmonë mirë

Janë burim i çmuar dhe i pazbuluar më parë antioksiduesish

images16 Vezët, përse na bëjnë gjithmonë mirë Një studim i ri e vendos theksin tek vetitë deri më tani më pak të njohura për vezët: ato antioksiduese, të vlefshme për shëndetin e zemrës dhe parandalimin e shumë sëmundjeve, mes të cilave edhe kanceri

Një studim i ri e vendos theksin tek vetitë deri më tani më pak të njohura për vezët: ato antioksiduese, të vlefshme për shëndetin e zemrës dhe parandalimin e shumë sëmundjeve, mes të cilave edhe kanceri. Për vezët prej kohësh ka mendime të ndryshme. Ka nga ata që i akuzojnë për përmbajtjen e kolesterolit, duke e lidhur pashmangshmërisht me dëmtimin e shëndetit kardiovaskular. Ka nga ata që thonë se nuk është kështu, e se vezët të bëjnë gjithmonë mirë për shëndetin. Për të zbuluar të vërtetën, një studim i ri që nxjerr në dritë vetitë e fshehura të saj, fuqinë antiokiduese, na ndihmon shumë. Fjala antioksidues ka marrë tashmë në gjuhën e përditshme domethënie e parandaluesit të plakjes dhe sëmundjeve në përgjithësi, ku përfshihet edhe kanceri. Vetitë antioksiduese të disa ushqimeve diheshin prej kohësh, por shumë prej nesh nuk e kishin menduar që edhe tek vezët mund të fshihej një potencial i tillë. Kështu, një studim i kryer nga një grup kërkuesish kanadezë të departamentit të shkencave agrikulturore dhe ushqyese në Universitetin e Albertas, dhe të publikuar në revistën ‘Food Chemistry’, na tregon shumë. Sipas doktorëve Wu Jianping, Andreas Schieber, Chamila Nimalaratne dhe Daise Lopes-Lutz, vezët përveçse janë burim mineralesh, vitaminash dhe proteinash, janë edhe një burim i jashtëzakonshëm antioksiduesish. Për të konfirmuar pretendimet e tyre, shkencëtarët kanë analizuar të verdhën e vezës së pulës të ushqyer me misër dhe bukë. Analizat e kryera treguan se të verdhat e vezës përmbanin tripofan dhe tirozinë, dy aminoacide me veti të mëdha antioksiduese. Sasia e këtyre antioksiduesve në dy të verdha veze ishte më e madhe se sa ajo që përmban një mollë dhe një porcion boronica të kuqe, tregojnë shkencëtarët. Problemi i vetëm lidhej me gatimin e tyre. Në fakt, kur vezët skuqeshin apo ziheshin, antioksiduesit kryesorë pothuajse përgjysmoheshin. Po ashtu, edhe nëse gatuheshin në mikrovalë. Por sipas studiuesve, edhe pse një pjesë e tyre largoheshin, sasia prapë ishte shumë e lartë. Kështu, rezulton se vezët ishin një ushqim i jashtëzakonshëm, i vlefshëm për gjithë vitin. Peshon 60 gramë, ka 90 kalori dhe kushton vetëm 100 lekë të vjetra. Me këto karakteristika, “rrezikon” të jetë “Hirushja” e kuzhinës. Në të vërtetë, veza së bashku me orizin, janë mbretërit e padiskutueshëm të ushqimeve në të gjithë botën dhe në të gjitha epokat. Edhe po të mos ishte, do të duhej patjetër ta “shpiknim”. Kështu, në vitin 2005, pas alarmit të madh mbi influencën haviare (virusi H5N1), bota e kuptoi se ta përjashtoje vezën nga përbërësit ushqimorë, ishte thuajse e pamundur. Ajo nuk gjendet vetëm tek omëletat, por edhe te makaronat, tek ëmbëlsirat, te biskotat, tek akulloret dhe majoneza. Është aq e pranishme në të gjitha ushqimet që konsumojmë, sa mund të themi pa frikë se në ushqimet e shumta ku gjendet, konsumojmë rreth 218 vezë në vit, një të tillë në çdo dy ditë. Motivi i një suksesi kaq të madh? E thjeshtë: të rritësh pula është shumë e lehtë. “Në shumë vende të Europës, deri pas Luftës së Dytë Botërore, shumë familje mbanin poshtë lavamanit të kuzhinës një pulë që bënte vezë, – thotë Giovanni Rebora, ekspert i historisë së ushqimit. – Me një omëletë të thjeshtë me qepë dhe erëza hante gjithë familja. Dhe kjo vazhdon të ndodhë akoma edhe sot në shumë vende të juglindjes aziatike, në Afrikë dhe Amerikën Latine”. Në të vërtetë, prej mijëvjeçarësh veza është pjesë e ushqimit dhe jetës së njeriut. E verdha e vezës, për shembull, përmban proteina me vlerë të madhe biologjike, aminoacide thelbësore, yndyra, fosfor, hekur, kalcium, zink, magnez, vitamina A, B1, D, E. Këtyre u shtohen edhe substancat e albuminës, që furnizojnë me ujë embrionin dhe e mbrojnë të verdhën nga bakteret që mund ta kontaminojnë. Një diskutim më vete meriton lëvozhga e vezës, membrana poroze (që lejon hyrjen e oksigjenit dhe daljen e anhidridit karbonik), e ndërtuar kjo nga karbonatkalciumi dhe nga keratina. Mbron dhe ushqen embrionin, të cilit i “jep” vazhdimisht kalcium. Veza nuk është vetëm një ushqim. Ajo mund të përdoret edhe për nxirjen e lëkurës, në punimin e letrës dhe në atë të fibrave tekstile. Po ashtu, ajo përdoret gjerësisht edhe në kozmetikë.

Lajme tjera:


Leave a comment