Home » Opinione » Sociologjia, progresi shoqëror dhe demokracia

Sociologjia, progresi shoqëror dhe demokracia

fatos tarifa 222 Sociologjia, progresi shoqëror dhe demokraciaFatos Tarifa

Sociologjia u shfaq si një disiplinë e përgjithshme mbi shoqërinë në një stad të caktuar të historisë së zhvillimit të qytetërimit perëndimor. Paul Lazarsfelds ka shkruar se origjina e saj është “ngushtësisht e lidhur me industrializimin e Europës Perëndimore”. Sipas tij, “zhvillimi i një klase të mesme të fuqishme, varfërimi i masës së punonjësve me mëditje dhe krijimi i institucioneve politike demokratike, u bënë temat qendrore të klasikëve europianë [të sociologjisë] në fillim të shekullit të 19-të”. Në fakt, në një kuptim real të fjalës, sociologjia mund të konsiderohet si pjellë e revolucioneve borgjeze të shekujve të 18-të dhe 19-të në Europë dhe e ndryshimeve të thella ekonomike e shoqërore progresive që sollën ato, ose, siç e ka karakterizuar atë sociologu i shquar amerikan Peter Berger, si “një mënyrë tipike moderne dhe perëndimore e të menduarit”. E krijuar si një fushë e re studimesh mbi shoqërinë në gjysmën e parë të shekullit të 19-të, kryesisht në Europë, dhe si një disiplinë akademike (pothuajse njëherësh në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë) në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, sociologjia u zhvillua dhe u maturua si një shkencë e vërtetë sociale vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të.

 

 

Burimet intelektuale të sociologjisë klasike

Në fillimet e tij, mendimi sociologjik u ndikua dhe u frymëzua nga tradita e shquar iluministe europiane, veçanërisht nga filozofia e saj, e cila i parapriu krijimit të sociologjisë si një disiplinë e veçantë mbi shoqërinë, duke u bërë jo vetëm një prej burimeve intelektuale të saj, por edhe frymëzuesja e vizionit moral pothuajse e të gjitha teorive klasike në sociologji, veçanërisht e atyre që formuluan August Comte dhe Karl Marx.

Revolucioni Francez, ndikimi i të cilit u ndje fuqishëm në mbarë Europën dhe në Shtetet e Bashkuara, shtroi për zgjidhje një varg çështjesh që kishin të bënin me integrimin (apo dezintegrimin) social dhe që kërkonin një shpjegim teorik, si për shembull, “çfarë e mban shoqërinë të integruar?”, apo “ç’faktorë ndikojnë në dezintegrimin e saj?”. Pyetjeve të tilla dhe atyre që kishin të bënin me rolin e fesë dhe të traditës në shoqëri, me të drejtat e njeriut, me marrëdhëniet ekonomike, me autoritetin e pushtetit etj., të cilat, të marra së bashku, kanë të bëjnë me atë që e quajmë “modernitet”, mund t’u jepej përgjigje vetëm nga teori të tilla sociale, të cilat, edhe pse mbështeteshin në mendimin iluminist, i zgjeruan kufijtë e interesimeve të filozofëve iluministë, aparatin konceptual dhe metodologjinë e tyre të studimit të shoqërisë. Karl Marx me teorinë e tij të klasave dhe të luftës së klasave si forcë vendimtare e progresit shoqëror, Emile Durkheim me teorinë e tij mbi ndarjen shoqërore të punës dhe mbi format mekanike dhe organike të solidaritetit shoqëror, Max Weber me teorinë e tij mbi format e autoritetit dhe të legjitimitetit të pushtetit dhe atë mbi burokracinë, me të cilën argumentonte pashmangësinë e krijimit dhe të zgjerimit të formave burokratike në organizata gjithnjë më të mëdha e më komplekse të shoqërisë moderne, apo Ferdinand Tönnies me analizën që u bëri dy tipeve të komuniteteve në shoqëri – Gemeinschaft (shoqërisë tradicionale) dhe Gesellschaft (shoqërisë civile) – janë shembujt më të mirë që provojnë origjinën iluministe të mendimit sociologjik klasik, në atë masë sa, siç vë në dukje Kenneth Allan, “pa Iluminizmin nuk do të ekzistonte një gjë e tillë si sociologjia”.

Po kaq i madh ishte edhe ndikimi që pati filozofia klasike gjermane, veçanërisht mendimi kantian dhe ai hegelian në teoritë e themeluesve të sociologjisë: Karl Marx, Friedrich Engels, Emile Durkheim, Georg Simmel dhe Max Weber. Vizioni i iluministëve francezë, veçanërisht ai i shprehur në mendimin e filozofit Jean-Jaqcues Rousseau se humaniteti dhe përsosmëria e individit njerëzor kushtëzohen nga niveli i zhvillimit shoqëror, zuri një vend qendror në doktrinën që formuloi një shekull më vonë Karl Marx. Nga ana e saj, ideja kantiane mbi dualizmin e individit njerëzor, si një qenie, e cila është njëherësh objekt natyror dhe subjekt moral, pati një ndikim shumë të madh në teoritë sociologjike që formuluan George Simmel dhe Max Weber. Të dy këta sociologë ishin kantianë në besimin e tyre se, në analizë të fundit, vendimet morale të individëve nuk mund të gjykohen kurrë si të mira apo të këqija nga një perspektivë sociologjike. Si Simmel, ashtu edhe Weber, mendonin se sociologjia, ndryshe nga biologjia apo kimia, duhet të pranojnë faktin se, në një farë mase, individi nuk është dhe nuk mund të jetë i kufizuar nga ligje deterministe. Në një kuptim real të fjalës, mund të thuhet se ideja kantiane se, duke qenë një entitet i pavarur moral racional, individi është i lirë prej disa faktorëve të jashtëm shkakësorë të sjelljes së tij, ka pasur një ndikimi shumë të madh në mendimin sociologjik klasik dhe në atë modern.

Një ndikim ndoshta edhe më të madh në formimin dhe në zhvillimin e teorive sociologjike klasike nga Marx, Durkheim dhe Weber ka pasur teoria sociale e Hegelit. Prej saj Karl Marx dhe pasuesit e tij morën idenë se shoqëria krijohet dhe ekziston mbi bazën e ndërveprimit të interesave konfliktuale të anëtarëve të saj. Funksionalistët (Durkheim dhe pasuesit e tij) morën nga Hegeli idenë se ekzistenca e shoqërisë bëhet e mundur për shkak të sistemit të vlerave që ndajnë mes tyre anëtarët e saj. Max Weber dhe teoricienë të tjerë që ndoqën traditën veberiane morën nga Hegeli idenë se thelbin e shoqërisë e përbëjnë institucionet dhe rregullat e tyre. Influenca e Hegelit në mendimin sociologjik të Weberit ka qenë e ndjeshme edhe në teorinë e këtij të fundit mbi shtetin dhe të drejtën, mbi fenë dhe historinë.

 

 

Talcott Parsons dhe tradita amerikane në sociologji

 

Në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të funksionalizmi i Durkheim-it dhe teoria e Weber-it (dhe më pak ajo Georg Simel-it dhe Vilfredo Pareto-s) dominuan krejt zhvillimin e mendimit sociologjik në Europë. Sidoqoftë, duke nisur nga fillimi i viteve 1940 dhe deri në mes të viteve 1960, mendimtari që dominoi sociologjinë dhe fushën e teorisë sociale në Amerikë dhe thuajse në mbarë botën Perëndimore ishte Talcott Parsons, i cili u përpoq të krijonte një teori grandioze që të kishte vlerë universale për çdo fushë dhe për çdo sistem apo nënsistem të organizimit shoqëror. Influenca e mendimit parsonsian ka qenë veçanërisht e madhe në radhët e një sërë sociologësh amerikanë, si edhe të shumë sociologëve të shquar europianë si: Ralf Dahrendorf, Alain Touraine, Niklas Luhmann dhe Jürgen Habermas. Në vitet 1960 Parsons dhe teoria e tij filluan të kritikohen gjerësisht për mungesë të lidhjeve të saj me realitetin shoqëror nga sociologë të cilët kërkonin mënyra të reja të të shpjeguarit të një bote shoqërore në zhvillim dinamik. Kritikuesit më të ashpër të sociologjisë parsonsiane u bënë Pitirim Sorokin, Paul Lazarsfeld dhe C. Wright Mills. Ky i fundit kishte argumentuar me kohë se Parsons nuk mundej veçse të dështonte në përpjekjet e tij për të formuluar një teori të plotë mbi shoqërinë. Sipas tij, vetë koncepti i një përfytyrimi të plotë dhe përfundimtar mbi shoqërinë është i pamundur. Në vend të një teorie “grandioze”, si ajo që u përpoq të formulojë Parsons, Mills sugjeroi përpunimin e “modeleve funksionale”, ose të modeleve konceptuale empirike, të cilat mund të përdoren për analizën e dinamikave sociale në shoqëri të ndryshme.

Po në këtë kohë Robert K. Merton, i cili në fund të viteve 1940 ishte shkëputur nga influenca e mentorit të tij Talcott Parsons, e kritikoi teorinë e tij “gjithëpërfshirëse” në favor të përpjekjeve për të formuluar “teori të rangut të mesëm” (middle-range theories), siç i quante ai, duke argumentuar se sociologjia, edhe pse pak a shumë njëlloj e re në moshë me fizikën moderne, ishte ende një disiplinë pak e zhvilluar. Me një sistem të tillë teorik “grandioz”, si ai që kishte krijuar Parsons, sociologjia, shprehej Merton, dukej se “po përpiqej të vraponte para se ajo të mund të ecte”. Ai besonte se në atë shkallë zhvillimi në të cilën ishte sociologjia në mes të shekullit të 20-të, shpresën dhe mundësitë më të mira për zhvillimin e saj i ofronte jo krijimi i një teorie “grandioze”, si filozofitë e hershme mbi universin, por formulimi i teorive të “rangut të mesëm”, që të ishin historikisht më specifike dhe empirikisht të verifikueshme. Pikëpamja e Merton-it gjeti përkrahje të gjerë jo vetëm në radhët e sociologëve amerikanë, por edhe të atyre europianë. Në Francë filloi të flitej për theories de portée moyenne, ndërsa në Gjermani për Theorien der mittleren Reichweite.

Merton argumentonte se rruga drejt krijimit të një teorie të përgjithshme mbi shoqërinë do të bllokohej nëse çdo “sociolog karizmatik” (si Talctott Parsons) do të përpiqej të formulonte një teori të vetën të përgjithshme. Sipas tij, një praktikë e tillë mund të çonte vetëm në “ballkanizimin e sociologjisë”, duke bërë që çdo “principatë” e saj të sundohej nga një sistem teorik më vete. Duke sugjeruar teori të “rangut të mesëm” në vend të një teorie universale mbi shoqërinë, Merton nuk kishte aspak parasysh një shkallë më të ulët apo një nivel “të mesëm” abstraksioni, por teori të përpunuara në shkallën më të lartë të abstraksionit, të cilat të merren vetëm me aspekte të veçanta të sistemeve sociale. Teori të tilla, argumentonte ai, janë abstrakte në mënyrë të mjaftueshme sa të transcedentojnë ngjarjet dhe konfiguracionet specifike në jetën e shoqërisë apo përshkrimin e thjeshtë të dukurive shoqërore. Merton sugjeronte që sociologët t’i ktheheshin traditës klasike në sociologji, duke adresuar (ashtu siç bënë Durkheim dhe Weber në kohën e tyre) ngjarje, probleme dhe dukuri të rëndësishme të shoqërisë bashkëkohore. Sipas tij, “middle-range theories” janë, në fakt, pjesë e traditës klasike në sociologji. Ato bëjnë pjesë diku midis hipotezave që ngremë në veprimtarinë e përditshme si hulumtues empirikë të realitetit shoqëror dhe teorive të përgjithshme që përpiqen të shpjegojnë të gjitha format e sjelljes shoqërore, format e organizimit shoqëror dhe ndryshimet sociale.

 

 

Një disiplinë universaliste, jo partikulariste

 

Edhe pse në fillimet e saj sociologjia ishte, kryesisht, një disiplinë “europiane”, e lindur dhe e ushqyer, para së gjithash, në Francë, në Gjermani, në Angli dhe, deri diku, në Itali, duke filluar nga vitet 1920 dhe, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, ajo u zhvillua kryesisht dhe në shkallën më të lartë në Amerikë. Sidoqoftë, pavarësisht konteksteve dhe realiteteve të ndryshme politiko-historike dhe ekonomiko-sociale në këto vende, sociologjia, ashtu si çdo shkencë tjetër, natyrore apo shoqërore, nuk u zhvillua si një disiplinë “nacionale”, pra si “sociologji franceze”, si “sociologji gjermane”, si “sociologji britanike” apo si “sociologji amerikane”. Në shkencë nuk flitet për “fizikë gjermane” apo për “astronomi italiane”, por për fizikanë gjermanë, anglezë apo amerikanë dhe për astronomë italianë, francezë apo polakë. Po kështu, mund të flitet për sociologë francezë dhe gjermanë, por jo për “sociologji franceze” apo “sociologji gjermane”.

Natyrisht që në universitetet dhe në qendrat kërkimore në vende të ndryshme të botës ekzistojnë dallime përsa i përket fokusit të interesimeve të tyre shkencore, por shkencat natyrore dhe biologjike në çdo vend janë zhvilluar duke pranuar, përgjithësisht, metodat e kërkimit dhe teoritë e përpunuara prej shkencëtarëve nga e gjithë bota, pavarësisht vendit të origjinës së tyre. Kjo është e vërtetë edhe në rastin e sociologjisë, zhvillimi historik i së cilës ka njohur një fertilizim ndërnacional. Fjala vjen, Émile Durkheim vizitoi Gjermaninë në kërkim të mjeshtërve gjermanë të mendimit shoqëror, ndërsa sociologët e shquar amerikanë Albion Small dhe Talcott Parsons i kryen studimet e tyre në universitetet gjermane. Ky i fundit, kur u kthye në Harvard, solli me vete fokusin europian në problemet e kapitalizmit dhe idetë marksiste, përktheu Weber-in dhe përmes veprës së tij kryesore Struktura e veprimit social (The Structure of Social Action), botuar më 1937, luajti një rol esencial për t’i vënë emra të tillë si Marx, Durkheim, Weber dhe Simmel në qendër të traditës klasike në sociologji.

Në dhjetëvjeçarët e fundit, një numër gjithnjë e më i madh sociologësh europianë dhe nga vende e rajone të tjera të botës arsimohen në universitetet e Shteteve të Bashkuara dhe punojnë në këto universitete dhe në qendrat studimore të këtij vendi. Ky “migrim” i mendjes sociologjike dhe i profesionit të sociologut (pa përmendur që një numër i madh sociologësh të shquar migruan në Amerikë nga “Bota e Vjetër” – Florian Znaniecki, Thorstein Veblen, Pitirim Sorokin, Paul Lazarsfeld, Theodor Adorno), shoqërohet, padyshim, nga prirje unifikuese, të cilat e bëjnë sociologjinë një disiplinë të përgjithshme shoqërore, pra një disiplinë universaliste, jo partikulariste.

Megjithatë, në dallim nga shkencat natyrore dhe biologjike, sociologjia vazhdon të ruajë edhe një “nerv” kombëtar, i cili ka të bëjë jo aq me metodologjitë që përdoren nga sociologët e sotëm në vende të ndryshme, por me preokupimet disi të veçanta të njërës apo tjetrës shkollë sociologjike. Fjala vjen, sociologët francezë kanë qenë dhe mbeten me të interesuar dhe, ipso facto, më të orientuar nga studimet etnologjike dhe kulturore; sociologët gjermanë kanë qenë dhe janë të orientuar kryesisht nga studimet historiko-krahasuese, ndërsa sociologët anglezë vazhdojnë të jenë më të prirur nga empiricizmi administrativ. Nëse flitet për studime sociologjike të mbështetura empirikisht, qendra e gravitetit të tyre pa dyshim ka qenë dhe mbetet në Shtetet e Bashkuara dhe arritjet e sociologëve amerikanë në këtë drejtim janë të padiskutueshme. Edhe pse jo të gjithë europianët e pranojnë këtë, sociologjia që mësohet në universitetet amerikane dhe që “prodhohet” nga sociologët amerikanë, të paktën në këto 60-70 vitet e fundit, ka qenë dhe mbetet shumë më produktive, jo vetëm nga pikëpamja e metodave dhe e teknikave të studimit, por edhe e ideve dhe e teorive të testuara empirikisht.

Edhe pse përkthimi dhe botimi në Shtetet e Bashkuara, në dekadat e para të shekullit të 20-të, i veprave të Weber-it, të Durkheim-it dhe të Simmel-it bënë që përpara këtyre personaliteteve të shquara europiane sociologët e parë amerikanë të dukeshin “disi provincialë”, nëse huazojmë një shprehje të përdorur nga Lazarsfeld, shekulli i 20-të u dominua nga mendimi sociologjik amerikan dhe vetë shkenca e sociologjisë u zhvillua, kryesisht, në saje të sofistikimit të metodave empirike të kërkimit dhe të teorive sociale që formuluan sociologët amerikanë.

 

 

Sociologjia, diktatura dhe demokracia

 

Nuk është e rastit që sociologjia lindi dhe u zhvillua më parë dhe më shumë në vendet e zhvilluara industriale dhe demokratike, në Europën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara. Po kështu, është e lehtë të kuptohet pse sociologjia është parë dhe shihet me dyshim dhe frikë në sistemet totalitare dhe autoritariste. Ajo është konsideruar dhe konsiderohet e rrezikshme nga ato qeveri të cilat i tremben kërkimit empirik dhe njohjes reale të fakteve të jetës sociale. Në të kaluarën sociologjia është ndaluar t’u mësohet të rinjve në universitete si nga regjimet autoritariste të majta, ashtu edhe nga regjimet e djathta, p.sh. në Shqipëri gjatë periudhës së sundimit komunist, në Kinë në fund të viteve 1960, në Greqi në të njëjtën kohë, kur këtë vend e sundonte junta e kolonelëve etj. Qëndrimi mohues dhe përjashtues ndaj sociologjisë ka qenë, gjithashtu, një tipar edhe i nazistëve, të cilët e urrenin këtë shkencë. Kjo u dëshmua më së miri pas ardhjes së tyre në pushtet, më 1933, dhe deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, kur sociologët gjermanë ose u vranë, ose u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre, duke u vendosur kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe në Angli. Pushtimi i Francës prej ushtrive naziste bëri që edhe shumë sociologë francezë, përfshirë edhe Claude Lévi-Strauss, të largoheshin (një pjesë e tyre përkohësisht) në Shtetet e Bashkuara.

Shembja e komunizmit dhe krijimi i një shoqërie të hapur e demokratike në Shqipëri kanë krijuar kushtet dhe nevojën e domosdoshme që sociologjia të zërë, më në fund, vendin e saj të merituar në shkollat dhe në universitetet shqiptare dhe që studimet sociologjike të bëhen pjesë e asaj lëvizjeje të re intelektuale dhe e rimëkëmbjes akademike që ka nisur në vendin tonë. Tradita e studimeve sociologjike, pedagogët dhe studiuesit tanë në fushën e sociologjisë dhe marrëdhëniet e sociologëve shqiptarë me komunitetin e gjerë ndërkombëtar të studiuesve të shkencave sociale janë të kufizuara. Sidoqoftë, ato nuk mungojnë. Kuptimi bashkëkohor (modern dhe perëndimor) i rëndësisë që kanë sociologjia dhe studimet sociologjike në vendin tonë, vëmendja dhe mbështetja institucionale më e madhe se deri më sot për mësimin dhe zhvillimin e kësaj disipline në universitetet shqiptare, trajnimi brenda dhe jashtë vendit i specialistëve shqiptarë si edhe mbështetja financiare e projekteve studimore në këtë fushë janë disa nga problemet dhe nevojat më të ndjeshme për sistemin e arsimit të lartë dhe atë të veprimtarisë akademike në vendin tonë sot.

 

 

Për një arsye demokratikisht të dobishme

 

Duke theksuar nevojën për zhvillimin e sociologjisë dhe të studimeve sociologjike në Shqipëri, unë nisem nga bindja që shprehte C. Wright Mills 50 vjet më parë, se sociologjia synon ta vendosë arsyen në shërbim të çështjeve humane dhe të problemeve reale të shoqërisë. Për të përmbushur këtë rol dhe këtë mision publik të sociologjisë, Mills sugjeronte që “të evitohet burokratizimi i mëtejshëm i arsyes dhe i diskutimeve”, pasi kjo mund të çojë në një kontroll gjithnjë e më të madh si mbi individin, ashtu edhe mbi organizatat në shkallë të gjerë dhe të krijojë një “racionalitet pa arsye” (rationality without reason), i cili “nuk është i barabartë me lirinë, por është shkatërruesi i saj”. Mills shkruante: “Ajo që unë sugjeroj është se, duke u marrë me çështje dhe shqetësime sociale dhe duke i formuluar ato si probleme të shkencës shoqërore, ne kemi shansin më të mirë, madje unë besoj të vetmin shans, për ta bërë arsyen demokratikisht të dobishme për çështjet humane në një shoqëri të lirë, për të realizuar në këtë mënyrë vlerat klasike që frymëzojnë atë çka premtojnë studimet tona”.

 

Lajme tjera:


Leave a comment